Përpjekja Shqiptare
Art

Sekretet Zyrtare – spiune, tradhtare apo aktiviste kundër luftës?

Nga Daut DAUTI

◾◾◾

Keira Knightley është aktore brilante. Karrierën e aktrimit e ka filluar që në moshën 6 vjeçare dhe deri në vitin 2001 ka luajtur në një varg serishë dhe filmash britanikë. Por, në vitin 2002, kur ajo luajti në filmin ‘Bend it like Beckham’, fama e saj mori përmasa botërore. Në filmin ‘Official Secrets’ (Sekretet Zyrtare), i gjiruar më 2019 dhe i bazuar në ngjarje të vërtetë, Keira shkëlqen më shumë se në të gjitha filmat tjerë.

Në këtë film Keira Nightley e luan rolin e Katharine Gun-it, e cila është e martuar me Jasharin, një azilkërkues kurd nga Iraku. Katharine nervozohet dhe shqetësohet gjatë mbrëmjeve kur i dëgjon lajmet dhe kur flasin politikanët britanikë dhe amerikanë. ‘Nuk është e vërtetë. Gënjeshtarë’ – thotë ajo përherë kur i dëgjon se çka thonë ata.

Katherine i di gjërat për shkak se punon në GCHQ (Government Communications Headquarters), organizatë sekrete e shtetit britanik që mbledhë informata nga sinjalet e fushës së inteligjencës. Ajo i flet disa gjuhë dhe i përgjon bisedat e diplomatëve dhe zyrtarëve të shteteve të ndryshme. Pra, ajo është analiste dhe këto informata i përpunon dhe përgatitë raporte për qeverinë britanike. Kjo është rutina e punës së saj të veçantë dhe sekrete.

Një ditë, gjatë vitit 2003, ajo has në një informatë shokuese. Shërbimi sekret amerikan (NSA) kërkon nga shërbimi sekret britanik ndihmë në mbledhjen e informatave komprimituese për disa shtete (Bullgaria, Kameruni, Qile dhe Guinea) në mënyrë që këta të kërcënohen dhe të votojnë në favor të invazionit ushtarak në Irak që përgatitej nga SHBA-të dhe Britania. Duhet të vërtetohet se regjimi i Sadam Hyseinit posedon armatim për shkatërrim masiv dhe se është përkrahës i Al Kaidës. Katherine, sikur i tërë shërbimi sekret britanik, është në dijeni se kjo nuk është e vërtetë. Por, duhet të përgatiten raporte se kjo është e vërtetë. Mbi këto baza intervenimi është joligjor dhe kjo është arsyeja që Katherine vendosë ta publikoj dokumentin që përmbanë kërkesën zyrtare të amerikanëve dërguar britanikëve.

Por, nxerrja e kësaj informate nga zyra është e ndaluar dhe vepër e tradhëtisë ose së paku vepër penale për shkak se shkilet ligji i sekreteve shtetërore të cilën gjë Katherine është betuar dhe ka nënshkruar se kjo nuk do të ndodhë dhe nëse ndodhë duhet të ballafaqohet me pasoja të rënda.

Pa marrë parasyshë pasojat, por me dëshirë se do të ndalet intervenimi që do të shkaktojë luftë, Katherine e nxjerrë informatën, të cilën ia dorëzon një mikes së saj e cila është aktiviste kundër luftës. Pastaj, kjo ia dorëzon Ivonne Ridley-it, gazetares së njohur britanike. Për shkak se edhe Ridley është aktiviste kundër luftës, nuk mund ta botoj ia dorëzon Martin Bright-it, gazetarit të ‘The Observer’.

Ky zingjirë i udhëtimit të informatës shkakton paknaqësi në gazetën Observer ku filmi fillon ta merr karakterin e shkollës së gazetarisë. Si të botohet një informatë që nuk i dihet burimi? Madje nuk dihej edhe nëse ishte e vërtetë. Tek e fundit, si ta botonte ‘Observer’ këtë informatë kur dihej që kjo gazetë kishte marrë anën e luftës dhe e kishte barazuar Sadamin me Millosheviqin dhe kjo ishte punë e kryer. Bright detyrohet ta tregoj burimin me ç’rat të gjithë gazetarët dhe redaktorët qeshin me zë. Burimi është Ivonne Ridley e cila pos që është aktiviste kundër luftës është edhe myslimane. Pra, kemi të bëjmë edhe me paragjykime religjioze, siç është rasti edhe me Katherinen, e cila e ka burrin mysliman.

