Përpjekja Shqiptare
Shqipëria Natyrale

PELEGRINAZH I MINISTRIT AMERIKAN HERMAN BERNSTEIN TE MANASTIRI I SHËN GJON VLADIMIRIT NË SHIJON (SHËN JOAN) – ELBASAN)

Nga Mal BERISHA

◾◾◾

SI SOT 90 VJET MË PARË: 5 QERSHOR 1931 – 2021

Sjellë me shkurtime nga Raporti i dhënë nga Legata Amerikane në Tiranë, dërguar Departamentit të Shtetit Amerikan.

Më 5 qershor 1931, Ministri amerikan në Shqipëri, Herman Bernstein bëri një pelegrinazh në Kishën e Shën Gjon Vladimirit në Elbasan. I gjithë udhëtimi përshkruhet në një raport të dhënë Departamentit të Shtetit nga vetë ai. Ky material jep shumë informacion të asaj kohe për Kishën Orthodokse Shqiptare, për bashkëjetesën fetare, paragjykimet e bestytnitë.
Kreu i Kishës Autoqefale të Shqipërisë, Visarioni, është në qendër të këtij informacioni. Ky shkrim ka rëndësi të madhe për të parë se sa thellë në kohë shkon harmonia fetare midis shqiptarëve dhe a është një dukuri që u kultivua pas kthimit të Shqipërisë në një vend ateist, apo ishte në ADN-në tonë. Ajo që Bernsteini përshkruan në këtë material vërteton të dytën.
Manastiri gjendet në dalje të Elbasanit, sapo merr rruga e vjetër Elbasan – Krrabë – Tiranë, në të djathtë. Ai gjendet në fshatin Shijon, i cili duhet ta ketë marrë emrin pas shkurtimit të emrit Shën Joan.

JA SI PËRSHKRUHET NGA LEGATA AMERIKANE PELEGRINAZHI TEK KISHA E SHËN GJON VLADIMIRIT:

“Ministri Bernstein mori një ftesë nga Kryepeshkopi Visarion, Kreu i Kishës Ortodokse, për të vajtur te Manastiri i Shën Gjon Vladimirit në Elbasan në ditën e festës së Shenjtit.
Më 5 qershor në orën shtatë të mëngjesit kortezhi u nis nga Tirana për te Manastiri. Ata morën rrugën e re nëpër Qafën e Krrabës, rrugë e cila kalon pranë Legatës Amerikane. Rruga në Qafë të Krrabës ende nuk kishte përfunduar në atë ditë të pestë të qershorit.
Pasi arritëm në Manastirin e Shën Gjon Vladimirit na priti Kryepeshkopi Visarion, i cili po e drejtonte meshën. Psallmet ishin të bukura, të shoqëruara me gjeste, të cilat është vështirë t’i përsëritësh. Peshkopi kishte një pamje madhështore në veshjen e tij të artë peshkopale. Ai mbante rripa të artë dhe breza të dekoruara me xhevahire fetare. Tre xhevahirë të mëdhenj i vareshin në gjoks dhe në kësulë. Ata reflektonin në dritën e mijëra qirinjve të ndezur, duke e bërë kurorën edhe më fantastike. Ai vazhdoi me psallmet, duke predikuar si më poshtë:
“Ky Shenjt që ka bërë mrekullira është një sllav. Ai ka lindur në fshatin Vladimir afër Krajës në kufirin e sotëm midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Në atë kohë nuk kishte dallime midis serbëve, çekosllovakëve, bullgarëve a sllavëve të tjerë. Sllavët në atë kohë ishin vetëm sllavë, kudo që të gjendeshin.

