Përpjekja Shqiptare
Letërsi

Psikodrama e protagonistit

Nga Ag APOLLONI

◾◾◾

Drama “Asgjë veç Gjuzepes” e Haqif Mulliqit, në të cilën autori i ka bërë një rëntgen shpirtit të bashkëshortit dhe të prindit, është vepër specifike që derivon si sintezë e dy modeleve teatrore: teatrit psikologjik dhe teatrit të absurdit.

Asgjë veç Gjuzepes (2004) është drama e nëntë e Haqif Mulliqit (1960) dhe njëherësh drama më e veçantë e tij, gjithsesi edhe më e vështira për t’u inskenuar. Është shkruar me një përkushtim për të qenë kushtim për më të dashurit e tij, ngaqë kjo dramë ku flitet për rolin që luan familja te individi i kushtohet katër anëtarëve të familjes së autorit (“…katër muzave të mia, të vetmet dhe të vërtetat”). Madje, përkushtimi dhe kushtimi lidhen me tekstin jo vetëm në një shenjë paratekstuale (G. Genette), por edhe në ide e në strukturë.

Drama e protagonistit

Drama Asgjë veç Gjuzepes e Haqif Mulliqit që në fillim paraqet një sfidë. Autori zgjedh një temë personale për ta trajtuar në formën më impersonale të letërsisë. Një temë tipike për lirikën, ai e bën të pëlqyeshme për dramatiken. Derisa etimologjikisht mënyra dramatike i referohet foljes që shënjon veprimin, Mulliqi anashkalon dramën e jashtme duke preferuar dramën e brendshme, ose psikodramën. Pikërisht për këtë, bartës i “veprimit’ në këtë dramë është Gjoni, i cili, jo vetëm që nuk vepron, por, për më shumë, përton edhe të flasë. Kështu, tema e dramës është atipike për zhanrin (dramën), por tipike për tipin (psikodramën), që është një gërshetim i psikologjikes me metafizikën. Në fakt, më shumë se për një temë, këtu bëhet fjalë për një tërësi temash (pritja, dashuria, vdekja etj.).
Mizanteksti i kësaj drame është ky: koha: e tashme, vendi: pansion (Prishtinë); personazhet: Gjoni, Andronika dhe Kristina. Në qendër gjithmonë është Gjoni, profesor i historisë, ndërsa dy personazhet tjera nuk e shkaktojnë dramën, por e shpalojnë atë duke dialoguar me Gjonin. Meqenëse këtu hetohet drama e kaluar e protagonistit, i cili ka pësuar një amnezi, mungesa e dramës së jashtme është e motivuar dramaturgjikisht. Kjo është dramë ku tragjedia familjare shkakton një konflikt të brendshëm, duke evituar konfliktin e jashtëm. Protagonisti fajëson vetveten, jo të tjerët. Ka mjaftuar vetëm një çast sa çelë e mëshel sytë për t’u kthyer jeta e tij e lumtur në një tragjedi.

Sinopsisi i dramës

Për t’u njohur me tragjedinë e protagonistit është e paevitueshme dhënia e këtij sinopsisi të dramës: Një natë, Gjoni duke e dërguar Andronikën shtatzënë me veturë drejt klinikës ku do të lindej Gjuzepeja që po jepte shqelmat e fundit në barkun e nënës, pëson një aksident, nga i cili Gjoni shpëton, gruaja bie në komë, ndërsa vdes Gjuzepeja i pa lindur, të cilin po e prisnin me aq dëshirë. Nga ky aksident, i cili shkaktohet nga një pakujdesi e Gjonit (që po shtirej se po flinte), Gjoni shpëton me defekte, por e humb kujtesën. Dhe asgjë më nuk i kujtohet, as pas tridhjetë vjetësh, asgjë veç Gjuzepes, tek i cili kishte varur shpresat. Gjoni është në pansion dhe e injoron gjithçka që ndodh jashtë, sepse ai ka probleme me brendinë e tij, me ndërgjegjen e cila e vret për shkak të pakujdesisë së asaj nate fatale. Gjoni më nuk e di se ku përfundon realiteti e ku fillon fantazia. Prandaj, atë e vizitojnë dy femra nga dy botë të ndryshme: Kristina, kujdestare e pansionit dhe Andronika, gruaja e tij. E para është e gjallë, e dyta e vdekur.

