Përpjekja Shqiptare
Art Kujtesë

“MALL E NOSTALGJI”

Nga Fatos KOLA

◾◾◾

83 vite më parë rrahu fort zemra e frymoi jeta e një prej dashnorëve më të mëdhenj të bukurisë në art dhe në jetë, unikalit dhe të papërsëritshmit SADRI AHMETI. Në EPITAFIN e banesës së fundit të tij, harbon ende E QESHURA HYJNORE që shenjoi fort kujtimin e pavdekshëm të tij në zemrat tona. Në Epitaf shkruhet dhimbshëm paliria e kohës kur ai jetoi
-“MË SË FUNDMI DO QESHEM, DO QESHEM E DO QESHEM… PA I MARR LEJE ASKUJT”. Edhe sot e qeshura e tij harbon në errësirën tonë.

“Mitikja dhe magjikja në veprën piktorike të Sadri Ahmetit”

Sadri Ahmeti hyri vrullshëm në jetën artistike shqiptare të pasviteve ’90-të.
Asokohe sapo i pat kaluar 50 vite jetë, në 33 prej të cilave pati si kundërshtar shtetin dhe u përball me një jetë plot privime, deri tek të drejtat njerëzore më elementare.
Kundërshtarët inferiorë e pozicionuan dhe e trajtuan padrejtësisht e paturpësisht, si të ishte qënie e rëndomtë, megjithëse Sadriu, qysh në rininë e hershme kish shfaqur prirje për shumë fusha të artit, krahas talentit të pajisur me fuqinë e jashtëzakonëshme për t’i përmbysur e rikrijuar botëkuptimet dhe botëndjesitë shprehur nëpër vepra të njimendta arti, aftësi të pohuara këto në tre gjuhë të të shprehurit artistik: atë shkrimore, atë pamore dhe gojëtari.
Me nektarin që derdhi, si sasi dhe cilësi veprash, përgjatë 20 viteve jete të lirë në botën e artit, Sadri Ahmeti pohoi si rrallëkush se ç’mund të arrijë njeriu i lirë kur di ç’ta bëjë lirinë e vet. Liri që atë e shtyu në kërkim të burimeve të virgjëra, atje ku muzat ngjizin magjitë e krijimit artistik, dhe me këtë limfë virgjërie ushqeu dejet e çdo vepre ku shpalohet jo vetëm shëndeti i tij artistik, por dhe kumti qiellor i shpirtit të tij.
Në kohën e dogmës, ëndërrimtarët ishin njerëzit më të urryer, e Sadriu ishte një nga më të pandreqshmit ëndërrimtarë, andej e këndej kufirit që ndante shqiptarët.
Ai që në fillim të shfaqjes, jo vetëm pohoi qartë se kish pasur me tepri çfarë t’i kumtonte kësaj bote, por me gjuhë unikale e polivalente tha shumëçka edhe për vetë artin, në të tre gjinitë që zgjodhi të shprehet: gojëtarinë, prozë-poezinë dhe pikturën, duke e pohuar vetveten si një fenomen fort i rrallë në artet tona.
Por le të ndalemi tek piktura, njëra prej dashurive më të mëdha të tij.
Sadriu që në shfaqjen e tij të parë, në vitin 1991, me një ekspozitë personale në teknikën piktorike te akuarelit, shpërfaqi vizionet estetike vetjake dhe na njohu me hapësirat e reja shprehëse të kërkimit artistik.
Ai zbriti në fushëbetejën e përgjakur të artit shqiptar me vepra të realizuara bash në teknikën që do të mbetet më e preferuara e tij, përgjatë gjithë jetës, e ku arriti majat më të larta të zotërimit teknik e mjeshtëror, që ndonjë piktor, brenda dhe jashtë Shqipërie, ka mbërritun gjatë shekullit XX e deri më sot: Ai mujti me përralltu me ngjyra në teknikën mikste të akuarelit.
Mbi 40 bukuroshet e tij qenë lajmëtaret se një dashnor i ri i bukurisë hyjnore, me zemrën plot kangë e ngjyra, paskish qenë shitu prej zanash e shtojzovallesh, e qe puthë me ta virgjënisht, ndër andrra me sy çelë, në bjeshkët ku kish lind e lëshu shtatin djaloshar. E në shpërblim prej magjepsjes të pashlyeme, si një zemër e marrun peng, derdhi mushtin ngjyror e arriti t’i shfryjë gjendjet e kondensueme e të mbajtuna ndrydhun përmbi 30 vjet. Vite që e kishin maturuar, për të sjellë në jetën brenda botës së artit, vlimet e tij të brendshme.
Kumtet e tij ngjyrore derdhur furishëm, ngjashëm me një katarakt ujor, bënë të rrezëllonin përplot magji kuadratet e mbarështruara me një zell të pashoq, ndër trillet e tekat e akuarelit, që, siç e dimë, nuk përsëdyten kurrë.
