Bisedoi Faruk MYRTAJ
◾◾◾
MË VJEN KEQ, ATA NUK E NJOHËN ZOTIN…!
Bisedë me këngëtaren dhe aktoren Justina Aliaj.
Faruk Myrtaj:
Te ju bashkohet se gjithash thënia “Origjinaliteti është Vlerë”. S’ka njeri, i vetëdijesuar në vitet ”70 e më pas, gjer edhe sot e kësaj dite, të mos marrë frymë thellë kur përmendeni Ju.
Zor se gjen kënd te mos di, të mos ndjejë e të mos u gëzohet vibracioneve të zërit Tuaj.
A e dini Ju se s’mund t’ju harrojnë dot, as qëllimisht, madje as ata që ju lodhën ca…?!
Justina Aliaj:
Ashtu është ne kujtimet e mbresat e mia njerwzit e mi, Shqipëria e mrekullueshme. Arti, mendoj, aq sa është një dhurate delikate për njerëzimin qe e ruan ne memorien dhe ndërgjegjen e vet, po aq është me te pa njohura, d.m.th s’ka se si te këtë një fund.
Eshtë një privilegj i madh te jesh ne memorien e Kombit, sigurisht. Aftësitë qe Zoti m`i dhuroi, ia bëra dhurata popullit tim, me te bukurit ne ketë bote.
I faleminderit Zotit.
Nuk mund te shlyhen nga kujtesa ime njerëzit e arte, (shumicën e tyre nuk i njinja) qe ishin aq te sensibilizuar ne situatat që kalonja e që më mbanin me aq kurajo, dashuri e respekt. Në heshtje, te gjithë ishim te një mendimi.
Në se do ta njihnin Zotin, kurrë s’do kishin vepruar kundër meje aq keq, ata qe me ndëshkuan. Në radhë te parë, se s’mund të zhdukin talentin, sikur jo 18 vjet që më dënuan, por edhe 80 vjet (sikur te rronja).
Me paralizuan daljen time ne skene, fizikisht, por thelle ne shpirtin tim ata nuk mund te hynin, qe te ma shkatërronin. Përkundrazi, thelle ne shpirtin tim unë akumulonja.
Nuk ka si te jete ndryshe.
Se dyti, një dite te bukur ne dolëm nga uji i përvëluar ku e hidhnim “vallen” sipas druve qe i futnin zjarrit por, për ata, mendja ma do qe nuk është e lehte. Mjafton te mendojnë se përvëluan gjithçka te vyer, qe atyre u mungonte, qe ata e kishin frike, e qe nuk e zhduken dot.
Absolut është vetëm Zoti.
Me vjen aq keq qe Zotin, ata nuk e njohën…
Faruk Myrtaj:
Kur bëhet fjalë për emrat tuaj, të fillim/viteve ’70, më kujtohet gjithnjë një poet turk, me poezinë “Ditët e bukura më morën më qafë”!
Mos Ju…Stina dhe “dallëndyshet” e tjera të asaj fillim-stine, krejt pafajshëm, na morët më qafë edhe ne, ndjekësve tuaj, duke bërë që ne t’i besonim “prandverës” që jo më atëherë, por as sot e kësaj dite s’na ka ardhur?!
Justina Aliaj:
Sigurisht, është (edhe) ashtu siç thoni ju.
Por, mos mendoni se edhe ju, sikur te ishit ne vendin tim, apo te kolegeve
te mi, nuk do te na kishit marre ne “qafe”. (Ne se mund te shprehem kështu)
Është e pashmangshme koha qe ecën e nuk pyet, evoluimi, instinktet për
te gjetur te bukuren. E bukura nuk njeh shtrije gjeografike. Padyshim
ajo ekzistonte edhe ne vendin tim…
Ne qe dilnim ne skene ishim nder me te dëmtuarit.
Spektatori dhe ne dëshironim te jetonim kohen, me tere koloret e saj, mrekullisht e donim te bukuren, deri ne pafajësi.
Ndërsa, sistemi ishte diametralisht kundër se bukures. Bardh e Zi.
Pa Pranvere… (sigurisht jo për vetë “Ata”)
Gjahu i skenës ishte laboratori i tyre me i preferuar, gjer ne etje hienash:
mbillnin epidemi me afate dekadash për të na infektuar keqas.
Me tere kuptimin e këtyre fjalëve: ishim anemike deri ne asfiksi, të
pa-ngrënë ne te gjitha aspektet e jetës.
E prape, ne ëndërronim Stinën e bukur te Pranverës, pa dashje duke gënjyer veten dhe ju…(Me pëlqeu gjetja juaj: Ju…Stina! Nuk ma kish thëne njeri.)
Nuk kishte si te ishte ndryshe.
Ne besuam se ishim lindur për skenën. Dhe që populli im, në jetë të jetëve, i pakrahasueshëm, vital, i zgjuar, i bukur, i afte ne te gjitha shkencat, i civilizuar, i pashoq dhe, mjerisht shume here…i pa-fat!
E prapë, kam momente nostalgjie te se kaluarës. Grindem me veten:
MOS -i them vetes- NUK, NUK, NUK DUHET. Ti e dine mire se neper cfarë rrathësh ke kaluar. Mos e kthe kokën PRAPA. Ik, ik, ik larg…
Ja që nuk mundem, kam nostalgji. Sigurisht jo qellim ne vetvete.
Dëshiroj te pajtohem me një thënie te francezeve: “N.q.se ti nuk ke
nostalgji për të kaluarën, cilado qofte ajo, ti nuk ke as te ardhme.”
(midis bisede)
▪️E dashur Justinë!
I mora të dy përgjigjet e para…Je si në këngë!
Sigurisht, më kuptoni kur u shpreha “na morët më qafë”! Jo ju, por askush nuk merr më qafë kënd me gjëra të bukura!
Pikërisht kjo është merita e Artit (të fjalës, të këngës, të penelit, të lojës skenike): të bën të ndjehesh i ndjeshëm!
Lexova dikë së fundi: Artisti preket dhe fyhet më shpejt se kushdo, prandaj ai ka “të drejtën” të prek e të “fyej” këdo, si artist…!
▪️Zoti Faruk,
Ju kërkoj shume ndjese. Kam qene shume e xanë. Mendonja se do te vazhdonja me herët te ju shkruanja, por nuk munda.
