Përpjekja Shqiptare
Art Haqif Mulliqi

Rej Kuni ”Mbledhja e jashtëzakonshme në Parlament”

Nga Haqif MULLIQI

◾◾◾

Rej Kuni ”Mbledhja e jashtëzakonshme në Parlament”
Rej Kuni ”Mbledhja e jashtëzakonshme në Parlament”, sipas regjisë së Elma Doresit dhe me aktorët: Klod Hoxha, Rozana Radi, Dritan Boriçi, Lorenc Kaja, Alban Musa, Aldjon Matarangasi, Jorida Meta, Ajlin Petrela, Elidon Alikaj dhe Suela Konjari. Skena e teatrit “Roland Trebicka”, Tiranë

Ka vite që e përcjell punën e regjisores, Elma Doresi. Për të qenë i sinqertë, kjo regjisore, bënë pjesë në regjisorët e paktë që më “tërheqin” sot, e aq më tepër për të udhëtuar nga Prishtina në Tiranë për ta parë një shfaqjet. Por kur janë në pyetje krijimet teatrore të Elma Doresit, këtë gjë e bëjë me kënaqësinë më të madhe sa herë që më jepet rasti. Shfaqjet e Doresit i kam shikuar edhe tek Teatri “Metropol”, edhe tek Teatri Kombëtar në Tiranë, e tash edhe në një skenë, krejtësisht alternative, tek teatri i që e mban emrin e mbretit të komedisë shqiptare, mikut tim, Roland Trebickës.

Për secilin prej nesh, vjen një kohë që, kur të shkojmë në teatër për ta shikuar një realizim, shpresojmë se, në fund të tij, do të marrim diçka me vete. Kjo gjë nuk ndodh shpesh, por, në rastin e shfaqjeve të Elma Doresit e cila, tashmë, është shndërruar në një mjeshtre të vërtetë të vënies skenike të komedive, nuk më ka ndodhur zhgënjimi asnjëherë. Këtu, edhe më i veçantë është fakti se, kjo regjisore, me sukses të njëjtë, dhe maksimalisht, i inskenon veprat, qofshin ato të autorëve tanë apo edhe atyre të huaj. Madje edhe tekste të atilla që vihen premierë në skenë, gjë që nuk është virtyt i shumë prej regjisorëve shqiptar, qoftë në Shqipëri apo edhe në Kosovë për të cilët thuhet se shfaqjet i “ri-bëjnë” nga kasetat apo edhe youtube.

Për këtë arsye, pritjet e mija ishin të mëdha edhe kur udhëtova për në Tiranë për ta parë shfaqjen më të re të Doresit, “Mbledhja e jashtëzakonshme në parlament”, të komediografit më të shquar, bashkëkohor, anglez, Rej Kunit, paçka se, salla teatrore tek Qendra “Kristal” nuk më fliste asnjë gjë, ngase nuk e kisha vizituar ndonjëherë, e, për të qenë i sinqertë, as nuk e dija se aty po behej edhe teatër. Ky fakt, disi, ma e shtonte kureshtjen e një krijuesi të teatrit.

Por, cila është shfaqja, “Mbledhja e jashtëzakonshme në parlament” e cila është inskenuar nga një numër i konsiderueshëm i regjisorëve shqiptar, qoftë në Kosovë, apo edhe në Maqedoninë e Veriut?

Një gjendje skizofrenike në ndërtimin e një bote të politikanëve

“Mbledhja e jashtëzakonshme në parlament” mund të quhet një shfaqje, komedi, e lehtë e cila, brenda vetes ngërthen të gjithë elementët e vodëvilit, siç janë edhe shumica e veprave tjera të R. Kunit, i cili, nga opinioni publik britanik, por edhe kritika, u quajt “mbret i farsës”.

Ray Cooney

Rej Kuni është një mjeshtër i vërtetë i komedive së situatës në Britani e cila, ndonjëherë ka dëshirë që të mbështetet edhe tek tradite farsës dhe e vodëvilit (sipas ndikimit të: Labiche, Feydeau dhe të tjerëve) të cilën “dorë krijuese”, tashmë publiku ynë e njeh edhe përmes veprave të tjera të këtij autori siç janë: “Ik nga gruaja jone”, “Një natë e çmendur në hotelin President”, e po ashtu edhe nga pjesët: “Paratë e çmendura”, apo “I kurthuar në rrjet”.

