Përpjekja Shqiptare
Edukim Shqipëria Natyrale

PUSHTIMI OSMAN DHE ISLAMIZIMI I SHQIPTARËVE ISHTE NJË FATKEQËSI APO NJË SHPËTIM?

Nga Josif PAPAGJONI

◾◾◾

I hodha një sy librit “Islami në Shqipëri gjatë shekujve”, e kishte shkruar një profesor doktor, Ali M. Basha. Nuk e njoh, por m’u cyt dëshira të diskutoja disi me të për një nga tezat e tij. Ai ngre pyetjen nëse pushtimi osman dhe islamizimi i shqiptarëve ishte vërtet një tragjedi për kombin tonë a një fatkeqësi historike, siç i kanë vlerësuar studimet tona akademike, ato komuniste e postkomuniste, apo ka qenë një shpëtim, një shans i artë i qenësisë etnike dhe mëvetësisë sonë kombëtare? Profesori as e merr fare parasysh mendimin e shpallur qysh në shek. XIX nga krerët mendjendritur të Rilindjes Kombëtare shqiptare gjithandej se sundimi 500 vjeçar i Perandorisë osmane ka qenë periudha më fatkeqe e kombit, e shprehur dhe paraqitur kjo në “gjithë historiografinë zyrtare, tekstet mësimore të të gjitha niveleve, studimet akademike, historiografinë divulgative”, siç shprehet ai. Po ku vanë të shkretat libra, poezi atdhetare, krijime letrare e rrëfenja të këtyre mendjendriturve të kombit para se ta bënim shtetin tonë të shumëdëshiruar me Ismail Qemalin dhe t’i iknim thonjëve të Turqisë?! Po ç’u bënë Kristoforidhi, Petro Nini Luarasi, De Rada e Dara, Mitkua e Vretua, Gramenua e Floqi? Po vëllezërit Frashëri nga shkuan, në ç’skuta u futën dhe si s’e dëgjuan këtë “thagmë”?! Po Fishta ç’i bëri vjershat dhe shkrimet e tij? Po Çajupi me tërbimin e vargjeve kundër turkut gjakatar dhe sulltanit?
Eh!… U harrua ajo kohë. Sikur turku na ishte mrekullia vetë, një Santa Klaus plot dhurata. U harruan krimet dhe barbaritë e tij mbi shqiptarët. U harrua kryesorja, se Turqia na la në një “stallë bagëtish”, pa gjuhë, pa shkolla, pa art, pa letërsi, pa teatër, pa pikturë, pa muzikë, pa kostume të bukura, pa hijeshi, pa rrugë, pa asgjë; na la me ca fshatra me qerpiç, xhami pa fund, poturre e dimi, me vashat e mbuluara me perçe, pa shtet ligjor por me Shariat, pa qytete e zhvillim, pa qytetërimin perëndimor, pa shkencë e shkolla, pa universitet e Akademi. A mos vallë nuk do t’i kishim nëse turqit s’do ta pushtonin Shqipërinë?
Kjo periudhë, sipas studimeve të derisotme, e la kombin shqiptar në një pasivitet të theksuar politik-nacional, në padituri e një varfërim ekonomik të skajshëm. Shqiptarëve gati iu shua damari etnik dhe kur i pyesnin se çfarë je, njëri thoshte turk (myslimani), tjetri quhej kaur (i pabesë – po për kë “i pabesë” se, për Turqinë dhe turqit, apo jo?!). U bë si u bë ai konvertim, nën bajonetë apo nën miklim bakllavash, fakti është se Shqipëria mbeti kilometra dritë larg vendeve evropiane; një bosh i madh, i frikshëm, tmerrues, gëlltitës, ende i pambushur. Nëse pushtimet romake, sllave, bizantine, sipas këtij profesori, asimiluan pjesën më të madhe të popullsisë parashqiptare, ilirët, dhe më pas epirotët, arbërit, shqiptarët, në periudhën e pushtimit osman, përkundrazi, ata u “shpëtuan”!!!… Nuk na qenka osmanizuar dhe asimiluar asnjë fshat i vetëm, duke pasur kështu ky pushtim 500 vjeçar një efekt pozitiv. Ishin pikërisht osmanët, sipas këtij studiuesi, që bizantinët dhe mbretëritë sllave e bullgare ata i stopuan që të përvetësonin trojet shqiptare. Dhe prandaj ata (osmanët) mund të ishin tragjikë për grekët, për bullgarët dhe sllavët, por jo dhe për shqiptarët. Me organizimin e tyre shtetëror, fuqinë ushtarake, shtetin, shkollën, fenë këto mbretëri do t’i kishin sllavizuar shqiptarët shumë shpejt, siç bënë me bullgarët në pak më shumë se 100 vjet.