Ju lutem, kini durim e me prisni te ju përgjigjem te tjerave.
Do te mundohem te përshpejtohej sa te jete e mundur.
Me shume respekt,
Justina.
▪️▪️▪️
Faruk Myrtaj:
Kam prirjen të besoj se shoqëria shqiptare ende nuk po e gjen dot veten, mbase ngaqë nuk po di te bisedojë me Veten. Sikur mungon përpjekja e pa-pushimtë për t’ju larguar Turmave dhe nxitimit në gjykimin, vlerësimin dhe krahasimin e vlerave në kohë.
A e dimë ne kush keni qene Ju, të para/gjatë/dhe pas Festivalit të 11-te? A duhet pranuar si shterues vlerësimi që edhe më tej ai te quhet “Festivali pas Pleniumit te 4-t”?!
Justina Aliaj:
Çdo kohe ka nxjerr ne pah anët pozitive te saj duke i hapur dritën e jeshile
perspektives. Anët negative do ti quanja disballanca e pozitives.
Është krejt e kuptueshme qe këto dy ane te medaljes, kane ekzistuar e do
te ekzistojnë sa te jete Jeta dhe kudo.
Ashtu sikurse ne një familje, qe jo te gjithë pjesëtarët funksionojnë njëlloj,
apo bëjnë përpjekje njëlloj për ta ruajtur kompakte e te pastër familjen.
Ashtu sikurse ne trupin e njeriut, kur zemra funksionon shkëlqyer por
gjaku neper aorta ka filluar kolesterol…
Ne fakt, është e thënë: në momentin që e gjen
shkakun e se keqes, fillon përmirësimi.
Por…(Ky “por” ne këto raste te mbyt. Hiç nuk e dua këtë lloj “por”-i)
Fatkeqësisht nuk ndodh shpesh kështu.
Zoti Myrtaj, ju përmendet pak me larte: “mungon përpjekja e pa-pushimtë për t`ju larguar Turmave dhe nxitimit në gjykim”.
Të mungoj përpjekja është një ane negative por, qe kjo te behet me qellim,
është krim qe nuk kryhet fizikisht. Nuk është pak te vrasësh te Vërtetën.
Tani, pak për të qeshur: rreth viteve `89-90 e zhvillua një konkurs a festival.
Unë u paraqita me këngën me te bukur te të lartit Tish Daija, “Mall përvendlindjen”. Çmimi do tu jepte bazuar ne votat e Popullit. (Ne emër te Popullit!) Populli i Vërtetë votoi për këngën “Mall për vendlindjen”, por…”ne emër te popullit” “fitoi” kënga “Për Partinë”, (ha-ha-ha!)
Sa here është vrare Jeta, e Vërteta “Ne emër te popullit” te shkrete!
Me rrëqethet trupi.
Ndershmëria dhe kompetenca janë pika nevralgjike, pika kyçe e te gjykuarit.
E lus te madhin Zot, se paku, kjo kohe te nxjerr njerëz te ndershëm e te afte
për ta mprojtur identitetin e muzikës Shqiptare, e Artit Shqiptar, ndonëse shpesh here e shoh te përhumbur.
Ne vitet `70, Italia e humbi identitetin e muzikës se mirëfillte te saj. Por, ajo e ri-gjeti shpejt vetveten. Nuk jemi as te paret e as te fundit.
Veçse, t’ju them te vërteten, Zemra me dhemb kur edhe ne Shkodre Locen
teme ndigjoj shpesh këngë me shume nuanca orientale. Muzika orientale
me pëlqen, por ja që nuk është Jona, është e Tyre!
Ne jemi AUTENTIKE ne gjithçka, e për gjithçka. As me te voglën nevoje ne nuk kemi qe te huazojmë.
Unë, bie fjala, do te ëndërronja te isha me e bukura ne bote (Marlyn Monroe), me e famshmja aktore (Al Pacino) dhe këngëtare (Arita Franklyn) ne bote, me e zgjuara ne bote (Einstein)…dhe, n.q.se do te me kërkonin te me quanin si ATA , kurrë nuk do te pranonja te isha kopja e dyte e Tyre, veçse Justina Aliaj e parë!
Ndonëse i adhuroj shume, kurrë, kurrë nuk bej kompromis me vetveten.
E çmoj tejet Origjinalitetin. T’ju them te drejtën, nuk ia kam zilinë askujt.
E di mire se ndonjë lexues është duke buzëqeshur. Por, të dashurit e mi, ne kemi një Zot mbi kryet tonë dhe përulemi me fisnikëri para Tij, e i falem nderës për aq aftësi sa na ka dhuruar.
Te hash inat me Zotin (siç e themi me gjuhen popullore) është një naivitet i
pashoq dhe një humbje kohe qe s`kthehet me! Higjiena mendore është
procesi me i rëndësishëm ne jetën e njeriut, është nena e te gjitha te mirave,për mua.
Te pershendes
Justina
Faruk Myrtaj:
Ka zëra të asaj kohe, midis jush, midis të ndëshkuarve për Festivalin, dhe më pas tij, që gati sa nuk thonë: ne nuk bëmë asgjë. ne s’kishim asnjë para-mendim, as-edhe-një-gjë për be! Ne thjesht kënduam…!
Madje, ndokush prej tyre, në vitin 2003, në një promovim-kujtese për Festivalin, u shpreh se “masat ndëshkimore na bënë mirë. Ja, unë në Kukës gjeta gruan time!”
Justina Aliaj:
Si Justina Aliaj, jam lindur ne Shkodër…
Jam rritur tek “Arra e madhe”. Kam nostalgji te jashtëzakonshme.
Rrugica jone ishte plot Jete. Ishim shume fëmijë. Prindërit shkonin shume mire me njeri-tjetrin. Nuk kishte festa te mos gëzonim se bashku. Mbaj mend Pashkët. Nana jeme ngjyente një kosh te madh me veze dhe e linte ne mes te çardakut. Vinin miqtë e prindërve te mi, qe nuk ishin te njëjtës fe, dhe na uronin Pashkët. Gëzimi im ishte t`u jepja vezët tek po dilnin nga shtëpia.
E njëjta gjë me prindërit e mi. Shkonin tek ata, t`i uronin Bajramin. Kishte dashuri, respekt, tolerance qe u trashëgua tek ne krejt natyrshëm. Gumëzhinte “mahalla” kur prindërit tanë luanin ”Arrash”.