Ngjarja në komedinë “Mbledhja e jashtëzakonshme në parlament” ndodhë në viteve të tetëdhjeta të shekullit të kaluar, në Londër, pra në kohën kur, në krye të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar gjendej Margaret Thaçër, dhe ka antonime kundër udhëheqjes së saj rigide dhe të hekurt. Kuni, në këtë komedi, flet për disa kthesa që ndodhin në qeverisjen e mbretërisë, nga ana e kryeministres së saj, për të cilat, shumë britanikë mendonin se sillnin pasoja për vendin e tyre. Për këtë shkak, Kuni, motivohet edhe nga romani shumë i njohur i Xhorxh Orvelit, „1984“, i cili, aty, e bënë përshkimin e njërit prej vizioneve, të mundshme, të apokalipsit në tokë. Pra, nëse do të kthehemi tek viti orvelian 1984, arrijmë tek konkluzioni se apokalipsi, atëbotë, ka zënë fill në rrëfimin e Kunit, në të cilin, në mënyrë krejtësisht eksplicite luhet me moralin e rrejshëm dhe konservativ dhe hipokrit të shoqërisë angleze i cili, i cili kishte ndikim, të thuash, gjithandej nëpër botë, derisa, rrafshin e vetë intim e përjeton në një duzinë të pakëputur, të fantazive erotike si dhe të frustracioneve seksuale e morale, mu në organet më të larta të shtetit, pra, në Parlament dhe në Qeveri. Kjo gjendje, gati, skizofrenike e ndërtimit të një sistemi si dhe të një bote të politikanëve, ishte një vend i pëlleshëm për një komedi histerike (në këtë mënyrë u quajt, në fillim, kjo komedi e Rej Kunit), me përplot kthesa dramatike dhe gënjeshtra të cilat, kanë impakt në atë tek morali publik dhe, të cilat, nuk shpijnë asgjëkund.

Shfaqja e Elma Doresit, krahas dimensionit politik që ka vepra e Kunit, e me të cilin luan, gjithashtu një theks e vë edhe tek marrëdhëniet ndërnjerëzore në një shoqëri, si dhe tek shumëfytyrësia njerëzore, të cilën e ofron vepra e Kunit, e që janë pjesë të caktuara të realitetit të cilave nuk mund t’u shmanget askush.

Premiera e Tiranës e këtij teksti e ka një tempo-ritëm të jashtëzakonshëm, që është një segment i shfaqjes të cilin ajo e mbanë nën kontroll të plotë (kjo është veçori e E. Doresit në punët që i kam parë në teatër deri sot) ndërsa ansambli i aktorëve të cilët i ka mbledhur kjo regjisore për këtë ndërmarrje ambicioze, të gjitha detyrat i sendërton në mënyrë të ndjeshme me ç’rast bëhet sendërtimi i disa vizioneve skenike të cilat ndërtohen jashtë iluzionet se kjo shfaqje, mbase mund ta ndryshojë jetën përreth nesh. Kështu, Elma, me aktorët e saj të jashtëzakonshëm, e përqafon një moto që është një prej esencave elementare të filozofisë së komedisë, sipas së cilës, kur bëhet fjalë për fenomene dhe ngjarje të caktuara, thuhet se: “poqëse nuk mund t’u bashkëngjitësh atëherë, të paktën përqeshi ato!“ Dhe, Elma e bënë këtë gjë bukur.

“Mbledhja e jashtëzakonshme në Parlament”e Rej Kunit, në regji të Elma Doresit, faktikisht, është një shfaqje e cila, në dimensionin e parë, nuk është konceptuar ashtu që, vetëm, ta argëtojë publikun, edhe pse një gjë e tillë është, thuaja se, e pashmangshme sidomos tek komedia, por, para së gjithash, ta demistifikojë atë sistemin politik, edhe tek ne, si dhe të përçojë mesazhe të qarta të cilat, realisht, si të tilla, i përqeshin njerëzit e politikës duke i portretizuar këta si: të pamoralshëm, si snobë, si mashtrues dhe të papërgjegjshëm, të cilët, si të atillë , për qëllime të ndryshme personale (dhe jo gjithmonë etike) i janë futur politikës, ndërsa, pas do kohësh, shquhen si aventurier, heretikë, batakçinj dhe hipokritë e tyre e afishuar, për ç’gjë nuk i japin as pesë para.

