Përpjekja Shqiptare
Emin Azemi Shqipëria Natyrale

“PROPOZIMI FRANCEZ” DHE (MOS)FAKTORIZIMI I SHQIPTARËVE

Nga Emin AZEMI

◾◾◾

Ose një përgjigje dashamirëse ndaj qasjes së gabuar të Halil Matoshit mbi marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase…

Paradoksi i marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase qëndron tek mosdefinimi i pozicioneve që do të bënte diferencimin substancial në mes të lojalitetit blanko dhe kooperativitetit, në mes të statusit të qiraxhiut dhe statusit shtetformues. Shqiptarët në Maqedoni janë të shquar për një lojalitet gandist kundrejt politikave shtetformuese maqedonase, mirëpo, çuditërisht, nuk e kanë rrumbullakësuar për vete procesin e shtetformimit. Logjika e segmenteve të caktuara të politikës shqiptare në Maqedoni për të zaptuar një copë pushtet në oborrin e kryeministrave maqedonas, ende pa ndodhur faktorizimi i vërtetë i shqiptarëve, ka degjeneruar kuptimin e përfaqësimit dinjitoz- institucional të tyre.

Tani kur rrugët dhe sheshet e Shkupit po gjëmojnë nga thirrjet për një far zgjimi kombëtar maqedonas, që po ndodhë gjatë protestave kundër “propozimit francez”, faktori politik shqiptar po mundohet të demonstrojë një racionalitet në vendimarrje, duke ms u bërë palë e krizës, por partner i forcave eurointegruese që synojnë ta largojnë Maqedoninë e Veriut nga vagonat e prishur të “trenit të çmendur ballkanik”.
Dy opsionet dominante maqedone që kishin prejardhje të ndryshme ideologjike – VMRO dhe LSDM – me kalimin e viteve u bënë fatpërcjellëse të pashmangshme të shkëlqimit dhe rënies së lavdisë politike të shqiptarëve të Maqedonisë. Si një hije që ndjek udhëtarin e lodhur në shkretëtirë, ishin pikërisht këto dy opsione dhe për pasojë politikëbërja shqiptare, me apo pa vetëdije, u bë peng i ambicies së pashpjeguar për ‘’bashkëshortësi’’ të përjetshme me këto dy parti kontradiktore maqedone.
Kjo rrëshqitje e shkallëshkallshme e filozofisë politike të shqiptarëve të Maqedonisë në pragamtizmin banal të bashkëjetesës së dy tendencave etnike që pajtoheshin vetëm për çështje të politikës së ditës dhe për ndarjen e ndonjë trofeu që sjell pushteti, pamundësoi krijimin e frymës së bashkërendimit dhe bashkëpunimit brendakombëtar të shqiptarëve. Ndasia brendashqiptare sikur u bë lajtmotiv i politikave të papjekura që bashkëqeverisjen me partitë maqedone e shndërroi në dogmë nga e cila as sot e gjithë ditën nuk po lirohemi. Ky dogmatizim i teknologjisë së bashkëqeverisjes ka nxjerrë nga përdorimi energji të shumta krijuese e intelektuale të shqiptarëve në Maqedoni dhe diasporë .Lojërat oborrtare të segmenteve të caktuara politike të shqiptarëve, të veshur lirë me kimonot e industrisë karamelizuese, kanë trimëruar LSDM –në dhe VMRO-në që të projektojnë ide për shtetndërtim pa shqiptarët. Por, edhe logjika e segmenteve të caktuara të politikës shqiptare në Maqedoni për të zaptuar një copë pushtet në oborrin e kryeministrit maqedonas, ende pa ndodhur faktorizimi i vërtetë i shqiptarëve, ka degjeneruar kuptimin e përfaqësimit dinjitoz- institucional të tyre.
Nga segmente të caktuara të politikës shqiptare, por edhe të një pjese të shoqërisë shqiptare në Maqedoni, LSDM dhe VMRO ende perceptohen si faktorizues dominantë, pa të cilët nuk ngrohë dielli në oborret e varfëra të shqiptarëve, Deri më tani nuk ka ndodhur (me ca përjashtime) që ky faktorizim të bëhet në saje të unitetit brendashqiptar dhe ofertës së përbashkët kundrejt politikës maqedonase. Duke e hetuar këtë dobësi të shqiptarëve, kryeministrat maqedonas, prodhojnë karamele për të joshur ambiciet karamelizuese oborrtare të aparatçikëve shqiptarë.
