Përpjekja Shqiptare
Opinion

Shqipëria në kaos dhe anarki. Pa zgjedhje të lira, të drejta, të barabarta dhe me standard nuk ka zhvillim

Nga Enriko CEKA

◾◾◾

Fjala ime (e plotë) në takimin e datës 6 shtator 2021 të partive politike dhe shoqatave atdhetare, Hotel Rogner, Tiranë.
Në takim, për arsye kohe, u fokusova vetëm te Kodi Zgjedhor. Kjo është fjala e plotë e përgatitur për këtë takim.
Ky shtator vjen me një ngarkesë të lartë konfliktuale, rezultat i spirales së kaosit dhe anarkisë që ka pllakosur vendin. Kjo ngarkesë e lartë konfliktuale duket qartë në jetën politike, ekonomike, sociale, ligjore, mjedisore, arsimore, kulturore, sportive në Shqipëri.
Në Shqipëri është mjaft i dukshëm konflikti politik midis qytetarëve që kërkojnë qeverisje bashkëkohore dhe përmirësim të dukshëm të cilësisë së jetës dhe politikanëve e qeveritarëve arrogantë dhe mëndjemëdhenj, që jetojnë në luks të shfrenuar.
Në Shqipëri është mjaft i dukshëm konflikti ekonomik midis pritshmërisë së qytetarëve për një sistem të ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së lirë e të drejtë, për të cilat luftuam dhe përmbysëm regjimin e kaluar në fillim të viteve 1990, dhe sistemit ekonomik që është instaluar aktualisht në Shqipëri, që në fakt duket se përbën një sistem ekonomik të cilin nuk e dimë se ç’farë sistemi është, por që dimë se është një sistem që nuk garanton rritje ekonomike dhe zhvillim të qendrueshëm, nuk garanton konkurrencë të lirë dhe të drejtë dhe prodhim, shpërndarje dhe rishpërndarje të drejtë të pasurisë, mirëqenies dhe pronës.
Në Shqipëri është mjaft i dukshëm konflikti social midis shtresave të shoqërisë shqiptare, një konflikt që tashmë nxitet edhe nga diferenca shumë e madhe midis atyre që janë shumë, shumë të varfër dhe atyre që janë shumë, shumë të pasur, dhe, që vjen kryesisht nga akumulimi i pandalshëm i pasurisë dhe mirëqenies te një numër shumë i vogël i qytetarëve të këtij vendi, konflikt që zgjerohet nëse përfshijmë këtu edhe çështjet e pronarëve legjitimë dhe të të persekutuarve politikë dhe ekonomikë, çështje të cilat ende nuk kanë gjetur ende zgjidhje, gjë që ndikon në konfliktet politike dhe ekonomie theksuar më lart.
Në Shqipëri është mjaft i dukshëm konflikti ligjor, midis dëshirës së pjesës më të madhe të qytetarëve të vendit që kërkojnë legjislacion modern dhe respektim të tij dhe atyre që kanë instaluar në Shqipëri qëllimisht një legjislacion të mangët dhe kulturën e mosrespektimit të ligjeve në tërësi dhe në specifikat e tyre.
Në Shqipëri është mjaft i dukshëm konflikti mjedisor, midis qytetarëve që aspirojnë për një mjedis të përshtatshëm për një jetesë në përmirësim dhe atyre që shkatërrojnë mjedisin me politikat jo të përshtatshme në lidhje me të.
Në Shqipëri është mjaft i dukshëm konflikti arsimor, kulturor dhe sportive, midis dëshirës së qytetarëve për zhvillimin e sektorit të arsimit, kulturës dhe sportit dhe atyre që kanë shkatërruar dhe po shkatërrojnë këta sektorë dhe që kanë dëmtuar rëndë të tëra vlerat e krijuara me shumë mundime dhe vështirësi nga populli ynë ndër shekuj në fushën e arsimit, kulturës dhe sportit.
Këto konflikte duhet që të zgjidhen sa më parë, por këto konflikte nuk mund t’i eliminojnë ata që i krijuan dhe nga ana tjetër, ata që i kanë krijuar këto konflikte janë ende në pushtet dhe kjo historikisht me anë të mekanizimit të manipulimit të zgjedhjeve në bashkëpunim me ndërkombëtarët, që, duke çertifikuar në vazhdimësi zgjedhjet jo të lira, jo të drejta, jo të barabarta dhe jo me standard, që janë zhvilluar historikisht në Shqipëri këto 30 vitet e fundit, e kanë gjetur më të lehtë që të mbyllin njërin apo të dy sytë përballë shkatërrimit të Shqipërisë, se sa të kërkojnë dhe të ushtrojnë presion mbi klasën politike shqiptare për zgjedhje të lira, të drejta, të barabarta dhe me standard.
