Thanas Çani është i moshuari biznesmen me pasuri marramendëse në vendin tonë. Sot, “ABCNews” kontaktoi me familjarët e Thanas Çanit, pensionistit tjetër të përfshirë në skemën e kompanive që pasi kryenin evazion fiskal shisnin kompanitë e tyre. Djali i tij, Ardjan Çani deklaron se familja e tij dhe babai i tij, gjithë skandalin e kanë marrë vesh nga mediat Ndërsa shtoi se vetë ata nuk kanë marrë asnjë qindarkë.
“Kjo që ka ndodhur jo vetëm është si skenar filmash, por është e ngjashme me episode humoristike. Nuk na ka njoftuar as krim ekonomik dhe askush. Ne e kemi marrë vesh vetëm kur gjetëm emrin e babait dhe foton e tij nëpër portale. S’ka ardhur asnjë letër që të na njoftoi as tek unë dhe as tek babai im. Nuk jemi njoftuar për asgjë nga këto që kanë ndodhur gjithë këto vite”.
Djali i pensionistit që u përfshi në skemën e kompanive që bashkëpunonin me inceneratorin e Tiranës thotë se do të ndjek të gjithë rrugën ligjore për zbardhjen e ngarjes.
“Unë do ta ndjek çështjen ligjërisht. Këto janë çështje të cilat ne si familje po i konsultojmë. Ana morale, i takon të gjithëve të bëjnë pjesën e tyre. Ju si media bëjeni pjesën tuaj të tregoni se çfarë ndodh në këtë vend”.
Emrat e pensionistëve 90 vjeçar pa lidhje mes tyre, Haxhire Gurakuqi dhe Thanas Çanit u denoncuan nga LSI, si persona që kishin marrë në zotërim 3 kompani që kishin qarkulluar rreth 30 milionë dollarë. Kryemadhi tha një ditë më parë se janë disa kompani, që së bashku, kanë kryer evazion fiskal në vlera të mëdha parash.
Po ashtu, Monika Kryemadhi denoncoi 24 kompani të cilat në funksion të kompanisë së inceneratorit të Tiranës bëjnë evazion fiskal miliona euro përmes faturave fiktive. Kryemadhi tha se një prej kompanive që në librat e blerjes shihej se furnizohej me fruta, në librin e shitjes faturonte hekur e beton. Për të humbur gjurmët sipas Kryemadhit këto kompani shiteshin tek persona që s’kishin lidhje me to. Ky denoncim ka sjellë edhe reagime nga Partia Demokratike me në krye Sali Berishën, që kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Vetë Shoqëria Koncensionare Integrated Energy (IEBV) ka përgënjeshtruar deklaratat e Kryemadhit duke deklaruar se kompania nuk ka asnjë furnitor nga subjektet që u përmendën nga Kryemadhi si dhe nuk ekziston asnjë shkëmbim tregtar.
Facebook Comments