Kjo skemë të cilën e përdor Rej Kuni, faktikisht, ka ndikuar që kritika, këtë autorë ta cilësoj si njërin prej trashëgimtarëve më të suksesshëm të Zhorzh Fejdos, i cili, sikurse pararendësi i tij në krijimtari, veprën e ndërton në pështjellime farsistike që ndërtohen, sidomos, përmes tradhtive martesore dhe të mosrespektit të kurorës, por edhe të abuzimit me fondet e shtetit. Në vazhdën e këtij mendimi dhe të kësaj rrjedhe të veprimit edhe tek shfaqja, “Mbledhja e jashtëzakonshme në parlament”, faktikisht, Doresi e vë theksin tek problematikat e këtij morali të gënjeshtërt të politikanëve (dhe jo vetëm atyre), në jetën dhe në veprimet e të cilëve, gjithçka ndodhë përmes standardeve të shumëfishta. Për këtë arsye, shfaqja e Tiranës, e kësaj vepre të R. Kunit, e posedon shtresën e vërejtshme të domethënieve të kritikës shoqërore dhe të domethënies që ka kjo në skenën e teatrit shqiptar, sidomos kur shpërfaqet para publikut.

Rrethanat tragjikomike që i portretizojnë fotografitë e një shoqërie

Në shfaqjen “Mbledhja e jashtëzakonshme në parlament” të Elma Doresit, janë të vendosur shumë probleme aktuale të shoqërisë sonë, e që, në fakt, janë elementë provokues për secilin prej neve që gjendemi në publik. Këta elementë, regjisorja dhe kasta e aktorëve të saj të veçantë i realizon me shkathtësi dhe në mënyrë tejet inteligjente në dimensionin komik dhe atë artistik (regjisorial).

Në komedinë “Mbledhja e jashtëzakonshme në parlament”, gjendet një numër i madh i mosmarrëveshjeve, keqkuptimeve si dhe i përplasjeve në të komunikuar edhe për ato çështje të cilat, në rrafshin e parë, mund të na duken ordinere. Por, del se, ato i përbëjnë esencat e të vepruarit dhe të menduarit në komedi. Këto janë esenca pikante mbi mënyrat e të vepruarit të një klase politike që është e zhveshur nga morali publik, e që, mbi të gjitha, nuk e di se sa komike është bërë. Një klasë e cila rezignohet dhe e bënë veten që të qeshet me ta dhe budallallëqet që bëjnë. Tematikat e thurura të dashurive të shumta ndërmjet personazheve, si dhe të rrjedhave politike, patjetër, në shfaqjen e E. Doresit, i fitojnë domethëniet metaforike, që, në mënyrë eksplicite e bëjnë ndërlidhjen me moralin e shumëfishtë, që shpërfaqet para nesh, krejtësisht i zhveshur në raportet me shoqërinë.

“Mbledhja e jashtëzakonshme në parlament” është një komedi, edhe e kohës sonë, me ç’rast, elementët tragjikomik në veprim të personazheve i portretizon fotografitë e vërteta të një shoqërie, pra edhe të kësaj tonës, paçka se, shfaqja e Doresit, hove-hove, i përngjason, peshkimit në ujërat e turbullta ku nuk dihet as kush është peshku i madh e as ai më i vogël; kush është hardhucë e kush krokodil.

Përmes elementeve të shumta të vodëvilit që i ndërtojnë marrëdhëniet ndërmjet personazheve që dalin dhe gërshetohen në skenë, ndonjëherë, në këtë vepër, riciklohen elementë të ndryshëm, siç është edhe pakëndshmëria e rrethanave në të cilat ndodhen personazhet, veprimi i të cilëve, disi, në vë në siklet dhe shpërfaqet një pasqyrë e përthyer e më shumë realiteteve. Këtu, Rej Kuni, merret edhe me tema të tjera siç janë ato të marrëdhënieve dhe të pabarazisë ndërmjet gjinive, të ndryshimeve të porositura, të ndryshimit të marrëdhënieve tradicionale ndërmjet meshkujve dhe femrave, e kështu me radhë, e të cilat, Elma Doresi i ruan në përgjithësi në shfaqje, por, ndonjëherë duke u dhënë edhe konotacione tjera që japin mundësi të interpretimeve të ndryshme. Në një formë specifike të komedisë, “Mbledhja e jashtëzakonshme në parlament”, sipas vizionit të regjisores Doresi, është një shëmbëlltyrë e një shfaqjeje e cila e zbulon anën e ngrysur, edhe të parë, të shoqërisë shqiptare, gjë e cila e bënë shfaqjen, aq të pranueshme tek publiku ynë.