Më në fund kryeredaktori vendos ta botoj tekstin por jo pa u konfirmuar edhe disa gjëra. Tashti shohim se si gazetarët e mirë kanë kontakte gjithkah. Korrespondenti në Washington pothuaj e njeh gjithkend dhe ia del të zbuloj që njeriu (Frzank Coza), i cili ua ka dërguar britanikëve kerkesën nga shërbimi sekret amerikan, ekziston. Fakti që ai nuk dëshiron të flas, mjafton. Gazetarët në Londër i kontaktojnë njerëzit që i njohin e që punojnë në shërbime sekrete dhe në qeveri. Qëllimi është që të vërtetohet vërtetësia e përmbajtjes së tekstit. Është punë e veshtirë për shkak se këta njerëz nuk japin informata se kjo gjë është kundër ligjit. Por, nëse i ke shokë, ata flasin duke mos pohuar e as mohur dhe duke lënë të kuptosh brenda rreshtave. Edhe kjo gjë është punë e mjaftueshme.

Më në fund botohet informata dhe gazeta Observer shkakton senzacion. Të gjitha mediat e botës e citojnë Observerin. Por, krijohet një problem. CNN e kontakton Observerin për të bërë me dije se informata është e rrejshme për shkak se teksti i nxjerrur nga GCHQ është i shkruar në British English e jo në American English. Pra, konfliktet brenda të njejtës gjuhë që tregojnë për mashtrimin. Dikush në redaksi e ka ndërruar tekstin në anglishte britanike. Kjo është një vajzë e re, lektorja e cila e ka për detyrë këtë gjë. Por, këtu kemi të bëjmë me shembullin që kur lajmi e merr dhenë, është zor të drejtohet ndonjë gjë edhepse ka fakte.

Sidoqoftë, çështja e vërtetësisë kryhet në momentin kur Katrherine Gun lajmërohet publikisht se informata ka rjedhur përmes saj. Ajo nuk mund të duroj gjendjen e krijuar edhepse tashti duhet të ballafaqohet me ligjin që e ka shkelur. Pra, nuk është problem botimi i informatës por mënyra e nxjerrjes së saj dhe udhëtimi deri të gazeta. Kur informata arrinë në gazetë, përfundon puna dhe në Britani qeveria nuk merret me mediat.

Nga ky moment filmi merr karakter juridik. Katherines i duhet mbrojtje në gjykatë. Në polici ajo deklaron se nuk e ka tradhëtuar vendin dhe e ka mbrojtur popullin. ‘Detyra ime është ta mbrojë popullin e jo qeverinë’ – thot ajo. Në fakt janë tri anë apo tri role që i potencohen kryepersonazhit në këtë film. Ishte ajo spiune, tradhëtare apo aktiviste kundër luftës? Autorët e filmit janë përcaktuar për rolin e fundit siç mbretëron pikëpamja në opinion publik.

Megjithatë, ajo e ka shkelur ligjin dhe këtu nuk ka diskutim. Avokati mbrojtës është një jurist i njohur britanik që quhet Ben Emmerson (Ralph Fiennes). Ai e din mënyrën e mbrojtes. Ligji lejon që të shkilet ligji nëse kemi të bëjmë me rastin e mbrojtjes së interesit të përgjithshëm dhe të vërtetës. Mbi këto baza ndërtohet mbrojtja.

Prokurori i Përgjithshëm Ken MacDonald (Jeremy Northam), është miku i Emerson-it. Por, tashti këta dy janë kundërshtarë. Nga këtu fillon drama e vërtetë e mbrojtes së individit që është në anën e drejtë dhe shtetit që është në anën tjetër. Këtu shohim se si organizohet gjykimi në rastin e shkeljes së ligjit të sekreteve zyrtare. Shohim problemet juridike, personale dhe ato të gazetarisë që zgjasin një vit.

Më në fund prokuroria heq dorë nga aktakuza. Gjykatësi insiston të dihet arsyeja. Prokurori nuk flet për arsyen për shkak se do të zbuloheshin sekretet tjera shtetërore dhe do të bëhej me dije se rruga për intervenim në Irak nuk ka qenë e ligjshme.

Filmi përfundon me një simbolikë të fuqishme. MecDonald shkon të peshkoj afër Emerson-it. ‘Peshko diku tjetër’ – i thot Emerson. Këta dy juristë kanë mbrojtur parime të kundërta dhe Emmerson konsderon se më nuk mund të jenë shokë.

Ky është një film që dhe të terheq më së shumti shikues nga fusha e gazetarisë, nga juristët, politikanët dhe ata që ushtrojnë punë të ndjeshme në qeveri.

Facebook Comments

Related posts

Drama për trenin që nuk vjen

Eagle

Unë mendoj se e vetmja mënyrë për të ndaluar shembjen e Teatrit është të ngujohemi brenda

Eagle

Përshtypjet e shkrimtarit boshnjak Faruk Shehiq: Shqiptarët, njerëz më të mirë se sllavët

Eagle

Leave a Comment

twelve + eighteen =