Nëse e keni lexuar me vëmendje deri tani këtë shkrim, nuk e kam shkruar togfjalëshin “zgjedhje të ndershme”, sepse “zgjedhje të ndershme” nuk ka patur, nuk ka dhe nuk do ketë kurrë, kurrë, kurrë, në asnjë vend të botës, pasi ata që janë në pushtet asnjëherë nuk e kanë lëshuar kurrë karrigen për shkak të ndershmërisë dhe me dëshirë, por për shkak të ligjit elektoral, Kodit Zgjedhor, për shkak të forcës fizike dhe paraushtarake e ushtarake të palës tjetër dhe për shkak të funksionimit real dhe normal të pushtetit gjyqësor.
Kodi Zgjedhor është një ndër dokumentet më të rëndësishme ligjore, që qendron midis Kushtetutës dhe sistemit politiko-ligjor të një vendi. Kodi Zgjedhor është një ligj që ndan të mirën nga e keqja, të drejtën nga e padrejta. Një Kod i mirë zgjedhor përcakton qartë 10 çështje, që renditen më poshtë:
1. Cilët individë janë të thirrur (të lejuar) të votojnë dhe të votohen dhe procedurat nën të cilat këta persona duhet të regjistrohen për të votuar dhe për t’u votuar, apo të prezantojnë identifikimin e tyre në mënyrë që të votojnë dhe të votohen. Kodi zgjedhor aktual nuk e ka zgjidhur drejt këtë.
2. Cilët janë personat që mund dhe duhet të kandidojnë për të qenë drejtues të zyrave të shtetit e të pushtetit lokal, duke përfshirë këtu edhe moshën, rezidencën, kërkesat e shtetësisë e nënshtetësisë si dhe procedurat nën të cilat kandidatët duhet të shfaqen gjatë procesit zgjedhor si dhe rregullat që qeverisin kandidimin. Kodi zgjedhor aktual nuk e ka zgjidhur drejt këtë.
3. Kuadrin nën të cilin partitë politike organizojnë zgjedhjet e tyre të brendëshme dhe përcakton edhe mënyrat e mjetet se si partitë politike i përzgjedhin kandidatët e tyre për procesin zgjedhor. Kodi zgjedhor aktual nuk e ka zgjidhur drejt këtë.
4. Rregulat për financimin e zgjedhjeve, dhënien e kontributeve, kufizimet për këto financime, rregullat për financimin publik të zgjedhjeve, garantimin e fshehtësisë së kontribuesve që ligji lejon, rregullat që qeverisin ndërhyrjen e grupeve të interesit, që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejta me kandidatët që marrin pjesë në fushatë dhe që e organizojnë atë. Kodi zgjedhor aktual nuk e ka zgjidhur drejt këtë.
5. Rregullat dhe kërkesat për krijimin e zonave që zgjedhin përfaqësuesit në parlament. Kodi zgjedhor aktual nuk e ka zgjidhur drejt këtë.
6. Kufizime shumë të ashpra për advokacinë e fushatave elektorale, reklamat false dhe reklamat anonime. Kodi zgjedhor aktual nuk e ka zgjidhur drejt këtë.
7. Mënyrën dhe mjetet se si numërohen votat përgjatë procesit dhe se si informacioni i procesit të votimit paraqitet tek votuesit. Kodi zgjedhor aktual nuk e ka zgjidhur drejt këtë.
8. Mënyrën dhe mjetet se si llogariten votat në proces, si rillogariten ato dhe nëse mund të bëhen apo jo ndryshime në proces edhe në numërimin edhe në llogaritjen e votave. Kodi zgjedhor aktual nuk e ka zgjidhur drejt këtë.
9. Mënyrën si dhe kur votuesit dhe kandidatët mund të bëjnë ankimime ligjore për të kërkuar të drejtat e tyre apo për të kundërshtuar rezultatet e procesit zgjedhor dhe kjo bëhet duke përkufizuar saktë dhe qartë atë se ç’farë përbën vjedhje elektorale dhe krime të tjera kundër sistemit elektoral. Kodi zgjedhor aktual nuk e ka zgjidhur drejt këtë.
10. Burimet e Kodit Zgjedhor, që sipas praktikës më të mirë botërore dhe modeleve moderne janë: kushtetuta, vendimet gjyqësore të mëparshme dhe ndërthurja e këtyre burimeve ligjore. Kodi zgjedhor aktual nuk e ka zgjidhur drejt këtë.