Te qeshurat dhe të bërtiturat, kur nana jeme apo baba jem
e gjuanin kocin (koci ishte një arre e madhe qe e hapnin, i hiqnin thelbat per te futur gurë te vegjël në të, që të rendonte, dhe e mbyllnin me zift apo me letër ngjitëse).
Kur e gjuanin fort, rrezonin shume arra te “kundërshtarëve” e i fitonin te gjitha ato.
Kur prindërit luanin me litar, mbaj mend nanat tona i kapnin fundet me kapsa rrobesh qe mos t’i shiheshin këmbët lart (ha,ha, ha!), edhe ajo kishte bukurinë e vet. Tërbohej mahalla nga te qarat tona cdo dite premte, kur nanat tona shkonin ne kinema me “5 lek film per gra” (ha,ha ha!) e ne qanim a s`qanim në krahët e baballarëve qe mundoheshin te na “gënjenin”.
Kur u piqte “kafja” u ndinte era edhe se kush po e pjek e nanat tona shkonin tek njëra-tjetra te pinin kafen e sapo bere.
Mbaj mend nanen kur delte ne çardak, “tanë lezet”, e i ftonte shoqet e saja: hajdeni se e kam vue xhezen (xhezven)! E mblidheshin secila me gjypner (shtiza)apo “qëndisna” (qëndisje). Oh, sa bukur na vishte nana, arit i kishte duart.
Mund te kem qene 4 vjeç kur ne fëmijët do te vinim ne “skene” “Borëbardhën”. Oborri im ishte i madh dhe aty u vue “Borëbardha”. Motra jeme, Vera, qe ishte me e madhe se unë, luajti Borëbardhën. Unë lujta një nga xhuxhat. Sigurisht, çarçafët ishin një dekor me se i shkëlqyer.
Kur u dha “premiera”, mbaj mend qe “nxorëm” jashtë nga shtëpia prindërit tanë, sepse “hyrja” nuk ishte e lire por, me bileta. Nuk bënim “përjashtime”. Bileta ishte 2 lekë…!
Unë organizonja edhe një loje tjetër: Kush i bën pozat me te bukura.
Mblidheshim te gjithë fëmijët tek oborri im dhe, qe ne krye te mahallës dëgjoheshe thirrja-kush i ban pozat ma t`bukra nji, dyyyy, triiiiii. Edhe këtu do te vinin prindërit te na shihnin dhe na gjykonin pozat tona. Gëzimi im i madh ishte kur me thonin: “Te marrte dreqi moj Just, ku i gjen “njata”poza kaq te bukura…?!”
Me siguri kjo është arsyeja qe unë gjithmonë kam pëlqyer fotografinë e sidomos te fotografoj te tjerët. Me pëlqen fotografia ne lëvizje, jo thjesht një fiksim se sa një domethënie.
Kur këndonim i thonin nanës teme-Marije, shihe sa te bukur e ka zanin Justi e i ndihet mbi te tanë.
Luanim kuzhinash, shitësesh…Oh, fëmijëria ime ishte e mbushur plot me kujtimet ma te “amla” ëmbla …
(Faruk, tani po e lë me kaq,
Do te shkruaj me vone.
Falme te lutem.)
P.S. I shkruaj per here te pare ne jeten time, dhe me pelqen ta bej keshtu per te dhene me vone rrokullisjen e te gjithave.
ME KE DUAN TA ZEVENDESOJNE TE MADHIN ZOT?
Ne i kënduam Jetës, perspektivës, bukurisë, pafajësisë…
E për te gjitha këto u fajësuam!
Justina Aliaj vazhdon:
Shkolla ishte një tjetër vend ku shpalosen ëndrrat, dëshirat, pasionet.Shkolla e pare e imja quhet shkolla “Ndoc Mazi”. E thërritnim shkolla prej “kartuci”(kartoni), sepse klasat ndaheshin jo me mur. E bukur shkolla ime. Modestja shkolle. Lumturi e jashtëzakonshme te gjindesha ne ate shkolle.
Unë mërdhifsha shume dhe mësueset shpesh me vinin te rrinja pranë sobës me zjarr drunjësh, gjate orës se mësimit. Isha nxënëse shume e mire, por anatomia me tërhiqte më shumë. Kori ishte aktiviteti jashtë klase qe me tërhiqte shume.
Kam filluar te shkoj ne Shtëpinë e Pionierit qe ne moshën 8 vjeç, në rrethin e theatrit. Do te vihej ne skene opereta “Mësimi i pyllit”, e kompozitorit Tonin Harapi. Kisha një pjesë ku duhej te këndoja, mësuesi i muzikës, Tonin Daija, i shqetësuar a mund te këndonja?
Mbasi mbarova se kënduari, mbaj mend qe i tha mësuesit te teatrit: Paska “za” te bukur…! Kështu me regjistruan edhe ne rrethin e këngës, harruan pothuajse fare te luanja teatër. Kam qene 10 vjeç kur debutova ne theatrin dhe estradën profesioniste te Shkodrës teme.
Mbaj mend këngët e para qe kam kënduar,. Titulloheshin “Kukulla” dhe “Pula e gjeli”. Lumturi e madhe, spektatori me kthente 2-3 here. Qyteti im, me njihte në vogëlinë time.
Shkodra…djepi im! Mrekullia e mrekullive.
Në vitin 1967 do te rrokullisej një pjesë e mire e mrekullive fëminore. Ishte pikërisht heqja e Kishave.
Nana na kishte edukuar me Zotin ne shpirt. (Baba dukej se nuk besonte…).
Cdo te diel shkonim me nanën ne Kishe.
Mbas thirrjes kundër Kishave, shkonim fshehurazi. Dikush na pa dhe spiunoi. Më qortuan ne Shtëpinë e Pionierit. Nuk u zhgënjeva nga kallzimi aq sa u zhgënjeva nga kallëzuesi i pa fe.
Nana qau shumë: Me kë duan ta zëvendësojnë të madhin Zot?
Nuk shkuam më në Kishe, i kryenim rritet fetare ne shtëpi.
U zhduk hareja ne qytetin tim për ti lënë vendin veseve qe filluan te “lulëzonin”.
