Përpjekja Shqiptare
Shqipëria Natyrale

MBI LEJIMIN E SHAMIVE NË SHKOLLA NË KOSOVË

Nga Enver ROBELLI

◾◾◾

1▪️Deri në moshën 18-vjeçare fëmijëve nuk u lejohet të votojnë. Kjo bëhet për shkak se ata konsiderohen si të papjekur për të marrë pjesë në procese politike dhe elektorale. E drejtë apo e padrejtë – kështu është ligji. Me çfarë të drejte, ndërkaq, u lejohet prindërve që t’ua imponojnë fëmijëve të tyre simbolet fetare derisa janë të moshës jomadhore? Një vajzë 7-vjeçare nuk guxon të votojë, por ajo duhet të mbulohet, sipas logjikës së propagandistëve fetarë. Kësisoj ajo duhet të gëzojë lirinë e mbulimit, por jo edhe lirinë e votimit. Në fakt krejt çka po kërkojnë fanatikët fetarë është manipulimi i fëmijëve për interesa të agjendave politike regresive. Debati mbi shaminë ka qenë më përparimtar më 1947 se më 2022. Motoja e atëhershme ka qenë: shporreni shaminë, përqafojeni diturinë. Sot, sipas fanatikëve fetarë, fëmijët duhet të DEPERSONALIZOHEN, të maskohen, të reduktohen në gjini dhe të veçohen me mbulesa.

2▪️Presidentja e Kosovës dhe kryeministri i Kosovës duhet hapur, qartë dhe pa mëdyshje të deklarohen se cilën rrugë duhet ta ndjekë Ministria e Arsimit dhe mbarë shoqëria. A duan ata që në shkolla fillore të mbulohen fëmijët? Apo janë kundër? Derisa po gjejnë kohë të flasin orë e çast për rrezikun e luftërave të reja, për Rusinë, Putinin e tema të tjera të mëdha ndërkombëtare, presidentja e Kosovës dhe kryeministri i Kosovës duhet të flasin sidomos për çështjen e mbulimit të fëmijëve të moshës jomadhore në shkolla publike. Gjithsesi qëndrim duhet të mbajnë edhe politikanët e tjerë, edhe ata në opozitë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, zërat publikë, profesorët, arsimtarët, drejtorët e shkollave fillore, gjimnazeve etj.

3▪️Në vend se t’i detyroni gratë të mbulohen e shndërrohen në figura pa personalitet, pse ju, burra fanatikë të ymetit mysliman, nuk mbuloheni vetë? Pse? Nëse koka e gruas është e turpshme, pse nuk qenka koka e burrit fanatik e turpshme? Ndoshta sepse është boshe? Pse koka e gruas të mbulohet dhe jo edhe e burrit? Pse flokët e gruas qenkan të turpshme dhe flokët e burrit të paturpshme? Shamia nuk është, në thelb, shqetësim i grave. Shamia është traumë e burrave fanatikë që çdo dykëmbësh e shohin vetëm si objekt seksual. Me problemet e këtyre burrave nuk duhet të merret shteti, por psikiatria. Shteti duhet të jetë neutral ndaj të gjitha feve.

Facebook Comments

Related posts

Oksidentalizmi i shqiptarëve kundrejt antisemitizmit

Eagle

Gjeneralët apo kur fjala vdes në plumb

Eagle

Grabitja nga nazistët e arit shqiptar, mashtrimi komunist për mbretin Zog dhe Beogradi si qendër propagande

Eagle

Leave a Comment

seventeen + fourteen =

Ballina
Lajme
Letërsi
Politikë