Referencat e azhurnuara politike të Elma Doresit si një pikëtakim i bukur me realitetin

Komedia “Mbledhja e jashtëzakonshme në parlament” ngjarjen e ka të vendosur në një apartament të hotelit (zyrtar) për deputetë, i cili ndodhet fare, fare pran Parlamentit Britanik, më saktësisht, në apartamentin numër 648, në Westminster. Aty, ministri i ri, Richard Willey (të cilin e mishëron Klod Hoxha) bëhet gati që të shkojë në shtrat me një femër atraktive, Jane Worthington (të cilën e interpreton Rozana Radi) nga partia rivale parlamentare, ndërsa kjo ngjarje ndodhë, pikërisht, në ditën kur në duhet të bëhet votimi vendimtar që ka rëndësi për qeverinë, ndërsa rivalitetet politike janë të tejtheksuara.

Por, pasionin seksual i Richard Willey dhe Jane Worthington, si dhe tradhtinë e tyre bashkëshortore e pengon një zbulim i pa fat i trupit të një “të vdekuri”, i mbetur ngujuar në dritaren e apartamentit ku ndodhë shumëçka dhe gjithçka. Dhe, çfarë do t’i mbetej që të ndërmarrë akëcili politikan, simpatik dhe joshës, si Willey, në një rrethanë të tillë të këtillë të pakëndshme e madje edhe të rrezikshme kur do të mund të dyshohej në të, mbase, edhe për vrasjen e njeriut të pa shenja jete, të kurthuar tek dritarja? Përgjigjja mund të jetë: gjithçka. Tekstualisht gjithçka.

Ajo që e bëri R. Kuni me ndërtimin e rrethane të sikletshme për personazhin e tij, është që, Richard Willey, mos ta paraqes rastin fare, as tek policia e as tek drejtoria (dyshuese) e hotelit gjë e cila e komplikon marrëdhënien ndërmjet tij dhe Jane, të cilën duhet ta mbajtur të fshehur me çdo kusht. Kështu, rrethana e sapokrijuar, papritur, sa vjen dhe bëhet gjithnjë më e pa menaxhueshme, paçka se, është e qartë se, të thuash, është e pamundshme që çështja e një vdekjeje të dyshimtë të mos merret vesh, veçanërisht në atë hotel që survejohet nga të gjitha anët. Në fund të fundit, edhe po të vinte shfajësimi për fatin e të huajit të gjetur, të vdekur, nën kanatat e dritares, çfarë, në fund të fundit, do të mendonte gruaja e zotëri Willeyt kur do ta marrë vesh se i shoqi i saj është ndodhur në atë apartament, me një grua tjetër e cila, s’është as më pak e as më shumë veçse një asistente e partisë kundërshtare në parlament, rrethanë kjo që ia bënë të pamundur atij cilëndo mundësi që të krijojë ndonjë alibi të besueshëm e që do të ishte një “mbulesë” e logjikshme për veprimin që e ka bërë. Ngarkesë shtesë për Richard Willeyn, drithëruese për të, është edhe ajo se si do të reagonte kryeministri kur ta marrë vesh këtë histori të përçudshme të një anëtari të kabinetit të tij që ka krijuar lidhje dashurore me një asistente të opozitës!?

Ndaj, si “zgjidhje” më të drejtë dhe më praktike të rrethanës, për ministrin e qeverisë, është që, të përpiqet, ta fsheh rastin dhe të bëjë ndonjë zgjidhje për të cilën, thjeshtë nuk e ka as idenë më të vockël. Për këtë ai e fton, për ndihmë, sekretarin e tij privat, naiv e shpatullgjerë, George Pidgen (Dritan Boriçi) i cili, gjithashtu, me shpejtësi, kapet në rrjetin e komplikuar të tradhtisë së ministrit të tij dhe vdekjes së një të panjohuri për ta, mu në dritaren e apartamentit. Kështu, shpërthimi i farsës, furishëm, nisë të rritet, nga skena në skenë, për aq më tepër kur politikani i cili, rëndom, mendon dhe reagon shpejt, si Richard Willey, nisë të projektojnë gënjeshtra të të gjitha llojeve dhe skajshëm imagjinative, me shpresë se, në atë mënyrë, do ta shpëtojë lëkurën në rrethanën që duket e pazgjidhshme dhe e cila, sa më shumë që shkon shfaqja nga mbyllja e saj, duket gjithnjë e më pak e mundshme. Për këtë arsye, edhe në shfaqjen e Elma Doresit, të thuash, çdo gjë që ndodh aty, ndodhë si në një jetë joreale dhe krejtësisht paparashikueshëm për audiencën e cila zhvillohet furishëm.