Për te ardhur vërtet keq, qe faktet deri atëherë flisnin për te kundërtën e asaj qe po ndodhte. Të dy fetë kane qene te lidhura me njëra tjetrën, me respekt dashuri e tolerance. Me veshët e mi i kam dëgjuar te më quanin “kryqe”.
E hidhur, shume e hidhur. Asgjë nuk mund ta marr te shkëputur nga qenia ime, nga karriera ime.
Do te ndikonin keqas ne boten time…druajtje, ftohje, mosbesim…
Jeta vazhdon. Çdo gjë merrte kuptim vetëm kur ngjitesha në skene.
Jashtë skene atmosfera ishte ndotur.
Me vone fillova studimet ne Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tirane.
Festivali i pare i muzikës se lehte, ku unë këndova, ka qene ne vitin 1968 (ne mos gaboj). U paraqita me këngët “Tej shaminë, tej vetminë” e të lartit Tish Daia, dhe “Unaza” e kompozitorit Agim Krajka.
Lumturi e madhe përgatitja për Festival: zgjedhja e këngëve, konkurrenca, ndryshimet e teksteve, ankthet, paraqitja vizuale, çmimet, fama…
Kurrë nuk kisha frike, konkurrenca me tërhiqte tej mase, donja konkurente te forte, aty e ndjenja kënaqësinë, kisha perse te përpiqesha, mërzitesha shume po te kisha konkurrentë te dobët, s`më behej te këndonja.
Jehona e tyre merrte një kohe te gjate.
Evenimente për mbare Kombin, Festivalet e Muzikës se Lehtë.
Jam pranuar ne Institutin e Larte te Arteve, për aktore, pa konkurs.
Qëlloi qe atë vit, ndonëse vazhdonja studimet për muzikë, shkolla jone konkuroi ne lëvizjen amatore te theatrit te Tiranës, ku u nderova me çmimin e pare si aktore, madje pa e mbaruar vitin e fundit te Liceut me kaluan ne Institutin e Larte te Arteve. (Do te mbaronja me vone )
Ne Festivalin e `71 këndova “Ne ekranin e televizorit”.
Kurrë nuk kisha menduar se ngjarjet do rrokulliseshin kaq llahtarshëm…
Gjithçka ishte më se normal, ne te tera drejtimet: muzika, tekstet, orkestrimet, “tematika” (formalisht ishte ne rregull për “Ata”).
Ne i kënduam Jetës, perspektives, bukurisë, pafajësisë…
E per te gjitha këto u fajësuam!
Ti Faruk më përmende Plenumin e IV…
Nuk ka te bej absolutisht me plenume, i katërti apo i katërmbëdhjeti…
Numra falso, emërtime falso! E vërteta ishte se i kishte ardhur radha Artit te shkrete te rrihej me kamzhik, ashtu si sektorët e tjerë para nesh.
“Shkaqet” dhe “fajtorët” ishin lehte te gjendeshin…
Te paktën tre vjet kam jetuar me ankthin e arrestimit…
Dhimbje për shokun tim me te dashur, që e kisha ne burg, Sherif Merdanin, dhe ankthi i arrestimit tim, nga çasti ne çast, që zgjati tre vjet. (Sherifi ishte i vetmi njeri që i kisha besuar bindjet e mija politike, dhe që kurrë nuk më tradhtoi, neper rrathët e ferrit që kaloi Ai)
Faruk, ndjehem e lodhur…

▪️Shtojcë, për të ambalazhuar “natën-e-mirën”!
Faruk Myrtaj:
E respektuar Justinë.
Se pari nuk do deshiroja të bëhesha shkak, ose arsye, as sebep!, për lodhjen apo ndonjë mërzi të kësaj natyre.
E Shkuara mbase e lodhë Njeriun më shumë se e Sotmja, pa le më se sa e Ardhmja! Mbase kështu është.
Sepse, Të Shkuarës Njeriu nuk ka ç’i bën! Ajo ka ndodhur, ka rrjedhur si ujët e lumit, në rastin më të mirë mund ta gjesh vetëm në Det, pra kurrë më.
Për të Sotmen, njeriu shpreson e beson se e ka nëpër duar, mund të merret edhe ca kohë me të.
Njeriu është 100% i sigurt për të Ardhmen: Rrallë njerëz e vënë në dyshim se s’do të jenë të lumtur në të Ardhmen!
A s’erdhi si ëndërr pranvera e viteve të para ’70?!
Anketat muzikore të para-Festivalit mbase ishin edhe më të bukura, edhe më problematike se Festivali 11, por, siç shpreheni Ju, erdhi koha kur duhej te heshtte Lirika: po binin topat!
Përmendët Sherif Merdanin, por edhe ndonjë hollësi më shumë, edhe ndonjë emër tjetër, ndonjë detaj tjetër…
Të lutem, edhe pse e ke te vështire përmendjen…e të munduarve.
Edhe të munduesve?!
Se, diçka ndodhi në atë errësire. Ne duhet të ndezim dritat, për ta parë dhe marrë vesh skenën dhe personazhet që luajtën atë farsë gjigande e të lodhshme…
Po, unë besoj se edhe dhimbjet e kokës, mbase prej atëherë vijnë!
PS. Nëse nuk do të bezdisja, do të dërgoja tregimin tim më të fundit: “Bermuda”. Subjekti, shkurt?! Një vajzë, bie fjala në Selenicën time, vendosë të dalë me një fund dy-tri gisht më të shkurtër, deri në qendër të qytetit provincial, aty ku kryqëzohen rrugët, thashethemet, fatet, fatalitetet…
…U pafshim, Justinë, pra u shkruajtshim sa më shpejt!
Justina Aliaj:
Ndër gjërat që më tërhiqte më shumë kur isha në skenë, ishte improvizimi, vënia ne funksion e intuitës. Nëse katër here do më kthente publiku për te njëjtën këngë, të katër herët do ta interpretoja ndryshe! Tmerri im me u interpretue kënga njësoj. Ndonjë here bënja edhe shaka ne skene, sigurisht aq sa e duronte skena.
