Përpjekja Shqiptare
Edukim Shqipëria Natyrale

Si bëhej çkombëtarizimi i shqiptarëve në Kosovë

Nga Hamit KOKALARI

◾◾◾

Edhe pse më 1912 Shqipërisë ia marrin edhe Janinën, Manastirin dhe Shkupin, pas 1913-tës veçsa fillojnë vuajtjet e mëdha të shqiptarëve. Nuk kursehej asnjë formë e zhdukjes së kësaj etnie më të vjetër në Ballkan, qoftë duke i vrarë, masakruar dhe përndjekur nga vendet e tyre. Për vrazhdësinë e ardhacakëve serbë mbi ta dëshmojnë raportet ndërkombëtare për etnitetet, si ai “Enquête fans les Balkans” Paris 1914, vepra e Leo Freudlich: “Albanians Golgotha”, Wien 1913, të Edith Durham: “The Struggle of Scutari” e tjerë.

Një mënyrë tjetër e shtypjes dhe ndërrimit të strukturës etnike shqiptare, manifestohet me të ashtuquajturën reformën agrare, kur u merret toka e punës shqiptarëve dhe ju jepet ardhacakëve (‘naselenikëve’) serbë e malazias, përgatitur me një program të studiuar mirë. Kështu shqiptari varfërohej edhe më dhe e ndjente vetën të pasigurt për shkaqe ekonomike dhe politike.

Mënyrë tjetër e çkombëtarizimit ishte shpërngulja për në Turqi. Mu për këtë u bë një marrëveshje jugosllavo-turke, të cilën e shënon edhe gazeta turke “Tan” nr. 1150, Istanbul, e datës 12.VII.1928, në artikullin “Nga Jugosllavia do të vijnë 250.000 emigrantë”, ku ndër të tjera shkruhet: “Bisedimet që vazhduan qysh prej një muaji midis Qeverisë sonë dhe Jugosllavisë për marrjen në atdhe të bashkëkombësve tonë (!!!) të ndodhur në Jugosllavi, u përfunduan në një mënyrë të kënaqshme për të dy qeveritë dhe delegatët jugosllavë, Milan A Ristiç dhe Voislof, dje mbrëmë u kthyen me ekspres në atdheun e tyre.”

Pra, ata njëherë i ngatërronin me përkatësinë kombëtare me deklarimin ‘vullnetar’ se janë turq, e pastaj i rekrutonin për në shkretëtirat e Anadollit, duke i zëvendësuar pronat e tyre me etni sllave.

Hamit Kokalari, me një punë përkushtuese për Kosovën dhe fatin e saj (ai me Kosovë emërton të gjitha trojet shqiptare nën Jugosllavi), pas shpjegimeve dhe argumenteve, sqaron edhe me harta çështjen e shtrirjes së kolonizimit sllavë, dhe atë të marrë nga burimet e Beligradit, siç është harta “Pregledna karta kolonizacije Južne Srbije” e viti 1827. Kolonizimi ishte i domosdoshëm për ta, pasi që asimilimi i tyre nga serbët ishte i pamundur, megjithë metodat e ndryshme të manifestuara me vite. Me kolonizim ato siguronin qetësinë e tyre prej ndonjë kundërshtie etnike. Madje, në këto troje etnike shqiptare kishin dërguar grupe “sidomos prej çetnikësh, kryetar çetash e shokësh të tyre, të cilëve u dorëzoheshin tokat e Shqiptarëvet.” Mu për këtë Kokalari jep fillimisht shifra globale për numrin e të ardhurve dhe pastaj ato i detajon me shtrirjen numerike nëpër lokalitete të veçanta.

Vetëm në Shkup, sipas statistikave agrare të vitit 1928, janë marrë 225.397 hektarë toka për kolonistët. Po ashtu ishte vepruar edhe në viset e tjera shqiptare. Ndërsa sipas radhorit të vendosjes së serbo-malazezve e hercegovasve këtu, janë përmendur Vitomirica (Pejë), Lug Bunari (Jakovë), Cakanovac (Preshevë), Sërbica, Krikovo, Stankovc (Drenicë), Tsabanovce (Kumanovë), Rrzhanicani, Dushanovac, Hasanbeg etj. (Shkup), Ropotovë, Berveniçë (Tetovë), Rebac, Xhermijan, Kragujevac (Manastir), Gjinovci, Shiroka (Sufrekë), e vise të tjera.

Autorët serbë krekosën me suksesin e arrirë, qoftë duke populluar etnikisht një truall të huja, qoftë edhe duke pas përfitime materiale, ngase ata kishin marrë tokat më të mira të Kosovës. Ja se si shprehet njëri nga ata: “Atje është toka shumë e mirë, e veçanërisht gjatë lumit Sitnica, e sidomos në Nënprefekturën e Vuçiternit. Gjendja klimatike e mirë. Ujët e mirë e të bollshëm.” Ata bënin bilancin dhe kënaqeshin kur kishin arrirë që të ndërrojnë fillimisht strukturën etnike, siç ndodhë kur “në Nënprefekturën e Labit ku më 1913 nuk ka pas asnjë shtëpi serbi, kolonizimi jonë… e ka ndërruar pamjen etnike.”, ose në rastin tjetër kur “pasojat direkte dhe indirekte të kolonizimit t’onë është zhvillimi i Shkupit””, ndërsa që “Presheva dikur qytet thjeshtë turk (!!!), sot ka gjysmën e shtëpive serbe. Kumanova diçka me kolonizim e diçka me blerje pasurish,…”
Për këtë gjendje të krijuar, nuk shënohen vetëm në statistikat dhe librat vendorë, por edhe nga të huajt. Po e zëmë, për kolonizimin, shkruan një vepër të tërë “La Macédonie” (Paris 1930) edhe francezi Jacques Ancel.

Me gjithë këto përpjekje të natyrës administrativo-shtetërore, rezistenca shqiptare ishte e pandërprerë. Këtë sakrificë dhe shpirtin e pamposhtur luftarak shqiptar, e pranojnë edhe vetë serbët, në shkrimet e tyre. Njëri nga ato thotë:”Baras me kolonizimin e Metohis, po zhvillohet edhe kolonizimi i Drenicës.(…) Në kohën kolonizimit tonë në Drenicë ka sunduar një forcë edhe pasiguria e madhe. Ka qenë një kohë kur nuk ekzistonte fare autoriteti shtetëror. Kaçaku i përmendur Azem Bejta ka qenë sunduesi i vërtetë i Drenicës.(…) Vetëm pas vrasjes së Azem Bejtës më 1924, kur ka intervenuar edhe ushtria me top, ka filluar një kohë e re për kolonizimin dhe për jetën e emigrantëve.”

Nga libri i Hamit Kokalarit “Kosova djepi i shqiptarizmit”, 1943.

Facebook Comments

Related posts

Serbia i ka shkaktuar Kosovës mbi 22 miliardë euro dëme në luftë

Eagle

Kontributi ynë në krishterim është tepër i madh

Eagle

Hapet në Prishtinë piceria e famshme botërore “Famous Famiglia Pizza”, biznes i familjes shqiptare Kolaj

Eagle

Leave a Comment

4 × one =