Këta të fundit, të joshur nga kjo industri informale karamelësh, jo rrallë këmbejnë kauzat e tyre kombëtare- partiake me ndonjë favor të vockël që mund ta marrin nga politikanët maqedonas.Marrja gjatë gjithë kohës e bashkësisë ndërkombëtare (Brukseli, Uashingtoni) me kontestin që ka Maqedonia e Veriut me Bullgarinë dhe sfidat që ajo i kishte në rrugën e (mos)integrimeve euro- atlantike, krijoi një bindje të çoroditur tek forcat nacionaliste maqedonase se politikat e tyre retrograde, të orientuara kryesisht kundër shqiptarëve, mund të kalojnë pa u ndëshkuar nga bashkësia ndërkombëtare.Logjika e segmenteve të caktuara të politikës shqiptare në Maqedoni për të zaptuar një copë pushtet në oborrin e kryeministrit maqedonas, ende pa ndodhur faktorizimi i vërtetë i shqiptarëve, ka degjeneruar kuptimin e përfaqësimit dinjitoz- institucional të tyre. Gara për t’i nxjerrë syrin njeri tjetrit dhe vrapi për të siguruar sa më shumë vota në favor të partisë së Zaevit, i bënë një pjesë të shqiparëve të Maqedonisë do fare kopje të zbehta të sanço pançove pa brekë, të cilëve do t’ua kishte zili edhe Servantesi po të ishte gjallë.
Jo pak shqiptarë, tash dhe në të kaluarën, kush më shumë e kush më pak, kush më hapur e kush më tinëz, kanë bërë gara që të jenë më afër partive të caktuara maqedonase dhe axhendave të tyre për të siguruar edhe një mandat qeverisës dhe shumë më larg projekteve e ideve që do të mund të galvanizonin ecjen e shqiptarëve me energji të përbashkëta drejt një ardhmërie të përbashkët.
Në funksion të strategjisë për të zgjedhur gjoja midis shiut e breshrit, disa megafonë dhe reprezentë të shoqërisë civile, që zakonisht flasin njëfarë gjuhe të unitarizmit të tejkaluar maqedonas, ua kanë imponuar votuesve shqiptarë edhe një alternativë qëshkon përtej kampusit elektoral shqiptar, duke e prezantuar LSDM-në si ventilin e vetëm ku mund të shfryhen frustrimet dhe pakënaqësitë e shqiptarëve.
Përpjekja për ta paraqitur shoqërinë shqiptare pa alternativë politike e civile, ndërkohë që ajo është prezente dhe shumë aktive, e bënë edhe më problematike marrëdhinen që mund të krijojë politika maqedonase me një pjesë të shqiptarëve, duke ua hequr atyre akrepat e orës politike. Nëse ndodhë kjo, atëherë tiktaku i kohëmatjes për një pjesë të shqiptarëve në të ardhmen mund të trokas në ndonjë sahatkullë të Strumicës a Vallandovës, ndërkohë që brirat e politikës shqiptare mund të thyejnë rekorde absurd të brendapërleshjes për do funksone që reahtojnë individë, por jo edhe shqiptarët. Këta të fundit kanë nevojë të faktorizohen përmes projekteve urbane, sociale, kulturore e ekonomike të përfaqsuesve legjitimë të tyre, e jo përmes sponzorizimeve jeniçere që impjanet parapolitike i paketojnë si ‘’produkte vendore’’, paçka se etiketat e tyre mund të jenë shtypur që moti në ofiçinat politikave asimiluese.
