Përpjekja Shqiptare
Kujtesë

Retrospektiv’ e llahtarshme, perspektiv’ e frikshme!

Nga Maks RAKIPAJ

◾◾◾

Një përvjetor i zi 16 tetor 1908-2020

Sot i festojnë 112 vjetorin e lindjes lëpirësit e tij. Sado që për të thuhet se paska lindur në muajin maj, shkurt, e ku ta di unë dhe jo në vitin 1908 më 16 tetor, por për të prishur magjitë, shtrigat dhe shtriganët zakonisht gënjejnë për datën dhe muajin apo vitin e lindjes.
Ka gënjyer edhe ky, i biri i bimbashit, që babait ligjor mulla Halilit, burrit të Gjulos i thoshte xhaxha dhe xhaxhait të tij, Hysen Hoxha, baba! Gjenial për ithtarët e tij, por në dy universitete që u shkrua, asnjë vit nuk mbaroi, por gjeni qe vërtet, Gjeni i së Keqes. Vrau të gjithë ata që pati shokë, miq, të afërm, kushërij (vetëm ramizin la, për nexhmijen). Burgosi një popull të gjithë brenda telave me gjëmba, e varfëroi sa s’ka, e zvetënoi, e xhveshi shqiptarin nga të gjitha ato që më parë quheshin virtutet e tij.

Janë ringjallur enveristët, të hapur dhe të fshehtë, sidomos pas ardhjes në pushtet të PS-së. Lexon kudo nëpër fb për trimërinë e pashoqe të dylberenverit, qysh bëri luftën e tij “heroike” vëllavrasëse, ia mblodhi grekut më ’49, qysh i rrëfeu grushtin Titos më ’48, qysh i tha “tutje” revizionizmit hrushovian, “heroizmi i pashoq” për të mbrojtur nëndetset në Pashaliman, fjalimet e tij, ku i shkulte dhëmbët gjithë reaksionarëve të botës, sa i digjej xhani për Kosovën, sa e sigurtë dhe e lumtur qe jeta kur mbretëronte ai…

Ka ende njerëz që përmendin me mall kohën kur mbretëronte ai, ka fyçka që i thonë me përkëdheli “xhaxhi”, ka të tjerë që e kujtojnë si “komandant legjendar”, por harrojnë se atë legjendarin e tërhiqnin për hunde milladinët e dushanët jugosllavë, që deri më 1948 turmat klithnin “enver tito”, pastaj “enver stalin”, pastaj “enver mao ce dun”…

Ka edhe ish ushtarakë që thonë se paskemi qënë madjé superfuqi e rajonit. Dhitej në brekë NATO me gjithë Traktatin e Varshavës nga trimi ynë me fletë. Njëri paska lëçitur gazetën Der Spiegel të vitit ’62 për ngjarjet e Pashalimanit, kur rusët mbetën si çifuti në shkretëtirë, kur Trimi i Madh enverdylberi mbajti “qyçet” e Otrantos dhe s’guxonte të lëviste miza pa dijeninë dhe lejen e strategut më të madh të gjithë kohërave…Lum ne për udhëheqësin e ndritur që paskemi patur! Luftën që e quajti “çlirimtare” e ktheu në luftë civile sipas urdhërave serbe; mos harroni masakrat, masakrën e Tivarit, në Mirditë, Malsinë e Madhe dhe gjetkë; që erdhi në pushtet me bekimin e Titos dhe anglo-amerikanëve (ka dokumenta dhe libra për ata që dinë shkrim e këndim); iku nga Titua në prehrin e rusëve për të ruajtur “bithën” e tija apo ndoshta ashtu i pati urdhërat (dikur do hapen arkivat engleze); enverhaleja shkruan vetë në mender “veprat” e tij, kur i hakërrohet Hrushovit përse ky i fundit pat vendosur tërheqjen e rusëve nga Pashalimani! Ka qënë firmosur edhe marrëveshje shqiptaro-sovjetike për ndarjen e 12 nëndetseve të Pashalimanit, katër ne – tetë sovjetikët. Lëçitni “veprat” e tij dhe do t’ju kujtohet; mos harroni tollonat! si gatuhej me vajguri nëpër hale; fshatarët të mos harrojnë si punonin nëpër kooperativa për 15-20 lekë të vjetër për ditë pune, hanin vetëm bukë misri dhe u luteshin shitëseve për bukë gruri nëpër qytete dhe buka qe me lista! se burgjet e tij nuk i provuat, sepse i bënit pëllëmbët gjak duke u çjerrë “parti-dylber, jemi gati kurdoher” dhe duke spiunuar ata që nuk përplasnin duart; për të mbrojtur idhullin tuaj tani ma krahasoni kohën e tij me maskarallëqet e sotme; por harroni që janë bijtë e tij që e gatuan këtë çorbë me Ramis Alinë (kuçka nexhmije lëvizte fijet në hije), berishën, pashkon (e dini kush qe i jati i pashkos?), nanon dhe tani me nipin e kolekës me nipërit dhe mbesat e bllokmenëve…Dhe s’ka ndryshuar gjë. Janë ende në pushtet bijtë e Enverit. Më të pasur. Më të poshtër se kurrë. Më kriminelë. Më të babëzitur. Dhe pas Titos, rusëve, kinezëve, tani janë edhe të llastuarit e perëndimit, për të zezën tonë dhe të kombit. Dhe qenka kjo skotë e ndyrë që do të na futka në Evropë dhe kërcënon sërish Perëndimin si i biri bimbashit dikur: “ju na keni në grikë të pushkës, na ju kemi në grikë të topave”, apo si thoshte e ndjera Leni, një ish komshija ime e dikurshme, “të topeve të Sadushit”.
“Ju s’na pranoni në Evropë? Si të doni, ne futemi në jugosllavi” thotë nipi i kolekës, duke lënë në baltë edhe një herë Kosovën, si ati i tij shpirtëror dikur.

Shkurt, enveri shkeli me këmbë një popull të tërë sepse ky qe misioni i tij në kuadër të eksperimenteve dhe planeve djallëzore të Atyre. Dhe ata që ngordhnin dikur pas dylberenverit, ngordhin sot pas këtij shulit kryeministër.

Dhe eksperimenti vazhdon. Shqiptarët nxiten me qindra mënyra të braktisin vendin, pasi i lënë pa ujë, pa bukë, ose me ushqime të helmuara, pasi u kanë vrarë shpresën, që vdes e fundit.
A thua ka vdekur me kohë dhe nuk dimë gjë?

Facebook Comments

Related posts

Pse dështoi tentativa komuniste për të rrëzuar mbretin Zog në vitin 1937

Eagle

Masakra e Dubravës, një nga krimet e pandëshkuara

Eagle

William Walker, modeli i diplomatit misionar

Eagle

Leave a Comment

15 + 8 =

Ballina
Lajme
Letërsi
Politikë