Me kuadratet e tij të papërsëritshme, ai, asokohe e deri në fund, ia doli mbanë të na transmetojë gjendjen e shitimit deri thellë në zemër të shikuesve, ngjashëm me ato të rrëfenjave për mitet dhe legjendat shqiptare.
Katarakti ngjyror që shpërthen e derdhet furishëm, pas majisjeve të gjendjeve të kondensuara shpirtërore, bëhet tipar esencial i veprës së Sadriut qysh nga ky fillim e në të gjithë vazhdimësinë e korpusit të veprave të tij piktorike.
Femërorja dhe hyjnorja janë lejtmotiv i gjenetikës së tij të brendshme e krijuese.
Magjikja supernatyrale e pikturuar modernisht në fantazi tek kompozimet dhe pejsazhet, shpreh dukshëm ndërhyrjen hyjnore, si magmë e gjithëpushtetshme dhe gjithëkohore, shpreh forcën magjike mbi natyralen, çka i kthen krijesat e tij artistike në mitike.
“Fantastik art”, art plot fantazi, nën një lojë ekscentrike formale, krahas përdorimit pafund të trukeve teknike, janë format dhe instrumentariumi me të cilat Sadriu ia arriti të paraqesë vlera të papritura e të paimagjinueshme, duke na pohuar se: Format dhe ngjyrat janë fjalë hyjnore që, të zhvendosura në art, janë të afta të na transmetojnë mesazhe që vijnë nga përjetësia e shpirtit njerëzor vendosur në marrëdhënie që relatojnë si frymë dhe energji vetëm me hyjnoren, ku edhe ligjësitë universale që rrok mendja njerëzore gjithmonë tronditen.
Këto imazhe hyjnore, që përmbajnë në vetvete fuqinë e realitetit të përceptuar me shqisat e mbaresat ndjesore, na rrëfejnë dialogun e Sadriut me botën e përtej materiales, duke e kthyer veprën e tij në strehë të shpirtit me destin hyjnor.
Me këtë hyjnore në shpirt, Sadriu e kish thyer burgun artistik shqiptar qysh kur ish burgosur në paliri fizike.
Rrëfenja e vërtetë sipas të cilës ai i bëri të dashurohen, i fejoi dhe i martoi shokët e tij të prangosur, me bukuroshet e pikturuara brenda qelive te burgut, duke i çliru ato nga brenga e humbjes së jetës në zgafella e gulagë të komunizmit – janë arsyeja dhe shpjegimi i faktit përse shpirti i lirë, që është thelbi i krijimit të tij artistik, nuk iu nënshtrua, jo vetëm palirisë, por dhe modave në liri.
Kjo e vërtetë e patjetërsueshme qëndron në themelitë e formësimeve unikale të të gjithë krijimtarisë dhe ekspozitave të tij, të cilat krijuan një pentagram autentik të ligjërimit pamor shqiptar dhe më gjerë, nëpërmjet veprave që ngjallin “gëzim estetik”, tipar ky i gjithëpranuar i personalitetit të tij njerëzor.
Njeriu projekton vetveten e tij në veprën e artit. Parë kësisoj, veprat e Sadriut ishin për trupin e sëmurë të artit shqiptar një gjallim i ndërkomunikimit të kapilarëve zanafillorë, duke ruajtur palcën e ligjërimit pamor, qoftë si asht dhe bosht i origjinës, qoftë si ligjërim modern.
Janë pikërisht këto tipare që e karakterizojnë Sadriun si antikonformist i lindur, si kundërshtar i dogmatikëve dhe modistëve, të cilët flasin e bëjnë gjithshka që s’ka lidhje me thelbin e artit, teksa harrojnë se kanë humbur misterin, duke bërë çka munden dhe jo çka duan, sikurse bëjnë krijuesit e vërtetë.
Botëkuptimi estetik i projektuar në formësimin që kanë veprat e tij, ku abstragimi formal është armë fuqiplote, është begatia që hasim në veprat përplot risi formale, çka i dedikohet drejtpërsëdrejti shkakësisë estetike nga marin jetë veprat e tij.
Stili i tij imagjinativ e bën të aftë të shpërfaqë çlirtazi dhe lehtësisht vizione të ëndërrave jo reale dhe abstrakte, që janë sa të thella po aq edhe enigmatike. Vizione këto që i gjejmë të evidentuara në raport të ndërsjelltë me prehistorinë, si mënyra të të shprehurit të emocioneve shpirtërore, ku nëpërmjet stilit ndjesor Sadriu formëson figuracione që ruajnë gjurmë nga realiteti, por që njëkohësisht kanë pësuar edhe një transformim nën ndjesinë e një zhvillimi të brendshëm, e që lidhet me dilemat që vijojnë qysh nga njeriu i lashtë e deri tek ai modern.