Ja një e tillë, para publikut:
Ndër dirigjentët më të rrepte, që të qortonte pa pike takti, ishte i famshmi trompist Gaspër Çurçia. Se si më shkrepi që t`i bënja një lojë mu në skenë (ndonëse me mua nuk ishte bere nervoz ndonjëherë) Kisha aq dëshirë ta shihja, çdo më bënte para publikut, si do të reagonte…
Ishte nata e shfaqjes ne Pallatin e Sportit “Partizani” (pas festivalit)
Do këndonja “Unazën”. Fundi i këngës arrinë, unë duke përsëritur te njëjtin tekst, dhe ndërhyrja e orkestrës pas çdo përsëritjeje të timen. Ky fund merrte pak sekonda dhe ishte shumë i thjeshte. Ja se si ishte fundi:
Sa vjen njeri, tjetri shkon (ndërhyrja e orkestrës)
Sa vjen njeri, tjetri shkon (ndërhyrja e orkestrës)
Sa vjen njeri, tjetri shkon ( e mbyllë orkestra )
Tek rreshti i fundit unë thashë vetem: Sa vjen njeri, tjetri…
Gaci (Gasprin e thërritnim Gac për shkurt) kishte ngelur me duart lart se s`po dëgjonte fjalën “shkon”. Unë ndërkohe isha larguar pak nga mikrofoni sikur do te ikja. Gaci ndërkohe kthehet nga unë i xhindosur se s`po thonja “shkon”, dhe instinktivisht fillon e ul duart, domethënë që orkestra mori sinjalin e mbylljes. Orkestra e mbylli disi e çorientuar, sepse Gaci nuk ia dha shenjen e plote për finalen, e unë teksa orkestra e mbylli, kthehem tek mikrofoni dhe them “SHKON”!
Tani unë përshëndesja publikun dhe kthehesha e përshëndesja edhe Gacin.
Gacit i ka shpërthyer një e qeshur me të madhe. Duke luajtur gishtin tregues po më thoshte: “ma hodhe moj shpirt qene! Këtë nuk ka guxue me ma ba askush: Mue “moj shpirt qene”?!
Gaci e kishte n`goje fjalën “shpirt qene”! Publiku nuk e dëgjonte sepse ishte duke duartrokitur. Kishte filluar kënga tjetër, e Gaci vazhdonte te qeshte.
▪️▪️▪️
Justina Aliaj, vazhdon:
Në vitin `71 kam qenë ne vitin e katërt ne Institutin e Larte te Arteve, njëkohësisht regjisore the prezentatore në TVSH.
Rrokullisje, përmbysje e karrierës dhe e jetës sime pas Festivalit 11.
E dija mire ç`më priste, pasi kishin mjaft “fakte” te me ndëshkonin.
Kohe përpara Festivalit 11, kisha kërkuar te me përkthejnë një këngë
amerikane ne shqip (ka qene kënga “You are my destiny”) dhe, të këndonja gjithashtu ne anglisht këngën shqiptare “N`pallatin tone, ne katin e trete” e kompozitorit Agron Xhunga.
Në Festivalin e 11 kam kënduar “Në ekranin e televizorit” ku mora shume kritika për “pasthirrmat ” e mija në interpretim.
Sigurisht këto akuza renduan shume mbi mua.
Lutja Zotin me gjithë shpirt e drithërima te gjenja një shteg te rrëshqitja, te mohonja por nuk mundesha ne as me te voglën mënyrë.
Sepse…kisha shkuar me këmbët e mia tek sekretari i partisë i TV dhe i kisha treguar “planet e mia armiqësore”: Të këndoj në anglisht!
A e dini se ç`ishte akuza kryesore kundër meje: Justina Aliaj dënohet për maniera amerikane ne interpretimin e saj…
Dhe me “transferuan” ne Dukagjin.
(Që të më hanin ujqit a çfarë lloj bishash ka atje, se njerëzit me mend ne koke nuk do te rrinin me mua, paskëtaj. Ashtu siç edhe nuk ndenjen ne fakt, m`u larguan, as në rrugë nuk më përshëndetnin…frike…izolim total…
Me këto u ballafaqova edhe në qytet, pa le te shkoja ne Dukagjin)
Do te ishte SHKODRA LOCJA JEME qe do te me shpëtonte jetën.
Shkodra luftoi me te gjitha fuqitë e saj te mos shkoja ne Dukagjin, dhe ashtu bëri! Shkodra i thoshte Tiranës: Lernani neve t`ia “marrim shpirtin” (d.m.th t`ia fusim dy këmbët në një këpucë)
Vulën e shpëtimit tim e mban z.Bilal Parruca, Kryetari i Komitetit Ekzekutiv te Shkodrës në atë kohe.
Kurrë nuk e harroj ç’më tha shpëtimtari im:
“Do të ngarkoj këngëtarin më të madh të muzikës popullore shkodrane, Bik Ndojen, të të mësoj këngët popullore, edhe hiqju qafet muzikës se lehte, sepse nuk kam me mujt (nuk do të mundem) më të mprojt më…”
E unë iu përgjigja tekstualisht: Shoku Bilal, po unë s’di me i këndue këngët popullore, spektatori do t`m` gjujn me molla’t’arta (do të më gjuajnë me domate).
Dhe z. Bilal me është përgjigjur tekstualisht kështu: Nuk do t`i le unë, sepse unë vete do te vij ne provën gjenerale dhe do shoh a mundesh apo jo t`i këndosh ato këngë. Në se jo, do të të them mos i këndo. Por, ti fillo një herë…
Sigurisht nuk kam si ta harroj debutimin e parë në jetën time me kënge popullore. Ka qenë kënga “Ala emnin s`ta kam xan” (Akoma nuk e di emrin tend). Spektatori im më ka kthyer 3-4 herë në skenë… Gëzimi im ishte i pakufi (ditkam te këndoj kënge popullore ?!)
E kam mësuar nga z. Bik Ndoja këngët popullore për te mos u shkëputur kurrë nga ato. I dua jashtëzakonisht shume.
Edhe sikur mos te isha dënuar, mua kurrë nuk ma merr mendja se nuk do t`i kendonja një dite. Gjithmonë me kujtohet nje fjale e vjetër: ai qe di te bej një pune mire, ai di të bëj edhe të tjera po aq mirë.
Në rastin konkret, nocionin kohe e marr në konsideratë.
Faruk Myrtaj: Dhe, nëse nuk e merrje ti…”!
Justina:
Hmmmmm….
