Protestuesit maqedonas kanë thyer xhamat e ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Jashtme në Shkup, në ditën e katërt të protestave kundër propozimit francez, duke lënduar edhe 4 efektivë policie. Protesta, e cila ka filluar para objektit të qeverisë, ka vazhduar më pas tek MPJ, ku protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike, ndërsa i kanë bërë thirrje edhe ministrit të Jashtëm, Bujar Osmanit, që ta mësoj historinë e vendit.
Madje në shenjë proteste, në pankartat e protestuesve emri i Bujar Osmanit, ishte deformuar në Bugar Osmani. Kjo është dita e katërt që në Shkup po mbahet protesta me moton: “Ultimatum? Jo, faleminderit”, kundër propozimit francez përmes të cilit synohet të tejkalohen dallimet mes Shkupit dhe Sofjes zyrtare rreth të kaluarës dhe çështjes së identitetit maqedonas.
Protestuesit po kërkojnë që autoritet e qeverisë në Maqedoninë e Veriut, të refuzojnë propozimin e Bashkimit Evropian, të njohur si propozim francez, për fillimin e negociatave për anëtarësim. Sipas tyre, francez bën “bullgarizimin” e Maqedonisë së Veriut dhe nuk e njeh gjuhën e as historinë maqedonase. Propozimi francez, i cili arriti në Maqedoninë e Veriut më 30 qershor synohet të tejkalojë dallimet mes Shkupit dhe Sofjes për çështjen e gjuhës dhe të kaluarës historike me këtë dhe zhbllokimin e procesit integrues në Bashkimin Europian.
Facebook Comments