Mbretëria e tij nuk eshtë bota në qytetin urban, por është rikthimi i kokës nga fillim-fillimi me pyetjen prej nga vjen njeriu? Nga vjen individi dhe si përkufizohet ai? Dhe kjo sepse jeta urbane e prangosur shpirtërisht e materialisht, bën që të zvetënohet e zvogëlohet njeriu, nga i plotë në i fragmentuar. Realitet dhe zbulim që na pohojnë se, ajo që ka rëndësi për të gjitha kohërat artistike është eksperienca e një imazhi të brendshëm arketipal, cilësi dinamike kjo që nënkupton një proces unikal; krijimin e plotërisë ose ardhjen e plotërisë në ekzistencë, si një entitet ekzistues gjithkohor.
Parë kësisoj Sadriu na sjell shpirtin e kohës, lartësimin e individit, por vlerësimi retrospektiv e ridimensionon atë si shpirt që marrëdhënëson me gjithkohësinë. Dhe kjo sepse për të, jeta tokësore, bota e trupi, ishin dhe mbetën forca që duheshin mposhtur, jo thjesht për t’i shpëtuar tundimit njerëzor që mbeti gracka e përjetshme e materialistëve kundërshtarë të tij, që bënë gjithëherët vetëm plënc e plaçkë, por sepse sipas tij, në veprën e artit duheshin mposhtur e prishur ligjet e gravitetit material.
Mitikja dhe magjikja: janë çelësi dhe fuqija e tij; janë muzhti jetëdhënës që frymon e pulson gjendje marramendëse; janë shtrati ku shpirti i tij dematerializohet për të shpërthyer në ofshama drithëruese që përhapen gjithkah me një energji ngjyrore që pjalmon gjithçka.
Sadriu mbeti shpirt që nuk limitohet, begati kjo e tablove te tij me ngjarje estetike të papërsëritshme, duke na pohuar se sipas tij arti i përket botës së brendshme të të vërtetave dhe jo botës së jashtme të fakteve.
Sadriu na pohon gjithashtu se të vërtetat ndërtohen e lidhen mbi bazën e një gravitacioni unikal, që e ka folenë dhe fushëveprimin në shpirtin e tij, ndaj dhe e kërkoi bukurinë e shenjave të pastra, duke i shndërruar veprat e tij në emocione të virgjëra, në ikona të shenjtësisë së pacenueshme.
A ka ndonjë artdashës apo shijues që nuk i njeh menjëherë sa t’i shohë muzat e tij? A nuk është kjo shprehje e identitetit të fortë artistik, e lakmueshme kjo për çdo artist, ndonëse fare pak syresh ia dalin mbanë kësaj sfide, që të përlan pa mëshirë e s’pyet për asnjë sakrificë vetjake, apo pushtet artistik.
Si një artist i madh, Sadri Ahmeti qëndroi brenda dhe përtej kohës kur ai jetoi. Ai kaloi ndër rrebeshe e tramundana, por s’e humbi kurrë dinjitetin njerëzor dhe identitetin artistik, ndonëse si qëndrestar i pakompromistë doli tejet i dëmtuar si individ njerëzor, por me një triumf të vërtetë si artist.
Mjaft të përmëndim faktin se këtij artisti të pashoq i humbën mbi 30 vjet jetë artistike, gjë që fajëson mëkatarët që ndaj tij kryen krim të rëndë me dashje, e që sot janë fshehur.
Por historia na mëson se në art kërkohet: Karakter i fortë, ndershmëri e vetmohim deri në flijim.
Krijimi që është thelbi i artit, ka për zemër këtë lloj qënieje, dhe Sadriu ynë ishte i tillë.
Jeta dhe vepra e Sadriut na mësojnë se; edhe pse ta cfilisin jetën, prehjen dhe tundimin për të qenë i urtë prej mençunisë, njeriut i duhet rrasht i fortë ndërgjegjeje qytetare e profesionale, që të lartohet përtej reve.
Duhet të kesh forcë të përballesh me stoicizëm për të qenë i lirë, në palirinë e bërë nga të tjerët.
Duhet të duash ardhmërinë më shumë se çdo e tashme me lavdi, e të jesh zot i ëndërrave të tua.
Jeta e njeriu të zakonshëm është shumatorja dhe kronika kohore e kompromiseve të tij. Por jeta e Sadriut nuk ishte e tillë.
Jeta artistike mendohet se është shumatorja kohore e zaptimit të shpirtit të artistit nga muzat bash në kohën e vetmisë së tij.