Pak me përpara unë jo pa qellim thashë: do te donja te gjenja një shteg e te rrëshqisja nga rreziku jetën dhe karrierën time (kurrë nuk e harroj një fjale te burrit tim, që e njoha pas dënimit, e që në shtëpi nuk më mbyllej goja të flisnja mbarë e mbrapsht kundër sistemit, me mire me thëne donja te shfrenja mllefin ne errësirë. Burri më dëgjonte me merak e thoshte: ti nuk do ta fitosh kurre të drejtën, sepse ata e dinë mirë që ti nuk i do…).
Kështu pra, kërkonja te shpëtonja në mënyre apo tjetër. Mendonja burgun, nenën, babën, motrën e vëllain, ku do t`i degdisnin. Përgjegjësia, veç mbi shpatullat e mia.
Por…
Për asnjë sekondë nuk kam menduar te shfajësohem si e paditur apo viktimë e dikujt.
Aspak!
Mpronja me shpirt artin tim, për gjithçka merrnja përsipër se ishte vula ime e pa-huazuar, nuk gënjenja për ketë. Kurrë nuk i kam kërkuar të më “falin”.
Ne se ndonjë nga ne ka kërkuar te shfajësohet (nga e keqja), ne një mënyrë apo tjetër atë kam bere edhe unë, në atë KOHE, kam kërkuar te këndoj anglisht. Lutnja Zotin që atyre t`i ketë dal nga mendja “mëkati im”.
Ndryshon problemi nëse dikush vërtete mendon ashtu, dhe do te thosha qe ashtu si kudo: ne mjekësi, drejtësi apo gjetke, gjenden jo pak njerëz me aftësi te pamjaftueshme por qe i ka përkëdhelur “fati i sistemit” e qe ne fakt aksidentalisht (fatkeqësisht) ne jemi koleget e tyre.
Më erdhi të qesh kur e thua: Ja, unë në Kukës gjeta gruan time!?!
Nga e keqja njeriu cfarë nuk gjen ! Por kjo nuk ka asnjë lidhje logjike me realitetin.
Është mjerim te ngushëllohesh kësisoj, sipas mendimit tim .
▪️▪️▪️
I dashtun Faruk,
Te falënderoj për tregimin qe me ke dërguar.
Te them te drejtën, ishte krejt i veçantë .
Ka peshe në të, tepër tërheqës.
Aty pashe kënd vështrimin tënd dhe me pëlqeu shume. Përshkrimi i vend-ndodhjes se spitalit, varrezave etj…ishte fantastik. Jo se ato i ndertove ti , por ato padyshim i zgjodhe ti.
Është shume intriguese personazhi, vajza, qe në tregim thirret Ajo, dhe sytë ndjekës pas saj. Nuk e di perse me ngacmoi aq shume si teme qe, ne radhë te pare mbaroi shpejt, dhe ne radhë te dyte se sa shume mundësi ke ta punosh e ripunosh për një zhanër me përmasa më të medha: roman, skenar, drame.
Tregimi yt premtonte te thoshte shume me shume, fantazia ime punonte pa sforco tek e lexonja.
Te me falesh në se hyra padashjen tende ne diskutim.
Te falenderoj edhe një here.
Me respekt ,
Justi
Faruk Myrtaj: (Bisedë midis)
E dashur Justinë
Të falënderoj shumë për fjalët e bukra për tregimin Bermuda: Aty me gjasa është (edhe) Selenica ime! Diçka reale prej saj ka, por trekëndëshi është Bermuda ku Ne, Unë Ti, Të Tjerët, shkuam dhe shkojmë pa e ditur: a s’ishte një Bermude edhe Plenumi i 11? Po i 111-ti?!) Anijet e barkat duket sikur vozisin për qejf të tyre, kur…befasisht gjenden të përpira nga etja e rrotullave të nënujshme fatale…

SKENA ME SHPETONTE NGA ANDRALLAT…
Më merrte kohën që ia falja me gjithë shpirt
“Oh, mend`t e kresë jan` kah m`lanë…
Justina vazhdon:
Nuk kam patur objektiv të qëllimtë në vetvete.
Domethënë s’kisha një “plan me pika” për t`i realizuar ngadalë-ngadalë, me durim, me strategji.
Por, assesi, kurrë, kurrë nuk ka qenë rastësi. Nuk kane qenë as njëra dhe as tjetra.
Nuk e harroj kurrë një thënie të të madhit poet Lasgush Poradeci: “Artisti (i vërtetë) nuk ecën mbi tokë, sepse ka lindur me të tilla aftësi që të gjithë e dëgjojnë, e duan, e adhurojnë dhe e ndjekin hap pas hapi gjatë gjithë veprimtarisë së tij.”
Në je lindur artist i vërtetë, që për Atë le çdo punë e shkon apostafat për ta parë në skenë, apo në ekspozitat e tij, e kuptueshme që ai s’është si të gjithë dhe as duhet trajtuar si i tille, sepse e dëmton dhe respektivisht e zhduk atë vlere.
E kam fjalën, asgjë nuk ishte e rastësishme për perspektivat e karrierës time dhe të kolegeve te mi. Talenti të dikton vetëm rrugën drejt perfeksionit. Nuk ka kthim mbrapa (me të mirat dhe të këqijat e asaj për çfarë je lodhur), gjendje pune edhe kur je duke ngrënë.
Preokupacioni numër një: mospërsëritja e vetvetes në skenë.
E kam dashur dhe e dua skenën. Marrëzisht e dua. E gjithë qenia ime ishte në kërkim, në zbulim të një interpretimi origjinal të artit tim. Jam kërkuese e jashtëzakonshme ndaj vetvetes. Pothuajse gjithmonë e pakënaqur me vetveten.
Me gjumin nuk kam patur raporte të drejta (për të qeshur), sepse koha më prodhimtare në artin tim paskësh qëlluar të ndodhte gjate natës (pa qeshur).
Gjithçka që më trazonte për rolin gjate ditës, e lodhesha që ta gjeja e ta kapja (siç e themi në gjuhën tonë), kthehesha e lumturuar në shtëpi, me shpresën që nata (në një farë mënyre qetësia) do të më ndihmojë të gjej diçka të bukur, diçka të re për provat e së nesërmes.
E ç’hyn politika këtu?!