Pastaj ai thotë se vërshimi i osmanëve në Ballkan ishte si një rrufe mbi shtetin serb dhe me luftën e 28 qershorit 1389 morën fund ëndrrat e serbëve për perandori. Afërmendsh se në këtë argument nuk merret parasysh gjendja dhe situata e organizimit shtetëror të njësive të ndryshme etnike dhe krahinore të një a më shumë popujve nën një pushtet të caktuar, përkitazi tipologjive të formës shtetërore në periudhën e mesjetës, kur shtetet kombëtare ende nuk kishin lindur dhe feja shfaqej si sublimat i pushtetit politik. Ky harron të thotë se në atë luftë të 1389-ës ishin edhe shqiptarët, sepse ajo kishte më së shumti karakter fetar: përplasjen e dy religjioneve. Nuk ishte po njësoj siç është sot. Hapësirat e viseve shqiptare kanë qenë nën kupolat shtetërore të Bizantit apo Perandorisë Romake, Papatit, Venedikut, më pas erdhën sllavët, normanët, bullgarët, dyndjet e fiseve “barbare” etj. Islamizimi i shqiptarëve, sipas këtij studiuesi, ishte “protestanizmi” i tyre për t’i bërë ballë konvertimit në ortodoksë serbë. Po pse në “ortodoksë serbë” dhe jo “ortodoksë shqiptarë”! Mos feja qenka etni, komb, racë?!
Më vjen shumë keq, por këtu përplasen dhe bëhen lëmsh periudhat historike dhe mënyra e vlerësimit të tyre. Pra e shkuara shihet nga e sotmja, kur mes popullit shqiptar, posaçërisht atij në Kosovë e Maqedoninë e Veriut, nga njëra anë dhe serbëve e jugosllavëve me politikat e tyre genocidiste e shtypëse, nga ana tjetër, i sollën shqiptarëve shumë vuajtje. Kjo është ta bësh lëmsh historinë, kohën, të vërtetën. Kështu na dalka që pushtimi turk, sipas këtij studiuesi, na solli ne shqiptarëve dy të mira: a) shpartallimin e imperatorisë serbe dhe b) mundësimin e islamizimit tonë për t’i shpëtuar konvertimit të tyre në ortodoksë serbë. Kjo sepse ata nuk kishin as shtet e as fe të vetën, “autonome”. Pohimi i fundit “fe autonome” është një nonsens historik, kur dihet se shqiptarët ishin të krishterë, një pjesë katolikë dhe një pjesë ortodoksë. Duke shfrytëzuar ide, përshtypje a mendime të disa shkruesve në dobi të argumentit të tij, më tutje studiuesi thekson se pa myslimanët trojet shqiptare do të ishin sllavizuar. Dhe… dhe… Shqipëria e Jugut vetëm se u islamizua arriti të shpëtojë dhe mbeti pjesë e trungut shqiptar. Hajde-hajde, nëse nuk na vinte baba Dovleti kjo Shqipëri do të ishte greqizuar. Çfarë fantazie! Pra janë shqiptarët e konvertuar në muslimanë ata që i sollën shërbime të mëdha integritetit të vendit, që e shpëtuan atë nga Greqia dhe orekset e saj. Thuaj pastaj se nuk është folklor!
I gjithë ky argument i përmbledhur në mënyrë sintetike nuk merr parasysh veçoritë e zhvillimit dhe organizimit etnik e shtetëror të shqiptarëve nën pushtete të huaja, në aleanca apo marrëdhënie vasaliteti me to (romakët, bizantinët, venedikasit, anzhuinët, serbët, bullgarët, grekët, osmanët); nuk merr parasysh qenësinë e tyre në integritete shtetërore rajonale si principata, pashallëqe etj.; sikundër, nga ana tjetër, profesori anashkalon atë frymë kozmopolite që vinte nga aplikimi i feve, pushtetet e dioqezave dhe peshkopatave, marrëdhëniet e kombeve dhe shteteve (a njësive krahinore-urbane) vasale nën kurorat perandorake me natyrë integrale. Dhe kështu, syshqyer nga ky lexim i shpejtë, ma beh në tru pyetja: Ore mik, vallë identiteti ynë kombëtar u sigurua nga islamizimi i shqiptarëve, apo