Për t’u ndërlikuar rrethanat edhe më shumë, në atë thurje të “tmerrshme” ngjarjesh, krejt papritur, në apartamentin e hotelit vjen edhe gruaja e Ministrit, Pamela (Jorida Meta), ardhja e së cilës e bënë edhe më të ndjerë, më dramatike, më të komplikuar situatën dhe, absolutisht, edhe më të pazgjidhshme situatën e krijuar. Po ashtu, papritur, në apartament shfaqet edhe i shoqi i Janein Ronnie (Lorenc Kaja) i cili ka dyshime se e shoqja e tij ka një lidhje jashtëmartesore me dikë, por edhe që ta kërkojë detektivin privat, të cilin e ka paguar që ta konfirmojë, eventualisht, dyshimin e tij për tradhti bashkëshortore dhe i cili, dyshonte se ajo mund të ndodhej në këtë apartament.

Gjatë tërë kësaj kohe, vihet re edhe prezenca e drejtuesi të hotelit (Alban Musa) i cili vjen, disa herë aty, duke mos e fshehur dyshimin e tij se në atë vend ka ndodhur diçka e cila pretendohet që të fshihet, por, të cilës nuk po mund t’i bjerë në fije. Nga ana tjetër, e kemi edhe kamerierin e shkathtë, dhe të pakompriomis, i cili e shërben këtë apartament (Aldjon Matarangasi), dhe i cili, për konfidencën e tij, nga Willey të marrë ryshfete, duke i zhvatur lekët atij, e duke mos hezituar që, madje, të jap edhe këshilla për zgjidhje të situatave të ndjeshme dhe të ndërlikuara që ndodhin aty.

Duke qenë kjo një farsë me elementë të fuqishëm të vodëvilit, nuk është edhe aq problematike, që personazhet që futen nga jashtë në tregim, të nuhasin se aty ka ndodhur diçka dhe se ajo është duke u fshehur dhe bëjnë përpjekje për ta zbuluar të vërtetën. Në këtë pikë, Rej Kuni, edhepse në rrafshin e dramatikës së veprës, nuk krahasohet me Shekspirin, megjithatë ia del që ta kënaq publikun si komeditë e pararendësit të tij. Referencat e azhurnuara politike të Elma Doresit këtu, gjithashtu, janë një pikëtakim i bukur me realitetin, ndërsa loja e aktorëve të saj, që veprojnë me një ritëm të jashtëzakonshëm, e hapë një kaos me energji të pashembullt, qoftë në rrafshin fizik gjithashtu edhe në atë dialogues, nga të cilat rezulton loja brilante skenike përmes të cilës, Doresi e zhvillon konceptin e saj të qartë regjisorial.

Konstruktimin i një bote të budallallëqeve njerëzore, apo edhe të “marrëzisë” së tyre

Elma Doresi, me këtë rast, e krijon një vepër të veçantë skenike e cila shpalos karaktere që, u përngjasojnë atyre nga komeditë e njohura antike, por që, regjisorja, të tërën e ndërton përmes një thurjeje të “egër të veprimit”, në ndjekjen e së cilës, madje, nuk mund të merret as “frymë”, që është, mendoj se, një prej veçorive më të dallueshme të teatrit të Doresit, në përgjithësi, element ky i cili e bënë atë, vërtetë, një prej regjisorëve më të veçantë tek ne.

Regjisorja e shfaqjes “Mbledhja e jashtëzakonshme në parlament”, e instrukton një lojë të shkëlqyer të Klod Hoxhës, në rolin e Richard Willeyt. Krah “mosshkathësisë” së këtij personazhi si dhe të ndërthurjes së komplikuar dramatike, megjithatë, në shfaqje, Klodi, ia del që, mjeshtërisht, të ruaj kontrollin skenik dhe ta ruaj, një lloj qetësie të dukur për këtë karakter i cili ndodhet në atë rrethanë të komplikuar, ndërsa, me anë të një balanca mes tragjikes dhe të spirituozitetit, imponon me një sharmë i cili edhe nuk na shqitet gjatë gjithë shfaqjes.