Sa më lart do ndalem në dy aspekte shumë të rëndësishme të procesit elektoral, votimi elektronik dhe numërimi elektronik, si dy çështje shumë të rëndësishme jo thjesht teknike, por aspekte katërcipërisht politike, që bëjnë diferencën midis zgjedhjeve të manipulueshme dhe zgjedhjeve të lira, të drejta, të barabarta dhe me standard.
Së pari. Duhet të bëjmë dallimin midis votimit elektronik dhe numërimit elektronik si dy procese të ndryshme, pjesë e një sistemi zgjedhor.
Votimi elektronik ka të bëjë me procesin e votimit, që nëse e lejon teknologjia, mund të realizohet nga cilido vend ku është votuesi, me anë të aparatit celular, kompiuterit apo laptopit, por edhe në qendrën e votimit, ku votuesi ka të drejtë të zgjedhë, të votojë me shkrim në fletën e votimit, apo të votojë në mënyrë elektronike po në qendrën e votimit. Kuptohet që ky sistem kërkon instalim të teknologjisë dhe mbikqyrje të paanshme të procesit të votimit, duke mos lejuar ndërhyrje në sistem që mund të shtrembërojnë rezultatin pjesor apo përfundimtar përgjatë procesit të votimit. Rezultatin pjesor lidhet me një kandidat apo zonë të caktuar, ndërsa rezultati përfundimtar lidhet me shpalljen e fituesit në rang kombëtar. Votimi elektronik lejon që të votojnë edhe emigrantët, kudo që ndodhen, dhe mesa duket është pikërisht kjo gjë që i shqetëson pozitën aktuale dhe pseudopozitën që po përgatitet të hyjë në Parlament, pasi në mungesë të votimit elektronik shmangen që të votojnë rreth 1.7 milionë shqiotarë që janë në emigracion. Dihet tashmë se vota e emigrantëve nuk mund të shkojë për ata që i detyruan emigrantët të lenë atdheun, familjen dhe prindërit, për një jetë më të mirë larg atdheut, kështu që kryesisht PS dhe PD e dinë se emigrantët nuk votojnë për ta.
Numërimi elektronik ka të bëjë me numërimin e votave pas përfundimit të procesit të votimit. Për këtë ështrë e nevojshme një teknologji e cila bën të mundur që procesi i numërimit të votave të përfundojë në një kohë sa më të shkurtër, pa ndërhyrje të njeriut në proces, duke mos lejuar manipulimin e rezultatit të votimit përgjatë procesit të numërimit të votave, që për shkak të kohëzgjatjes me justifikimin se numërimi bëhet me dorë me komision, lejon edhe deformimin e rezultatit me anë të dëmtimit të fletëve të vlefshme të votimit me qëllim nga anëtarët e komisionit dhe duke futur në kuti më shumë fletë votimi se sa votues, duke deformuar kështu edhe me këtë mënyrë rezultatin e votimit.
Së dyti, ka ardhur koha që qytetarët e këtij vendi të dinë disa gjëra të rëndësishme në lidhje me votimin elektronik dhe numërimin elektronik të votave.
Personalisht në periudhën 2000 – 2005 i kam ofruar qeverisë shqiptare një sistem të plotë sigurie të dokumentave dhe mjeteve e pajisjeve të nevojshme dhe të domosdoshme për zgjedhje të lira, të drejta, të barabarta dhe me standard.
Në këtë periudhë, duke qenë me detyrën Oficer Tregtar i Zyrës Tregtare të Ambasadës Britanike në Tiranë, kam bërë përpjekjet maksimale që qytetarët e Shqipërisë të kishin pasaporta të standardeve ndërkombëtare të prodhuara në Britaninë e Madhe. Qeveria shqiptare nuk e ka pranuar këtë ofertë dhe nëse e mbani mend kjo u bë pjesë edhe e një skandali të madh ndërkombëtar, të ashtuquajturin “Tenderin e pasaportave”, ku u vu në rrezik edhe siguria kombëtare, gjë për të cilën mbajnë përgjegjësi ata që qeverisnin në atë kohë vendin dhe shqiptarët.