E dhe në Jugosllavi ka një grua shqiptare shenjtore.
MAIKA ANGELIKA
Ajo shenjtore quhet Maika Angelika e cila ishte princeshë e një dinastie sunduese në Shkodër. Ajo u martua me një princ dalmat dhe kur mbeti e ve, mori në dorë qeverisjen e një province midis Kroacisë dhe Sllovenisë. Sundimi i saj ishte aq i drejtë dhe bujar, saqë shtetasit e saj njëzëri e konsakruan shenjtore të vendit të tyre, pas vdekjes. Trupi i saj gjendet në Manastirin Ortodoks të Maika Angelikas në Vrushkaja Gora dhe dita e saj e kremtimit është në stinën e verës. Mijëra e mijëra njerëz shkojnë atje çdo vit, për t’ju lutur shenjtores shqiptare me aq devocion, sa edhe ne për Shën Gjon Vladimirin.
Për më tepër, fëmijët e mi të dashur, Shën Gjon Vladimiri ishte një princ sundimtar këtu në këtë botë. Ai ishte dhëndrri i Mbretit të Ohrit dhe jetoi një jetë të pastër, një jetë të shenjtë, jetën e Ungjillit. Për këtë arsye të afërmit e gruas së tij e vranë atë në mënyrë mizore. Ata i zunë pritë, kur ai po shëtiste në një ishull të vogël në Liqenin e Prespës. Ndërsa u kapërthye me vrasësit pa pasur asnjeri që ta ndihmonte, iu tha atyre: “Përse kaq tradhëtisht po më vrisni o njerëzit e gruas sime? Atëherë vazhdoni! Pritmani kokën!” Ai i mbylli sytë dhe i zgjati duart përpara dhe, pasi armiku ia preu kokën shenjtit, koka i ra në duart e tija dhe e mbajti vetë atë. Kjo ka ndodhur gati një mijë vjet më parë. Ai u shenjtërua. Me kokën në duart e veta, Shën Gjoni i hipi kalit dhe kalëroi drejt e këtu dhe kërkoi t’i ngrihej Manastiri. Këtu ishte vendi, ku ai vinte për gjah, kur ishte princ dhe po këtu është dheu, ku deshi t’i prehej shpirti.
Kjo turmë e madhe njerëzish që është mbledhur këtu përfshin njerëz nga pjesët më të largëta të Shqipërisë. Ajo që është më kuptimplotë është se gjysma e kësaj grigje janë muhamedanë, të cilët i besojnë shenjtit dhe i luten atij. Shën Gjoni i do këta myslimanë, sepse ai nuk bën dallime fetare. Për atë janë të njejtit njerëz sikur atëherë, kur ai jetonte 900 vjet më parë, atëherë kur të tërë ishin të krishterë, atëherë kur muhamedanët, as që kishin dëgjuar për fenë që kanë sot.”
Gjestet e Kryepeshkopit ishin kaq dramatike dhe patetike, sa besimtarët filluan të derdhnin lot. Ai ishte aq mjeshtër, sa edhe vetë u përlot. Kryepeshkopi u kthye nga altari, ku ishte varri. Vizitorët diplomatë nga Tirana u ftuan të hynin në altar.
Dalëngadalë arka e Shenjtit bëri tre rrotullime rreth kishës në krahët e njerëzve. Të krishterë dhe muhamedanë njëlloj ishin aq të lumtur që kishin arritur ta preknin atë. Ata ndienin se kishin siguruar shëndetin dhe fatin e mirë të paktën për një vit, derisa të vinte procesioni tjetër.
Ata ishin aq të sigurt tani, sa në mendjet e tyre do të mbretëronte shëndeti dhe fati, si dhe begatia në bujqësi, bereqet e bagëti, pasi kishin prekur arkën. Një sasi e madhe parash me stemën e Bankës Kombëtare Shqiptare u mblodhën atë ditë. Kjo i dha fund ditës së shërbimit.”
Një përshkrim i tillë tregon sesa shumë gjëra interesante, si nga rituali fetar, bashkëjetesa midis feve dhe toleranca etnike, ekzistojnë te ne shqiptarët.

Facebook Comments

Related posts

Në Ibrik Tepe, Trakë, në gjurmët e Theofan Stilian Nolit

Eagle

Pse Tito e themeloi Universitetin e Prishtinës?

Eagle

Dosja Berisha

Eagle

Leave a Comment

eleven + 6 =