Përpjekja Shqiptare
Politikë

Letër Lulit…

Nga Agim XHAFKA

◾◾◾

E kam ndjekur çast pas çasti fushatën tënde, i dashur Lulëzim Basha. Dhe si të gjithë e pohoj që ishte bindëse, e detajuar, shpresëdhënëse dhe e realizueshme. U duk më rrezëllitëse ngaqë kundërshtari përballë nuk afroi gjë, hiç fare. U shfaq me bilanc 8 vjeçar negativ dhe me rrena të realizuara më së miri. Ai veç shau e fyeu këdo që i vinte në mendje atë moment.

E kur shqiptarët në shumicë menduan se fitorja kishte trokitur te PD, duhej t’i hapej veç dera e t’i thuhej: welcome, ndodhi çudia. Qeveria dështake, mashtruese, përtace dhe hajdute paskëj fituar zgjedhjet. Ndodhi si në një vrapim që merr medalje atleti që del i fundit në vrapim.

U kuptua që ky bollëk votash vinte prej pabarazisë në garë, prej kodit kusar, prej përdorimit të burimeve të shtetit, prej kërcënimeve, prej blerjes së votës, prej manipulimit me komisionierë. E për shumë shkaqe të tjera.

Nëse një gjë e tillë do të ndodhte kudo qysh më 26 prill ai shtet do zjente nga protestat e revoltat. Por ja që Shqipëria është mësuar me kryet në tokë. Duruam 50 vjet çdo rrëmbim të lirive tona. U burgosëm brenda atdheut dhe spiunuam vëllain, motrën, babain, nënën vetëm që mos të na mërzitej qeveria e partisë së vetme.

Në fakt vendi ynë pati debate e sherre. Por ama jo për masakrën e 25 prillit. Pati zjarr në media për qëndrimin tënd Lul në krye të PD. Donin të ikje si humbës, si gjumash, si njeri që nuk frymëzon për fitore. Fjalë, imzot, fjalë, do thoshte Shekspiri.

E ja, tani që u krye parimi një anëtar një votë e që u zgjodhe kryetar i PD-së marr guximin të të sugjeroj:

-LULËZIM, BËHU SI RAMA! URGJENT!

Nëse do fitore, mos bëj fushatë me program dhe me analiza. Nisja talljes në takime me TIMON, KAZAN, TEPSI. Mos zgjidh kandidatë për deputetë nga rinia e shkolluar. Shko në burgje, në gjykata, në polici, merr emrat e më kriminelëve. Sidomos VRASËSIT e TRAFIKANTËT të bëjnë më shumë punë. Afro te partia BIZNESMENË të pasur dhe premtoju që do u japësh çdo truall të atdheut. Ata të vendosin gishtin e ju qoftë falë. Kërko financime nga NDËRTUES e lejoji ata të bëjnë kulla edhe me 100 kate, kudo në Tiranë, madje dhe në mes të fushës të stadiumit “Air Albania”. Në fund, por jo nga rëndësia, bli sa më shumë tv. Pronarëve të tyre premtoju autostrada e analistëve arkëtohu para e vendosu emrin e tyre ca shkollave. Kështu ata do ngrysen e gdhihen me emrin tënd në gojë. Do u kullojnë jargët nga masturbimi e të zezën do e quajnë të bardhë, madje të bardhë të shndritshme.

Lul, nuk ke mundësi ta mundësh çakallin me fjalime drerësh e me këngë zogsh. Ai do përballë hijena dhe tigra të uritur. Nuk ke shans tjetër me bandën që ke përballë. Ajo luftohet vetëm me mjetet e saj. Dhëmb për dhëmb e kafshim për kafshim. Ndryshe…Ti e di vazhdimin.

Facebook Comments

Related posts

Adnan Dibrani tre herë deputet në Suedi: Kujt ja dedikoj suksesin

Eagle

Shkodra nuk mund të qeveriset nga banda e inkriminuar, 6%-shi nuk do ta marri peng

Eagle

Ka një lajm shumë të keq në dorëheqjen e Xhafajt

Eagle

Leave a Comment

two × three =