Figura dhe ide

Haqif Mulliqi në këtë dramë zhvillon një lojë figurash dhe idesh të ndryshme, që i përshtaten temës, e cila këtu është e pandashme nga stili, i cili, sipas J. Cocteau-s, është shpirti i veprës, jo dekor i saj. Në mesin e figurave shquhet antiteza, që shfaqet edhe në nivel të pozicionimit të autorit dhe personazheve. Kurse, në mesin e ideve, që janë reflektime për personin, familjen dhe jetën humane në përgjithësi, dominon ideja mbi dashurinë dhe mbrojtjen e saj.
Figura e antitezës shfaqet edhe në dialogët e dy karaktereve që e vuajnë tragjedinë familjare, Gjonit dhe Andronikës, ku i pari nuk beson në fat, prandaj fajin ia lë vetes, kurse e dyta fajin ia lë fatit:
“Gjoni: O Zot, përse, përse më bëre t’i mbyll sytë asaj nate, përse më bëre të besoj se po flija mbi timonin e makinës sonë? Përse nuk ma mundësove që vetëm njëherë në jetë ta shihja Gjuzepen tonë… Gjuzepen tim e ti atëherë ta realizosh vullnetin tënd. Përse na ndëshkove…Përse më ndëshkon tash e tridhjetë e dy vjet, pas asaj ngjarjeje shkatërruese. Përse?
Andronika: Fat, Gjon, ai ishte fati ynë. Pastaj ai shoferi i maunës që na goditi ishte i dehur dhe me makinën e tij përbindëshe kishte kaluar në anën tonë…Pastaj, ti as që ke mundur ta shihje ngase ai na u shfaq beft nga e djathta ashtu që ti ndoshta as nuk ke mundur t’i hapësh e as t’i mbyllësh sytë në atë çast…Zot, sa i ishim gëzuar asaj shtatzënësie… Sa të lumtur ishim nisur asaj nate për në klinikë, Gjon…Gjuzepeja ynë po i hidhte shqelmat e fundit në bark…edhe ai i gëzohej kësaj bote…”
Figura e antitezës shfaqet në tekst edhe shumë herë të tjera, si p.sh.: lumturia-fatkeqësia, jeta-vdekja, e kaluara-ardhmëria. Madje këtë antitezë (e kaluara-ardhmëria) Mulliqi e vë si relacion ndërmjet Gjonit dhe Gjuzepes, ku i pari është profesor i historisë, pra përfaqësues i së kaluarës, kurse i dyti përfaqësues i së ardhmes. Prandaj, vdekja e Gjuzepes është vdekje e ardhmërisë së Gjonit, i cili refuzon të jetojë të sotmen dhe preferon të ngelet peng i së shkuarës. Ai është njeri që jeton me të kaluarën, sepse në të kaluarën e ka humbur, e ka mbytur të ardhmen. Gjonit nuk i intereson çka ndodhë në kontekst, por çka ndodh në kujtesën e tij, ngaqë jeta e ndërprerë e Gjuzepes vazhdon vetëm në kujtesën e protagonistit, përderisa jeta e Gjonit është peng i një çasti, ndërsa ai vetë është rob i së kaluarës dhe vrasës i së ardhmes.
Asgjë veç Gjuzepes është një dramë me ritëm të ngadalësuar dhe me një diskurs dramatik që karakterizohet nga përsëritja e situatave dhe dialogëve. Përsëritja potencon kujtesën e dëmtuar të protagonistit, i cili shpesh refuzon të flasë (dhe kështu e këput dialogun) dhe refuzon (madje as që mundet) të veprojë (dhe kështu e shmangë veprimin).
Haqif Mulliqi, pos që e ka pasuruar dramaturgjinë kombëtare me një temë universale, me këtë dramë i ka bërë një rëntgen shpirtit të bashkëshortit dhe të prindit. Së këndejmi, kushtimi dhe përkushtimi, që u cekën në fillim, hynë në marrëdhënie ndërvarësie.
Për të gjithë ata që ende kërkojnë nga tekstet letrare të nxjerrin një ide në formë këshille a porosie, megjithëse autori i përmbahet parimit të ajsbergut, ajo ide, apo ai mesazh i kësaj drame do të mund të formulohej kështu: e vjetra ka nevojë për të renë, ashtu si edhe e reja për të vjetrën. Pra, kërkohet kontinuitet, në këtë rast, kontinuitet gjenetik.

Facebook Comments

Related posts

Aroma e tjetrit është gjëja më e bukur që mund të provosh

Eagle

Përballë vdekjes

Eagle

Na ishte njëherë një vend ku hanin kryet e njeni-tjetrit…

Eagle

Leave a Comment

ten − four =

Ballina
Lajme
Letërsi
Politikë