Përpjekja Shqiptare
Shqipëria Natyrale Sociale

Shën Nëna Tereze, histori, porosi dhe trashëgimi

Nga Don Lush GJERGJI

◾◾◾

Gonxhe Bojaxhiu u lind në Shkup më 26 gusht 1910 nga prindërit shqiptarë katolik Kolë Bojaxhiu dhe Drane lind. Bernaj – Bojaxhiu, me prejardhje nga Prizreni dhe Novosella e Gjakovës.

Shkollën fillore, katër vitet e para, i kreu pranë famullisë së “Zemrës së Krishtit”, vitet tjera dhe gjimnazin në shkolla shtetërore. Në moshën 18 – vjeçare vendoset për shërbim të plotë Zotit, Kishës, njeriut me jetën rregulltare të “Motrave të Loretos” që vepronin në Kalkutë. Atje bëri studimet universitare histori – gjeografi, dhe për pak kohë punoi i infermiere, pastaj si profesoreshë dhe drejtoreshë e shkollave të mesme në Kalkutë. Në vitin 1946 braktisi rregullin për t’iu kushtuar tërësisht “të varfërve ndër më të varfër”.

Në vitin 1950 themeloi motrat “Misionaret e Dashurisë”, pastaj “Vëllezërit Misionarët e Dashurisë” (1963), “Bashkëpunëtorët e Nënës Tereze” (1969), “Misionaret e Dashurisë – dega kontemplative” (1976) dhe “Vëllezërit e Fjalës – dega meshtarake” (1977)…

Mori gati të gjitha shpërblimet më të larta kishtare dhe shekullare, edhe atë Nobel për Paqe (1979). Mbarë bota e çmoi dhe nderoi me titullin më të lartë dhe më të ëmbël: Nëna e Dashurisë.
Si në jetë, ashtu edhe në vdekje dhe salikim, si në lumturim, ashtu edhe në shenjtërim, mblodhi dhe bashkoi mbarë botën, pa asnjë dallim dhe përjashtim.
U kthye në “Shtëpinë e Atit” apo ndërroi jetë më 5 shtator 1997. Qe lumturuar nga Papa Shën Gjon Pali II (19 tetor 2003), ndërsa shenjtëruar nga Papa Françesku më 4 shtator 2016.
Në jetën dhe veprën e Nënës Tereze kemi tri faza jetësore që mund t’i dallojmë dhe quajmë edhe me tri emërtime: Gonxhe Bojaxhiu (1910 – 1928), Motra Tereze e Loretos (1929 – 1950) dhe Nëna Tereze – Misionare e Dashurisë (1950 – 1997).
Këto tri periudha jetësore kanë tri qëndrime,orientime dhe përcaktime themelore që përputhën me tri virtytet hyjnore: FEJA, SHPRESA dhe DASHURIA.
Për Nënën Tereze feja ishte kërkim, shpresa veprim, ndërsa dashuria flijim dhe dhurim.
Ajo ka folur pak, por ka vepruar shumë, mbi të gjitha ka dëshmuar fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë, si dy shtylla të forta dhe të pathyeshme për jetë dhe për veprimtari, duke krijuar kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë.
Në këtë libër do t’i gjeni 7 intervista ekskluzive, 5 vizitat e saja në Kosovë: 1970, 1978, 1980, 1982, 1986, 5 faksime apo dorëshkrime origjinale të Nënës tonë të madhe në gjuhën shqipe, mbi të gjitha histori, porosi dhe trashëgimi shpirtërore dhe kulturore, me një fjalë Nëna jonë Tereze dhe Populli ynë Shqiptar, dikur dhe sot, në vazhdimësi dhe trashëgimi.
Fatbardhësia e këtij libri është që së shpejti do të botohet edhe në gjuhën anglishte, gjermanishte, polonishte, rumanishte, frëngjishte, kroatishte dhe sllovenishte…
Thesarin e jetës dhe veprës së Shën Nënë Terezes , së pari për ne Shqiptarë, pastaj për Kishën dhe mbarë njerëzimin, jam munduar ta shënoj dhe ofroj, kështu që edhe ata që nuk e kanë pasur fatin tim që ta njohin dhe të shoqërohen për së afërmi, disi nëpërmjet këtij botimi, të takohen, afrohen dhe bashkohen me Të, për të qenë gjithnjë e më të lirë dhe më të mirë.
Shën Nëna Tereze, lutu për dhe për botën mbarë!
Prishtinë, Ditët Përkujtimore të Nënës Tereze, 5 – vjetori i shenjtërimit.
Prishtinë, 26 gusht 2021 Don Lush GJERGJI

Facebook Comments

Related posts

Historia duhet të korrigjohet, pastaj të rishkruhet!!!

Eagle

“E çfarë se po emigrojnë të rinjtë? Elektriçistë dhe faturino janë punësuar!”

Eagle

A keni motra ju që thoni “Shuj moj, vet e ke meritu” ?

Eagle

Leave a Comment

four × 5 =