Nuk e kam preferuar politiken dhe nuk jam marre kurrë me të. Normalisht edhe ajo nuk duhej të merrej me mua. Talenti, arti jeton pavarësisht nga politika e rrathët e ferrit të saj. Më dhemb, por nuk e qaj atë kohe, për të vetmen logjikë: asgjë nuk varej nga ne.
Përzgjedhje e mbrapshtë, rrugë e gabuar që e përshkuam të gjithë dhe vetëm kaq! Fatet u përplasen kështu për brezin tone, siç e quajmë: brezi i humbur!
Dy nga shume kujtime të hidhura të miat:
Një nate do të recitoja poezi të autorëve të huaj. Spektakli ishte gërshetuar edhe me muzikë. Tek po hyja për tu përgatitur për shfaqjen, përshëndetja artistët nëpër korridore. Një aktore duke ma kthyer përshëndetjen, me pyeti me një fryme: Justina do këndosh? Ndërsa një këngëtare më pyeti: Justina do recitosh? Këngëtares i qeshën sytë pasi u qetësua që atë nate “vetëm” do të recitoja…
Dikur, një sekretar partie me ka dhënë mundësinë “të zgjedh” teatrin apo këngën.
Tekstualisht më është drejtuar kështu:
Ti Justina, veri gishtin kokës e mendo çfarë do bësh, do te këndosh apo do luash në teatër? Që të dyja nuk duhet t`i bësh. A do t`i lejosh të gjithë të ngrohen nën këtë diell, apo e do të gjithë për vete?
(Me atë gishtin tregues që i vinte pikën “fajeve te mia”) Jam larguar nga zyra e tij e doja të merrja arratinë, të klithja dikund ku të më dëgjonte vetëm Zoti…
Komunizmi është një sistem absurd. E megjithatë, edhe pse e di se është i tillë, të bën te çmendesh. Shpesh e kujtoj këtë thënie të Majakovskit.
Unë u konfrontova me ekuacionin me të panjohura. Shihja karikatura pas karikaturash. Një absurditet ia linte radhën një tjetri.
Shpesh herë paaftësia ulej këmbëkryq mu në mes të publikut. Shpesh me vete thoja: sistemi ynë që po gërryen Jetët tona është unik. Nuk mund të ketë një të dyte si ky i yni. Ne i ngjasim vetëm vetvetes.
Atë dite që do të vinte Enver Hoxha në Teatrin “Migjeni”, mua më njoftuan të mos shkoja në punë. As që më bëri përshtypje. E lumturuar që nuk gjendesha në rrathët e tmerrshëm të ferrit ku ndodhej miku im Sherif Merdani. Sherifi do të ngelet për mua personifikimi i besës, i ndershmërisë, i te bukurit shpirt.
▪️▪️▪️
Kurrë nuk e harroj, një mbasdite tjetër. Po punoja në teatrin “Migjeni”. Më vijnë në dhomën time dhe më lajmërojnë që dikush me kërkonte. Dola. Nuk njoha askënd. Një djalë mu afrua.
– Ndonjë simpatizant… -, thashë me vete, disi pa qejf, sepse ndërkaq isha futur në botën e rolit. (Është krejt e natyrshme të ndodhë ngandonjëherë kështu.) Numëroja deri ne 10, ndryshoja gjendjen time reale, bëhem “e mirë, e sjellshme” dhe i jap radhën që të flasë.
“Kam ardhur vetëm që ti të shikosh këtë orë”! – më thotë ai.
Më tregon një orë të madhe që kish vënë në dore.
Thashë me vete: ndonjë i çmendur! E bëra veten sikur asgjë nuk shkonte dhe i thashë: “Shume e bukur, e gëzofsh!”. (Me vete mendonja si do ti rrëshqas ëmbël e ëmbël këtij te çmenduri).
Pasi ai hedh një vështrim rreth e qark, më vështron drejt ne sy e me zë të ulët më pyet:
“A e njeh ketë orë?”
Nuk fola (i çmenduri po më bezdis). E pyes: “A është kineze a?”
Imagjino, Faruk, kur pak më përpara i thashë “e bukur”, ha ha ha, (nuk më pëlqejnë orët kineze).
“Kjo asht ora e Sherif Merdanit. Unë jam djali i xhaxhait të Sherifit…”, më tha djaloshi.
U dridha, nuk e besova (se pari, në kokën time: provokimi, kurthi, ligësia e sistemit, terror në shpirt.)
Ç’të bëja? Numëroj deri në 10 dhe duke e vështruar drejt në sy, i them:
“Si është Sherifi?”
Me përgjigjet: “Si të jetë…?”
“Oh, e di…”, i përgjigjem, “n.q.se do të kesh mundësi ta takosh bëji të falat e mia, të lutem.”
E preka orën e Sherifit.
“Mos ki frikë, më tha me një buzëqeshje të hiiiiiiiiidhur, se nuk jam i futur. Merdanët nuk tradhtojnë kurrë!”
Dhe iku, u tret, si të mos kishte qenë kurrë aty. Jo vetëm që atë dite nuk munda të punoj, por ditë me radhë më shfaqej miku im, e unë sikur e ndiqja me sy nëpër rrathët që përshkonte Ai.
Ja edhe një tjetër dhimbje në kujtesën time:
Një natë pas shfaqjes, po shkoja në shtëpi. Tek Turizmi më ndalon një grua e gjatë. E njoha Resmie Kryeziu. Gruaja e regjisorit të famshëm kosovar Ekrem Kryeziu.
Vite përpara më kishte filmuar me këngët e mia kudo neper Shqipëri. Që atëherë asnjë lajm. Siç e dimë: u zhduk edhe Kosova, edhe Kosovaret, armiqtë tanë. Kurrë nuk e harroj në lajmet e RTSH: “Vëllezërit kineze dhe miqtë kosovare”, (ha,ha,ha).
Nejse, e takoj Resmien dhe në mënyrë të rrufeshme e ndjej se sigurimi na kishte rrethuar dhe me sy e vesh po bënte punën e vet. Sigurisht, isha mbi gjemba, flisja me Resmien me një buzëqeshje të lenë përgjysmë.
I kërkova falje qe nuk mund ta ftoja ne shtëpi se kisha një “urgjence jashtë qytetit”. Turp më vjen edhe sot…
Direkt, mbasi u ndava nga Resmia, kam shkuar në Degën e Punëve të Brendshme, që t’i “njoftoja” për takimin.