Ajo që më bëri përshtypje tek loja e K. Hoxha është se, ai, të thuash për asnjë çast, nuk u nënshtrohet improvizimeve, siç më ka rastisur të shoh në shumë realizime tjera të këtij karakteri, e për të cilat improvizime, faktikisht, lë hapësirë edhe vetë teksti i Kunit (mendoj se kjo është meritë edhe e regjisores e cila e mbanë pjesën në duart e saja të sigurta) dhe se nuk ka “lulëka” të tilla mund të jenë atraktive për çastin dhe t’i pëlqejë publiku, por që e dekompozojnë karakterin. Vetëbesimi i karakterit dhe aftësia për të menduar në vendngjarje, aty për aty, e krijojnë një paraqitje të avancuar skenike të këtij aktori i cili, madje e shmangë edhe vëmendjen e publikut nga rrethanat e ndërlikuara apo edhe çastet e pakëndshme të cilat ia imponojnë rrethanat e komedisë.

Edhe Dritan Boriçi (të cilin, më duhet ta pranoj se, për herë të parë e shikoj të luaj në komedi) gjithashtu e meriton çdo lëvdatë për paraqitjen e tij tepër bindëse si George Pigdenton, pra, të asistentit personal të Willeyt dhe partnerit të pavullnetshëm, në “krimin” që ka ndodhur dhe “mbulimin” e tij. Ky aktor është mbresëlënës në shfaqje ndërsa loja e tij me zëra dhe loja skenike, plotë dinamizëm, ia mundësoi që të na i ofrojë disa prej çasteve më të bukura në këtë shfaqje.

Pigdtoni i D. Boriçit shumë lehtë e zbulon fatin e tij derisa përpiqet që të manipulojë me jetën seksuale të Pamele Willey (Jorida Metës) dhe të Gladys Foster (Ajlin Petrelës). Kështu, tok me Klod Hoxhën, të dy këta aktor e posedojnë atë që njihet si Burt-and-Ernie, e që është një lloj kimie e cila, ndikoi që shfaqja e Doresit të mos rrëmbehet nga atmosfera në publiku, duke e ruajtur një distancë korrekte skenike deri në fund të saj.

Mbase, befasinë më të madhe, për mua, në këtë shfaqje të komedisë ma e solli Rozana Radin. Ç’është e vërteta unë Rozanën e kam parë edhe herëve të tjera në teatër, por, kësaj radhe më është imponuar me karakterin që e ka ndërtuar, dinamikën e lojës si dhe ruajtjen e tipareve të karakterit që e luan. Personazhi i Jeane, që nga fillimi e deri në fund është konsistent duke lëvizur, sigurt, nëpër parabolën e personazhit. Personazhi i Jane Worthington është prej personazheve më të vështira në këtë komedi, por Rozana e absolvoi atë me mjeshtri, ndërsa kjo gjë, mendoj se flet për pjekurinë skenike të aktores. Ajo di të jap dhe të pranojë replikat, dhe thjeshtë e ndihmon harmoninë e lojës në shfaqje, ku, ndonjëherë ka aq shumë aktorë në skenë, sa që shumëçka do të ishte e vështirë për ta artikuluar dhe për të krijuar rend regjisorial sikur mos të ishte mbi çdo grumbullim “mbimarionetash” dora e regjisores. Në këtë kontekst të lojës femërore në skenë duhet përmendur edhe lojën e balancuar dhe plotë sharmë të Jorida Metës.

Në përgjithësi, më ka pëlqyer loja e Lorenc Kajës në rolin e Ronnie: i saktë dhe i pa komplekse. Një rol aspak i lehtë dhe me energji të brendshme dhe të jashtme. Pastaj e kemi aty edhe roli Alban Musaj, si Drejtori autoritativ i hotelit i cili, sa shkon shfaqja drejt fundit, e ushtronte autoritetin e tij, dhe, paçka se një karakter të ngrysur, megjithatë i fitoi simpatitë dhe duartrokitjet e publikut. Albani është një aktor të cilit mund t’i besojnë regjisorët, ndërsa, edhe në ato pjesë të shkurtra që futet në skenë, e dëshmojnë talentin e tij. Albani është aktor i veçantë karakteresh të cilit, besoj se mund t’i ofrohen edhe role shumë më të mëdha dhe me më shumë përgjegjësi në teatër.