Pasi të kenë kaluar këto përplasje identitare bullgaro-maqedonase, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut duhet t’i përveshin mëngët dhe të luftojnë për statusin etyre shtetformues. Për rrjedhojë, paradoksi i marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase qëndron tek mosdefinimi i pozicioneve që do të bënte diferencimin substancial në mes të lojalitetit blanko dhe kooperativitetit, në mes të statusit të qiraxhiut dhe statusit shtetformues. Shqiptarët në Maqedoni janë të shquar për një lojalitet gandist kundrejt politikave shtetformuese maqedonase, mirëpo, çuditërisht, nuk e kanë rrumbullakësuar për vete procesin e shtetformimit. Sa iu shpagua shqiptarëve kostoja e lojalitetit, duke filluar nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta e deri më sot? Nëse në vitet nëntëdhjetë shqiptarët vepronin nën ombrellën e një kushtetute që nuk po e shprehte realitetin shumetnik të shtetit, po tani kur u bënë ndyrshimet kushtetuese, si është I definuar statusi i shqiptarëve dhe a ka një shpërtputhje në mes të luftës që ata bënë në 2001shin dhe trofeve politike të asaj lufte që shqiptarët megjithatë i rangon si pakicë kombëtare në të gjitha ligjet që dalin nga kushtetuta aktuale.
Nëse në vitet nëntëdhjetë Gligorovi u thoshte shqiptarëve: rrini urtë, mos kërkoni shumë, se po e irritoni VMRO-në nacionaliste, tani shqiptarëve u thuhet gati e njëjta gjë, por me një konotacion dhe ambalazh tjetër. Tani u thuhet shqiptarëve se duhet të rrinë urtë sepse rrymat proruse dhe pro-serbe e shfrytëzojnë këtë si adut për ta destabilizuar Maqedoninë dhe, për pasojë, për ta rrezikuar kauzën e saj evropiane. Lojaliteti i shqiptarëve përdoret si terapi gjeopolitike, sepse vetëm shqiptarët qenkan ata që po i përcaktokan kauzat evropiane të shtetit! Madje, me çmim që ata të jenë ekstremisht lojalë, ndërkohë që autorët dhe redaktorët maqedonas, në librat e tyre shkollorë, pa fije turpi dhe papengueshëm, mund t’i trajtojnë shqiptarët si ardhacakë dhe si uzurpatorë.
Në njërën anë shqiptarëve u kërkohet të jenë lojalë ndaj shtetit të Maqedonisë, kurse, në anën tjetër, ata trajtohen si një trup i huaj i këtij shteti.Madje, shqiptarët “ardhacakë” dhe si “uzurpatorë”, siç quhen në librat e shkollarëve maqedonas, qenkan përcaktuesit gjeopolitik të Maqedonisë evropiane (!).
Tani thuhet se janë bërë ndryshime kushtetuese, por shqiptarët sërish nuk janë një komb shtetformues në Maqedoninë e Veriut. Janë avancuar shumë çështje, siç është çështja e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe dhe ajo e përfaqësimit adekuat, por të gjitha këto çështje nuk janë bërë kategori kushtetuese. Mjafton të shikohet Ligji për Shtetësi ku kusht për marrjen shtetësisë së Maqedonisë është njohja e gjuhës letrare maqedonase.
Askund nuk përmendet gjuha shqipe dhe, për pasojë, plot shqiptarë janë refuzuar të pajisen me shtetësi vetëm sepse nuk e kanë zotëruar mirë (me shkrim dhe me gojë) gjuhën letrare maqedonase. Sikur gjuha shqipe të ishte kategori kushtetuese, shqiptarët do ta merrnin me automatizëm shtetësinë e Maqedonisë, por kjo nuk po ndodh, sepse sovraniteti shtetëror ende buron nga shtylla shtetformuese e popullit maqedonas.
Shqiptarët e Maqedonisë aktualisht ndodhen në mes të të drejtave ligjore dhe kufizimeve kushtetuese. Sikundër dihet kushtetutshmëria e një të drejte është më e lartë se ato që definohen me ligje, sepse këto të fundit dinë të jenë edhe kontradiktore dhe me shumë dubioza, siç është, bie fjala, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, në tëcilin askund nuk përmendet gjuha shqipe, për arsye të boshllëqeve kushtetuese, kështuqë shqiptarët, megjithatë, rangohen si qytetarë të rendit të dytë, pas maqedonasve, të cilët janë shtylla e kombit shtetformues.