po ia fut kot! Po qëndresa e jashtëzakonshme e faktorit kishtar katolik në Shqipërinë e Epërme? Po atdhetaria e faktorit kishtar ortodoks në Shqipërinë e Poshtme, ku shkoi? Të parët shërbëtorë të Italisë dhe të dytët të Greqisë, kështu na qenka, a?! E bukur shkencë! Falë kësaj logjike, qoftë dhe pa dashje, thuajse asgjësohet ndihmesa e jashtëzakonshme dhe e pazëvendësueshme e të krishterëve katolikë e ortodoksë për t’i dhënë hapësirën e munguar kulturës kombëtare, arsimit, shkollave, gjuhës, iluminimit të kombit duke e orientuar nga Perëndimi, siç thoshte edhe Naim be Frashëri, de: “Lind nga Perëndon”. Mos duhet të themi: “Perëndon, nga Lind”?! Ta kthejmë timonin nga Azia dhe Arabia, vallë?! A nuk e hedh poshtë gjithë kredon politike të Rilindjes Kombëtare zoti profesor, qoftë dhe pa dashje, me këto teza të mbrapshta? Po ato librat shqipe kush i bëri e kush i shtypi, po ABC që ti e unë shkruajmë sot libra, kush? Paraqitja e pushtimit turk 500 vjeçar duket kvshtu sikur na solli begatinë dhe lumturinë, se ai nuk na qenka pra një pushtim, por një “çlirim”; se nuk duhet vlerësuar si rrethana më tragjike, më shkatërrimtare, më frenuese për popullin shqiptar, e cila e çoi deri në zgrip asimilimin e tij, shpirtëror më së pari, aq sa nxori edhe kopukë si Esat Pasha që thoshte se ne shqiptarët “jemi otomanë”, dhe sivëllain e tij këmbëzbathur e me xhaketë gjenerali, Haxhi Qamilin, me ulërimat “Dum babën”… Ore, vërtet, mos “Dum babën” disa nga ne, madje dhe njerëz të librave, që Turqinë osmane e otomane (dy sulltanët themelues të perandorisë së tyre) na e paraqisin si “Prometeun shpëtues” të shqiptarëve që na dha mençuri, kulturë, zhvillim, mirëqenie, libra, sqimë? Ore, mos vërtet e kam gabim, se Turia bëri mirë që na mpaku identitetin tonë të mëhershëm evropian duke na i frenuar përparimin urban, arsimor, kulturor, shkencor dhe ndriçimin tonë zakonor, etnoshpirtëror perëndimor?!
Ajo që më bëri edhe më shumë përshtypje te ky libër ishte apologjia që i bënte një poet e njeri me emër në letërsinë bashkëkohore shqiptare, Hervin Hatibi. Në parathënien e tij ai këmbëngul se: “Po të vëresh argumentet apo akuzat ndaj çështjeve të Islamit ndër shqiptarë, do të konstatosh se ato mbështeten në dy kushte bazë: në interpretimin thjeshtëzues e jo shkencor të historisë (islamizim i dhunshëm, deeuropianizim i Shqipërisë!) si dhe në shfrytëzimin çakallor të momentit të vështirë politiko-ekonomik të shqiptarëve (izolim e armiqësi me Perëndimin e pasur). Vetëm kështu argumenti mund të jetë implikues për sa më shumë njerëz”.
Hatibi përligj padashur aspektin kriminal të segmenteve të keqpërdorura të Islamit nga shtetet, organizatat politike apo lëvizjet fundamentaliste islamike teksa këshillon një kuptim “të thelluar” të historisë së Islamit dhe raportit të tij me krishtërimin. Dhe kësodore ideja shkon pastaj në një farë “përligjjeje” të situatës së fondamentalizmit islamik si lëvizje kundër SHBA dhe Evropës grabitqare ndaj naftës së tyre, terrorizmin në emër të fesë, nxitjen e urrejtjes, përjashtimin e çdo besimi tjetër dhe shndërrimin e fesë në element e faktor të mirëfilltë politik e instrument pushteti. Eh… këtu më vjen si padashur ajo fjala e njohur: “O tempora, o mores…”

Facebook Comments

Related posts

Gjuha shqipe pa gabime

Eagle

OSO KUKA

Eagle

Si votuan shtetet e BE-së për vizat e Kosovës në Parlamentin Evropian?

Eagle

Leave a Comment

ten + three =

Ballina
Lajme
Letërsi
Politikë