Përpjekja Shqiptare
Sociale

Një histori bese në Mirditë

Nga Gert VLASHI

◾◾◾

Në bjeshkë të Oroshit, djali i Ndrec Çokut kishte l’shu gjanë e gjallë për kullotë. Ai i binte fyellit dhe shijonte bukurinë natyrore të vendlindjes. Pushkën e kishte mbështur në një lis të motshëm, krejt pa mendu se çfarë e përgjonte pas drizave e shkurreve.
Papritur, nga shkurret dalin tre hajna ( hajdutë ), të armatosur, që i sulen tufës. I riu u ndje i papërgatitur, por i vendosur për të ruajtur mallin e vet dhe bukën e robve. Pa ba za tërhoqi pushkën, zuri pozicion pas një guri dhe u thirri.- “Kushdo qofshi, mos bani gabim me prek në tufën time“.- Per një moment ra heshtje, pastaj u dëgjua një krismë pushke. Agresorët, gjuajtën në ajër për ta trembur. Djali në anën tjetër u përgjigj po me pushkë. Disa bashkëfshatarë të djalit që ishin pak minuta më larg në mal, pasi dëgjuan krismat u nisën me të shpejtë. Ndërkohë, gjatë shkëmbimit të zjarrit, një plumb e merr në ballë çobanin. Hajnat, duke parë bashkëfshatarët e çobanit që po afroheshin me të shpejtë të armatosur, nga frika e kundrapërgjigjes për djalin e vrarë, u ndanë dhe u munduan të ikin nga sytë-këmbët. Dy nga ata hynë në pyll, ndërsa tjetri, bash ai, doraci që kishte vrarë çobanin, u dha këmbëve për nga fshati. Fshatarët i ishin afruar shumë, gati për ta kapur a vrarë. Ai u zu ngushtë, ishte i kapur ose i vrarë po të vazhdonte. Instiktivisht vendosi të kërkonte besë në shtëpinë e parë që do haste. Fryma po iu merrte, këmbët po e tradhëtonin, zemra i dridhej nga frika e hakmarrjes, pasi kishte vrarë një njeri të pafajshëm. Kur gjithçka i dukej terr, gjendet në oborrin e një kulle. -“ O i zoti i shpisë “,. Në derë del një plak, i mbajtur, nga ato burrat e zakonit që nuk i kanë munguar kurrë malsisë.-“ Hajde“, foli plaku. -“ Po më ndjekin me më vra, ndore tane e të Zotit. Më jep besë“, foli vrasësi gjithë frikë e përultësi.- “Qofsh në besën teme“, foli gjithë fisnikëri plaku.

Ndërkohë fshatarët që po e ndiqnin u afruan oborrit të kullës, e u shtangën kur panë vrasësin më plakun. U zu një heshtje prej varri!-“ Dëgjoni burra, ça do që të ketë ba ky njeri, sot është në besën teme. Kush ndez pushkë në të, ka ndez pushkë me shpinë e Çokut “, theu heshtjen me vendosmërinë e besës dhënë, plaku. Përsëri heshtje….

-“ Po ai i paburrë ka vra djalin tënd or Ndrec Çoku “, foli me gjysëm zëri një nga burrat e fshatit.

Plaku u dridh, u nxi në fytyrë, por e kontrolloi veten.

-“ Boll barrë e randë më paska ra or burra, por kjo nuk ndryshon asgja në besën që kam dhanë “, foli dhe pastaj iu drejtua vrasësit-“ Ti më ke vra djalin, e më ke gjakun borxh. Por më ke kërku edhe besë, e unë ta kam dhanë. E, malet tona nuk e shkelin besën e dhanë. Sonte je mik te unë. Nesër do të ti them dy fjalë“.

Gdhiu mëngjesi, askush nuk kishte fjetur. As mortja nuk ishte hapur. Para kullës ishin mbledhur gjithë burrat e fshatit. Doli edhe Ndrec Çoku bashkë me vrasësin e të birit.

-“ Ke besë 30 ditë, tre nga njerëzit e mi do të të përcjellin deri në kufi të bajrakut tonë, siç e lyp zakoni e besa. Pas 30 ditësh mbyllu mrena se do të të vras “, vetëm këto fjalë foli Ndreca.

Vrasësi u shoqërua nga njerëz të besuar e të armatosur deri në kufi të bajrakut. Në kullën e Çokut u hapen dyert për mort dhe për t’i dhënë nderimet e fundit djalit të vrarë.

Pas një muaji, Ndrec Çoku dhe njerëzit e tij vrasin doracin. Kështu marrin gjakun e djalit, por respektojnë edhe besën e dhënë.
Për këtë rast është folur brez pas brezi me shumë respekt në malësitë e Mirditës e jo vetëm.

📷|Kulla e Çokut në Lajthizë të Oroshit

Facebook Comments

Related posts

Jo detyrimit dhe insistimit për një mbështetje të sforcuar të kauzave liberale në shkollat e mesme

Eagle

Martirët e Karadakut (1846 – 1848) sipas dokumenteve franceze

Eagle

TVSH paguhet dhe nga taksat e homoseksualëve!

Eagle

Leave a Comment

two × three =

Ballina
Lajme
Letërsi
Politikë