Përpjekja Shqiptare
Edukim

Ligji i pashkruem në Shqipni

Nga Margaret HASLUCKU

◾◾◾

“NË FAKT, VETËQEVERISJA E MALSORËVE SHQIPTARË SHKON LARG DREJT NJË DEMOKRACIE TË VËRTETË NË SENSIN ANGLO-AMERIKAN TË KËSAJ FJALE AQ TË SHPËRDORUEME. NË MËNYRËN E SAJ PRIMITIVE AJO ISHTE VËRTET QEVERISJE E POPULLIT, NGA POPULLI, PËR POPULLIN.”

“Kjo marrëdhanie e ngushtë në mes të individit dhe bashkësisë [e krijueme me Kanunin Shqiptar] qe gjithashtu frenim për diktaturën. Shtresa sunduese gjithmonë duhej me respektu pronën e individit në bazë të ligjeve të bashkësisë. Ata nuk mund të banin kurrfarë ndryshimesh në ligjet egzistuese derisa të merrnin pajtimin e Kuvendit të katundeve apo të fiseve të tyne. Mundeshin me imponu, por nuk mundeshin me mbledhë gjoba (përveç në fiset të cilat kishin gjobambledhës); presioni shoqnor ishte i domosdoshëm për këtë. Në një dënim ma të zakonshëm, për dëbim, mund të lunin rol jo ma shumë sesa pala e vartësve. Nuk mund të miratonin dënime të randa si leçitje apo dënim me vdekje përderisa Kuvendi i atij katundi apo fisi nuk bante këtë, e, edhe nëse e bante këtë, ata nuk mund t’i banin ballë vullnetit të tij. Shkurt e trup, pleqnarët urdhonin, por nuk e diktonin sentimentin popullor.

Ata nuk ishin as oligarki e privilegjueme. Ban që uleshin në vendin e nderit apo merrnin kryet apo synin e qengjit në darsëm, por nuk kishin rezidenca zyrtare, kuaj apo roja të nderit të sigurueme për ta në llogari të popullit. Jetonin në shtëpi të cilat shpesh ishin ma modeste sesa ato të vartësve të tyne; hanin ushqim të njëjtë dhe dërrmoheshin tue punu në mënyrë të njëjtë nëpër fushat dhe ndër grigjat e tyne. Në fakt, vetëqeverisja e malsorëve shqiptarë shkon larg drejt një demokracie të vërtetë në sensin anglo-amerikan të kësaj fjale aq të shpërdorueme. Në mënyrën e saj primitive ajo ishte vërtet qeverisje e Popullit, nga Populli, për Popullin. Ajo i kishte të metat e saja, natyrisht; ndonjëherë ndoj gjyqtar merrte ryshfet apo dikush binte dëshmitar të rrejshëm me gjithë parandalesat e krijueme ndaj këtyne keqpërdorimeve. Prap, sistemi legal si tanësi funkciononte mirë, ishte shpesh ma i shpejtë dhe gjithmonë ma i lirë sesa cilido sistem legal i njëjtë europian dhe linte pak krime të pazgjidhuna.

Margaret Haslucku, “Ligji i pashkruem në Shqipni”, 1954, fq. 11

▪️Përktheu Agim Morina.
(Vepra asht botim i Universitetit të Kembrixhit, UK)

Facebook Comments

Related posts

Arvanitasit dhe kontributi i tyre në kishën orthodokse

Eagle

In Memoriam: Patër Lekë Sirdani

Eagle

Durham: Burrat e Kosovës dhe ata të Korçës janë kulmi i racës shqiptare

Eagle

Leave a Comment

two × 4 =

Ballina
Lajme
Letërsi
Politikë