E pabesueshme të them që në momentin që po hyja tek Dega, erdhi një xhips, kur ç`të shoh?
Nga xhipsi zbriti një nga ato fytyrat që po rrinte krejt si “rastësisht” ndërkohë që kisha takuar Resmien.
E pashë me bisht të syrit dhe ktheva kokën në anën tjetër pa i rënë në sy, sepse aq më shumë nuk do të kishte vlerë “sinqeriteti” im.
“Në rregull Justina, shko…”, më thaaaaaaaaaaaaanë.
Ah, ju të paudhë, ju të pafé, që e shpërbëtë kaq mjeshtërisht në famëkeqësi këtë Komb!
U bëra mjeshtre në dredhi, që është aq e huaj për mua: “takimin” me orën e Sherifit e quajta “të pavlerë” t`ua njoftoja, ndërsa takimin me “kosovarët” e quajta me “shumë vlerë” (ha, ha, ha) …
“Merdanët nuk tradhtojnë”!
Ai ka qenë vërtet djali i xhaxhait të Sherifit, sepse, në të gjitha “dhëniet llogari” të miat, kurrë nuk ma kanë përmendur orën e Sherifit.
Ndonëse sot, mbase ndokujt i vjen për të qeshur tek lexon këto rreshta (edhe mua që i shkruaj hera-herës), por askujt nuk ia dëshiroj, apo as edhe një majmuni nuk do t`i thoja: “shko mbrapa, tek ajo kohë, dhe jetoje, po munde…!”
Në këso limitesh, unë isha e forcuar te mbijetoja…
Nuk bëhej fjale për një Art të vërtetë. E vërteta e Artit tonë ishte plumb, por jo plumb për armikun (ha, ha, ha). E kish marre ferra Uratën.
E vetmja gjë që më shpëtoi ishte kënga Popullore, por edhe aty më gjetën “kleçka”.
Jep llogari – më thanë në mbledhje – përse i ngre të dyja duart mbi kokë, e nuk ngre vetëm njerën?
Krejt si një fëmijë i pyeta: Po përse?
E mu përgjigjën: sepse kur i ngre të dyja duart, nënkuptimi është sikur “Mbaruam”!
Në momentin që ngrija dy duart lart thoja tekstualisht këto fjalë:
“Oh, mend`t e kresë jan` kah m`lanë…” (po çmendem nga dashuria për ty).
Ç’t’i thoja? Ç’të thuash?
“Po unë po i këndoj dashurisë së dy të rinjve…”, iu përgjigja si me qenë një fëmijë.
“Ti thua kështu, por çfarë mendojnë spektatorët se…! Justina Aliaj, duke kënduar shfaq ide politike që janë të ndaluara për shoqërinë tonë. Ti ke helm në atë interpretim!”
Merru vesh me ta, po munde…
Pas asaj dite më lejuan të interpretoj vetëm me një dorë… Fare mirë do të kisha mundur të gjeja një punë dosido dhe të mos ia shihja fytyrën shëmtimit.
Shpesh kujtoj një “incident” që në fillimet e mia artistike.
Kisha fituar të drejtën e studimit në Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe ma ndërruan “gabimisht”, duke më thëne që e drejta jote e studimit është si teknike nafte në Qytetin Stalin.
Çudi e madhe… hera herës mos me i besue as unë vetë, se si vallë i kam filluar mundimet aq e vogël dhe pafund… si në përralla…
E kisha fjalën… tek… profesioni tjetër… po, por… si do ia ktheja shpinën Artit, Jetës, pasionit tim të pakufi për sekenën? Dashuria pa kushte ishte ajo që diktonte vetëm sakrifica për mua.
Vetëm një bindje ekzistonte në qenien time: Do të qëndroj pranë Artit tim, do të duroj e perballoj gjithçka. Vetëm jashtë skenës mos të më nxjerrin, se do të vdes.
Dite e natë i lutesha… Zotit! Sa herë i kam puthur perdet (apo kuintat) e Teatrit “Migjeni”, pa më shikuar njeri.
Lidhjet e mia me ATË SKENË ishin në kufijtë e Shenjtërisë. Dëshiroja që askush të m’i dinte. Ishin të miat dhe ishin të sajat e të askujt tjetër!
Por, shpesh herë, pasioni im i çmendur për skenën diktohej, sepse punoja shumë, jashtëzakonisht shumë, kurrë nuk lodhesha…
Në një nga vitet e punës në teatrin “Migjeni” (siç mbajnë evidencat për çdo aktor), kam dhëne deri edhe më shumë se 500 shfaqje brenda një viti…!
Si? Fare thjeshtë.
Zakonisht, herët nga mbasditja shkonim në fshat (plani për shfaqjet e fshatit). Mbasi kthehesha nga fshati me Teatrin, këndoja në shfaqjen e Estradës, që sigurisht e gjeja të filluar, por shpejt e shpejt bëhesha gati për numrin tim.
Gjatë përgatitjes time me rolin e Norës, tek drama e Andrea Skanjetit “Nora e Kelmendit”, (ka qenë një nga shfaqjet më të bukura të teatrit “Migjeni”), arriti të mos kishte bileta në sportel. Të gjitha shfaqjet u dhanë me autorizim. Ndonëse u dhanë pak shfaqje për një shkak timin.
Ky është destinimi, shumë më shumë mundim e lodhje, se satisfaksion…
Por, i bukur, i pazëvendësueshëm Arti. Kurrë nuk është zbehur, për asnjë sekondë kjo Dashuri, deri sa të marrë fryme…
Jam munduar me çdo mënyrë të shkëputem me atë se ç’ndodh rreth meje…
Skena më shpëtonte nga andrallat, më merrte kohën që ia falja me gjithë shpirt asaj, se Madhes Skenë! Në minutin që dilja nga skena, vendin do ta zinin intrigat, xhelozitë, paaftësitë, përgjimet…
Shkurt, më mirë të merrje vrapin (apo biçikletën time që më pëlqente ta ngisja pa duar, sidomos në dimër edhe nga të ftohtit), e ta ndalje vrapin vetëm tek shtëpia! Kohe të çmendura, kohe pa emër…
Kështu si unë, e mos me keq, pothuajse i gjithë Kombi.
Toronto, 8 korrik -24 qershor, 2004
© Faruk Myrtaj
Facebook Comments