Loja me virtuozitet e Aldjon Matarangasit si Kamerieri është prej atyre karaktereve që mbahen mend gjatë pas shfaqjes. Ndërsa, Elidon Alikaj, në rolin e Detektivi, vërtetë, e kishte një detyrë të vështirë, ngase, një pjesë të madhe të shfaqjes e luan personazhin e “vdekur”, pa lëvizur nga skena. Elidoni është korrekt deri në fund.

Mbresa të fuqishme më ka lënë Suela Konjari në rolin e emigrantes Maria, që është pastruesja e hotelit e cila, paçka se është episodiste, sa herë që të paraqitet para publikut në skenë, e zhvillon një komunikim maksimal me të duke u identifikuar prej nesh si një prej karaktereve më simpatike të shfaqjes së E. Doresit. Ndërsa, paraqitja si “nuse”, e cila e “transformon” pastruesen Maria në një karakter tjetër, është një sekuencë antologjike teatrore. Të qeshësh me lot. Suelën dhe Joridën kam dëshirë që t’i shoh edhe në role shumë më të mëdha se kaq.

Elma Doresi, në shfaqjen “Mbledhja e jashtëzakonshme në parlament” e ndërton një paqësim gracioz mes aktorëve, ndërsa luan mjeshtërisht me naivitetin e njerëzve, me ndërthurjet absurde, siç janë ato të Willit dhe të Pigdenoit, të Willit dhe Jean, e të tjerëve. Kjo është ajo që ndikon në atë që personazhet e kësaj komedie, kulmin ta arrijnë atëherë kur, kur krijohet përshtypja se janë duke qeshur për shkak të promiskuitetit të tyre të zëshëm.

Janë shumë njerëz që nuk e pëlqejnë farsën, për shkak të ndërthurjeve të sajë dhe skenave të çuditshme dhe kjo mund të konsiderohet e drejtë dhe normale. Megjithkëtë, kur e shikojmë shfaqjen e Elma Doresit, me kastën e saj të aktorëve të mrekullueshëm, dhe mënyrën se si është paramenduar dhe vendosur vetë shfaqja për të cilën po flas, disi e dalldisur dhe me disa teprime, mund të thuhet se, regjisorja me trupën e saj, ia del që ta vlerësojnë efektin e komikës që ndërtohet nga farsa dhe vodëvili dhe e cila është prezente në shfaqje që nga fillimi e deri në fundin e saj pa asnjë ulje në gradacion të ritmit. Përkundrazi.

Doresi, për kohën sa zgjatë shfaqja e saj, e bënë konstruktimin e një bote komplete të budallallëqeve njerëzore, apo të “marrëzisë” siç do ta quante Erazmi i Roterdamit, të cilat e krijojnë një pushim, së tepërmi të nevojshëm, dhe të ikjes nga teatri melodramatik me të cilin, thuaja se jemi mësuar tashmë e ndoshta edhe jemi lodhur pakëz.

Fare në fund, mund të them se jam dakord me ata të cilët mendojnë se aktorët në këtë shfaqje kanë eksploduar dhe se janë kënaqur në lojën që bënë në të. Fundja teatri është një lojë dhe ka lindur për këtë.

Ndërsa, kur u lëshua sipari, pas duartrokitjeve shurdhuese, ndërsa aktorët u tërhoqën në qetësin e tyre, publiku nuk mbeti vetëm me dhembje të muskujve të barkut, që i shkaktuan të qeshurat deri në ekstazë, por edhe më zhurmën e endorfinës nga dy orët e kaluara me argëtimin e pastër teatror dhe me të menduarit asociativ se cilin nga politikanët tanë e ka parë në skenë asaj nate.

Një natë e bukur Tiranase me plot shkëlqim arti.



Facebook Comments

Related posts

Besmira Malevija një piktore e talentuar nga Shkodra na tregon planet e saja për të ardhmen

Eagle

Identiteti rrëfimtar i Petro Markos

Eagle

Hasan Mekuli për romanin e parë të Adem Demaçit

Eagle

Leave a Comment

16 + three =