Në këtë periudhë kam bërë përpjekje maksimale që qytetarët e Shqipërisë të kishin karta identiteti të standardeve ndërkombëtare të prodhuara në Britaninë e Madhe. Qeveria shqiptare nuk e ka pranuar këtë ofertë.
Në këtë periudhë kam bërë përpjekje maksimale që qytetarët e Shqipërisë të votonin me fletë votimi të prodhuara sipas standardeve ndërkombëtare në Britaninë e Madhe. Qeveria shqiptare nuk e ka pranuar këtë ofertë.
Në këtë periudhë kam bërë përpjekje maksimale që qytetarët e Shqipërisë të votonin në mënyrë elektronike me standardet më të larta ndërkombëtare me teknologji të prodhuar në Britaninë e Madhe. Qeveria shqiptare nuk e ka pranuar këtë ofertë.
Në këtë periudhë kam bërë përpjekje maksimale që fletët e votimit të numëroheshin në mënyrë elektronike me teknologjinë më të mirë dhe sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, teknologji e prodhuar në Britaninë e Madhe. Qeveria shqiptare nuk e ka pranuar këtë ofertë edhe pse u bë një provë me këtë teknologji për kontrollin e provimeve të maturantëve dhe provimeve të studentëve të një fakulteti të Universitetit të Tiranës, provë e cila rezultoi me sukses 100%. Makineria për numërimin e votave mund të modifikohej për të numëruar 80.000 – 240.000 fletë votimi në orë dhe gjithashtu mund të modifikohej për numërimin e provimeve të shkollave të mesme dhe universiteteve, kontrollin dhe nxjerrjen e rezultateve për pyetësorët e INSTAT-it, etj.
Për informacionin tuaj, pjesë e paketës që ju ofrua qeverisë Shqiptare në atë kohë ishin edhe printimi i kartmonedhave të Bankës së Shqipërisë me vlerë 200, 500, 1.000, 2.000 dhe 5.000 lekë dhe e faturave të TVSH-së dhe e çeqeve bankare dhe dokumentave të tjera të kësaj natyre, nga kompania më e mirë në botë e këtyre teknologjive, kompani e cila ka prodhuar pasaportën e parë të qytetarëve të shtetit shqiptar dhe kartmonedhat e para të Bankës së Shqipërisë që përpara 100 vitesh. Qeveria shqiptare nuk e ka pranuar këtë ofertë. Gjithashtu, për këto shërbime për qytetarët e Republikës së Shqipërisë u vunë në dispozicion edhe kompani të tjera britanike, që ofruan shërbimet e tyre me çmime shumë të përshtatshme dhe të përballueshme për buxhetin e shtetit të Shqipërisë, por në fakt prokurimet publike që u zhvilluan në atë kohë për këto shërbime, ju dhanë kompanive të tjera, që ofruan shërbime më pak cilësore dhe me çmime shumë më të larta se sa ofertat e kompanive britanike.
Edhe sot, pas rreth 20 vitesh kur Qeverisë shqiptare ju bë kjo ofertë me kosto shumë të ulët, jemi në të njëjtën gjendje.
1. Qeveria shqiptare dhe pseudopozita bashkëpunëtore në krimin zgjedhor nuk pranon pasaporta dhe karta identiteti cilësore dhe të pafalsifikueshme, me kosto të ulët dhe të përballueshme nga buxheti i shtetit, që janë shumë të rëndësishme për procesin zgjedhor.
2. Qeveria shqiptare dhe pseudopozita bashkëpunëtore në krimin zgjedhor nuk pranon votim elektronik, që i lejon të tërë shqiptarëve kudo që ndodhen të votojnë të lirë, të barabartë, në mënyrë të drejtë dhe me standard.