Ai ishte i gjithëpushtuari prej muzave. Provë për këtë janë sasia gjigante e veprave të tij, realizuar në një kohë mjaft të shkurtër, çka, duke i shtuar cilësinë qe ato mbartin, e shndërrojnë Sadri Ahmetin në artist të klasit të parë në të gjitha lëmitë artistike që lëvroi.
Në raportet e tij me Gjithëkrijuesin ai qe fatlum, ai ishte i zgjedhuri i Tij.
Të kaluar në kohë kuptojmë përse arratisej ai nga realiteti ynë pa dritë Zoti e diturie, por i “ndriçuar” me arsim të lartë partie.
Sadriu zgjodhi të gjendej në gjirin e një bote ku paqja e shpirtit do të qe një strehë mbrojtëse ndaj stuhive politike.
Qashtërsia e veprave të tij, si gjuhë shprehëse e mendim i lartësuar, zanafillon tek muzat-hyjnesha, që sipas Homerit, janë bash ato që frymëzojnë këngët.
Të nënta muzat i gjejmë tek vepra poetike dhe piktorike e Sadriut; Lirizmin, muzikalitetin, vallëzimin, erotizmin, historizmin, tragjizmin, himnizimin, epizmin, astronomizmin.
Të gjitha banuan në olimpin e shpirtit të tij dhe ai i projektoi në vepra.
Dashuria, magjepsja dhe adhurimi, ndriçojnë të gjitha veprat e tij, me kryefjalë sinqeritetin dhe delikatesën, si fuqi magjike që shembin perandori force pa shpirt.
Ideografinë e ringjalljes e gjejmë tek Sadriu teksa sjell krijueshëm në veprat që shprehin, nënshtresa konceptesh metaforikë e mitologikë.
Gjuha estetike e tij është e ngopur me këtë ushqim të zgjedhur. Pas çdo zvetënimi, Mujin e ri do ta rilindin e fuqizojnë bjeshkët e virgjëra, si dhe zanat e shtojzovallet e atyre viseve, prej nga vjen virgjëria dhe gjaku i pastër që përzen nga venat gjakun e shprishun prej vesit.
Fuqia shprehëse që kanë mikrokuadratet e pikturave të tij, vjen me pejsazhe shpërthyes që përhapin një dritë verbuese që të magjeps. Ato janë të mbushura me vegime mëngjesore që zgjojnë pyllnajat me vesë mbuluar e që çmenden hareje prej ylbereve ngjyrorë, të ngjashëm me imazhe portretesh vajzërore, që shfaqen në engjëllim, me sy plot shprehje lutëse që të ndërmendin se nga portat qiellore hapen e shpërthejnë dritat hyjnore, që e marramendin shikuesin.
Buzë të purpurta, si dy petale të sapoçelura e të lëngëtueme me dy pikla të mëdha vese mëngjesore, balle, faqe e gusha të stërpikme, me bulëza vese të derdhuna përplot ahe mjeshtërore të pashoqe – e pulsojnë hapësirën e tij piktorike. Ato ndrisin e meken në tisin e afshit vajzëror.
Janë shtojzovalle apo hyjnesha që të shitojnë me nurin që e përhapin në ajri, e prejkah të pushton shtangia dhe në trupat tanë limfat rrjedhin tërbueshëm.
Dhe kur mendon se të gjitha këto magji janë kriju vetëm me një pëllëmbë letër dhe disa pika ngjyra uji – që qenë të vetmet pasuri materiale që i mbetesh pas kafshatës së bukës – atëherë arrin ta kuptosh shpirtin e Sadri Ahmetit.
Me to ai krijoi kopështin e tij, ku mbolli gjithë magjitë që i ushqeu e vaditi me gjakun e pastër të zemrës gjithmonë veç në dhurim. Veç në dhurim si kuptimi më i lartë i miqësisë, teksa ndau atë që kish me miq, të njohur e të pa njohur, duke na lënë pas jetë e vepra të pashoqe.
Si një kalë pa fre, ai u kalërua dhe bashkudhëtoi me magjitë në të gjallë, e me të cilat iku prej nesh dhe shtegëtoi në përtej jetë…
Ma ndihin mbylljen e fjalës përrallëtimet e gjyshes time, që në fëmijëri ma dehnin shpirtin në paragjumje, teksa për personazhet mitikë që më ndërmendin Sadriun, thoshte: “Ai s’ishte rob vetiu moj nonë, sepse ai, tanë jetën, heci maje lisash”.

Facebook Comments

Related posts

“Udhëtimi i fundit me Agim Qiriaqin, si vdiq në vetmi tue iu dridhë duar e kamë”

Eagle

Pse nuk e pranoj çmimin Nobel

Eagle

Ikja pa fjalë e Bimit

Eagle

Leave a Comment

eighteen − 18 =

Ballina
Lajme
Letërsi
Politikë