Në planin praktik kjo është lehtësisht e vërejtshme dhe e prekshme, madje edhe tepër eksplicite, për arsye se liderët maqedonas, bie fjala, mund të takohen kur t’u teket dhe të vendosin si t’u teket, pa marrë mundin që për këtë të kenë edhe miratimin paraprak të politikanëve shqiptarë. Ky miratim mund të vijë post-festum, por kjo flet për diçka tjetër.
Për çka flet kjo?
Kjo flet se maqedonasit e shohin veten si shtyllë të kombit shtetformues, kurse shqiptarët i shohin si mbështetës të këtyre shtyllave. Në dipotrinë maqedonase, shqiptari duhet të jetë ekstremisht lojal ndaj shtetit ( të maqedonasve) dhe ata (maqedonasit) vendosin se sa të drejta (ose sa kg. të drejta) duhet t’i kenë shqiptarët. Të drejtat e shqiptarëve aktualisht u ngjasojnë marrëdhënievenë mes të shitësit dhe blerësit që blen mall me veresi. Ky i fundit, për të mos hyrë më shumë borxh, është i detyruar që groshën të mos e blejë me kilogram, por kokrra- kokrra, shalqirin ta blejë me flegra, kurse akulloren ta shijojë duke e lëpirë xhamin e ëmbëltores.
Në dioptrinë maqedonase në Maqedoni, sidomos të këytre që po protestojnë që të mos bullgarizohen sipas “propozimit francez”, nuk jeton kombi autokton shqiptar, por “një pjesë të kombit shqiptar” që ndodhet dikund, jashtë territorit të Maqedonisë. Kjo i bie që shqiptarët në Maqedoni, pasi që janë pjesë e kombit shqiptar, janë do kalimtarë të rastit që i kanë hapur çadrat dhe përkohësisht janë vendosur në tokën e “shenjtë maqedonase”.
Me fjalë të tjera, shqiptarët , sipas Kushtetutës aktuale, e kanë statusin e banorëve nën çadra me stacionim të përkohshëm, kurse madhësia e çadrave si edhe hapësira që zënë ato aktualisht përcaktohen me ligj.
Në dioptrinë maqedonase nuk ka gjuhë zyrtare shqipe në Maqedoni, por ka një popullatë prej 20 për qind që e flet atë gjuhë.
Nesër me iu tekë romëve me u bë 20 për qind, komod mund ta përdorin zyrtarisht gjuhën e tyre, sepse këtë ua garanton ligji.
Perceptimi për lojalitetin ekstrem të shqiptarëve ndaj shtetit të Maqedonisë shpërfaqet edhe në një rrafsh tjetër. Nëse dje gruevizmi shërbente për të kamufluar feudalizmin oligarkik të një kaste njerëzish që politikën e mbindërtonin mbi një doktrinë mafioze për t’u pasuruar, zaevizmi sot po e përdor një doktrinë krejt tjetër, e cila mund të jetë shumë më e dëmshme, sepse përmes asimilimit politik të shqiptarëve, ai po mundohet të katapultojë koncepte të paqarta si “një shoqëri për të gjithë”, me kusht që fuqia faktorizuese e shqiptarëve të reduktohet në përfaqësime grupore dhe individuale.Procesi i shteformësisë së shqiptarëve, është kapitulli i ri i marrëdhënmieve në mes të dy popujve më të mëdhenjë në Maqedoninë e Veriut. Pa rrumbullaksimin e këtij procesi, perspektiva e Maqedonisë së Veriut do ti ngjante një fryti gjysëm të pjekur, dhe garës se kush do të arrinte të vjelë sa më shumë fruta të pjekuta. A ka rrezik që shqiptarëve sërish t’iu mpihen dhëmbët për shkak të ofertave gjysmake në kopshtin evropian me fruta ballkanike ?

▪️Shkup, 13 korrik 2022

Facebook Comments

Related posts

Mazar Dino: “Komunistët e shitën Çamërinë tek grekët”

Eagle

Loja dhe krimi me sistemin arsimor të Kosovës po vazhdon

Eagle

Burgosja e librit!

Eagle

Leave a Comment

12 − four =

Ballina
Lajme
Letërsi
Politikë