3. Qeveria shqiptare dhe pseudopozita bashkëpunëtore në krimin zgjedhor nuk pranon numërim elektronik të votave dhe në zgjedhjet e 25 prillit, edhe pse u bë një provë në Minibashkinë 10 në Tiranë, e cila rezultoi me sukses, u bënë të tëra përpjekjet që procesi të dështonte që në fazën embrionale të provës, në mënyrë që të justifikonin synimin e tyre, për të mos kryer procesin e votimit dhe të numërimit elektronik të votave, për zgjedhjet e ardhëshme.
Për këtë, së bashku le të ndjekim rrugën e drejtë të kërkesave tona legjitime për zgjedhje të lira, të drejta, të barabarta dhe me standard, në mënyrë që me anë të procesit të votimit të bëhet e mundur që të fitojë qytetaria dhe ata që e meritojnë të drejtojnë vendin, sepse tashmë vendi drejtohet nga injoranca dhe paaftësia, nga arroganca në pushtet dhe mendjemadhësia e pseudopozitës, që po përgatitet të shkojë në Parlament, pozitë dhe pseudopozitë, që për shkak të dëshirës së pakufishme për të mbajtur me çdo kusht pushtetin, duke bërë rotacion afatgjatë, janë të gatshme të kryejë edhe krime të dënueshme rëndë nga Kodi Penal, në lidhje me integritetin e procesit zgjedhor, dhe, që, në mënyrë të drejtpërdrejtë, lidhen me sigurinë kombëtare.
Shqipëria dhe shqiptarët janë në rrezik pasi qeverisen nga një pozitë dhe pseudoopozitë që janë të gatshme të shesin interesat kombëtare për të qendruar në pozitë dhe opozitë dhe për ca dollarë më shumë, në bashkëpunim me një pjesë të faktorit ndërkombëtar, që ose është i përfshirë në këtë proces në mënyrë korruptive, ose nuk do që Shqipëria dhe shqiptarët të jenë të barabartë midis të barabartëve, në rrugën e integrimit eoropiano atlantik.
Nëse në Shqipëri nuk zhvillohen zgjedhje të lira, të drejta, të barabarta dhe me standard, konfliktet politike, ekonomike, sociale, ligjore, mjedisore, arsimore, kulturore, sportive, etj, do agravohen edhe më shumë, gjë që do e çojë vendin në një spirale edhe më të vështirë kaosi dhe anarkie, pas së cilës vendi duket se do shkojë në një një luftë tjetër civile, të pashmangshme, që vjen si rezultat i arrogancës së pozitës dhe mendjemadhësisë së pseudopozitës, që tashmë hyn në Parlament, të cilat kontrollojnë së bashku pushtetin legjislativ, gjyqësor, ekzekutiv dhe mediatik, dhe, për kjo i ka ndihmuar dhe po i ndihmon ata që mbajnë në vazhdimësi nën kontroll pushtetin politik dhe ekonomik në vend.
Duket se vendi është mbarsur totalisht me këtë ngarkesë të lartë konfliktuale, që vjen për shkak të atyre që kanë qeverisur dhe vazhdojnë të qeverisin Shqipërinë dhe shqiptarët për këto 75 vitet e fundit, edhe pse kabineti aktual qeveritar ka një fasadë femërore, por që drejtohet mashkullërisht me dilentantizëm, delirantizëm dhe delinkuentizëm.
Zgjedhje të lira, të drejta të barabarta dhe me standard mund të organizojë vetëm një qeveri tranzitore, e drejtuar nga akademikë, të pakompromentueshëm dhe që nuk kontrollohen nga politika.

Facebook Comments

Related posts

Nuk ka zgjedhje për mua pa opozitën

Eagle

Italia është dashuri

Eagle

E kemi parti-zuar, klan-uar e degraduar potencialin e shqiptarëve

Eagle

Leave a Comment

20 + nineteen =