Përpjekja Shqiptare
Opinion

Le të jemi altruistë

Nga Bashkim RRAHMANI

◾◾◾

Për betejat e gladiatorëve kemi informacione të bollshme. Dimë edhe 1600 vjet pasi betejat e tilla u ndaluan. Është shkruar mjaft për gladiatorë. Janë realizuar shfaqje e filma nga ku kemi mësuar e parë betejat e tmerrshme që zhvilloheshin nga “njerëzit me shpatë”, para tribinave të mbushura plotë e përplotë shikues si senatorë, politikanë, qytetarë, tregtarë, bastvënës, dyfytyrësh, kurvarë, mashtrues, sadist, e të tjerë, e të tjerë. Disa fitonin. Të tjerët shëronin komplekse. Disa kurdisnin lojëra të reja. Të tjerët ushqenin shpirtërat e tyre sadistë. Disa simpatizonin njërin nga luftëtarët. Të tjerët mbain anën e bishës në arenë, etj. Për të gjithë këtë, boll kemi lexuar e boll kemi parë. Mirëpo shumë më pak kemi parë e kemi lexuar lidhur për shkakun dhe shkaktarin që solli deri tek ndalimi i përhershëm i spektakleve, që mund të ishin gjithka veçse jo humane. Merita dhe mirënjohjet i takojnë një murgu të nivelit jo të lartë (Turk ose Egjiptas) të njohur me emrin Telemachus.

Fjala gladiator rrjedh nga fjala latine gladius që ka kuptimin e shpatës. Gladiatorët (njerëz me shpatë) ishin luftëtarë të armatosur me shpatë por edhe me shtiza, kama, dhe me rrjeta.
Më i famshmi ndër gladiatorët romak ka qenë Spartacus. Ai luftoi me ashpërsi në arenë, nga ku iku për t’i prirë revoltës së dështuar të skllavëve në vitin 73-71 PK. Gladiatorët argëtonin sentimentet morbide në rritje të publikut të etshëm për gjak. Shumica ishin njerëz të lirë. Një numër i vogël ishin femra. Gladiatorët profesionistë ishin klasë e privilegjuar në Romën Antike. Madje, trajtoheshin edhe si atletë të idealizuar. Thuhet se Perandori Commodus, i ishte bashkëngjiutr vrasjeve si gladiator në shumë raste. Një here, teksa ishte në arenë, i kishte prerë kokën një struci, kokën e të cilit e mbante lartë në duar, duke dashur që senatorëve t’ua bëjë të ditur, se ata mund të zënin vendin e strucit një ditë të caktuar.

Betejat më të përgjakshme ishin në arenat romake në Coloseum. Këtu thuhet se nuk merrnin pjesë gladiatorët profesionistë. Gladiatorë këtu ishin të burgosurit e luftës ose kriminelët e dënuar me vdekje. Të tjerët ishin skllav dhe kishin për të luftuar deri në frymën e fundit. Ata jo vetëm që luftonin kundër njëri tjetrit por këtë e bënin shpesh edhe me kafshë të egra si luanë, tigër apo arinj.

Janari i vitit 404 po shënonte ditët e fundit të perëndimit të Perandorisë Romake. Rënia e saj në një mënyrë u lehtësua me legalizimin e kristianizmit, të bërë një shekull më parë. Gjithsesi, si një frut i pjekur që bie vetvetiu, ashtu ndodhi edhe rënia në duart e pushtuesve barbarë në v.476. Në vitin 410 Roma ishte pushtuar dhe plaçkitur nga vizigotët. Vendi kështu ishte bërë më shumë si një pellg mbushur me ujëra të zeza, udhëhequr shpesh nga tiranë që kontrollonin në të gjitha aspeket e mundshme jetën e njerëzve dhe këtë edhe me tekat e me fantazitë e tyre prej të qenurit megaloman.

Në një ambient dhe atmosferë të tillë, shfaqet Telemachusi. Pas një qëndrimi të gjatë në Azi, tani Roma ishte destinimi i tij. Stadiumi i zhurmshëm i mbushur ma paganë sadist, nuk ishte diçka që mund të kënaqte një misionar të devotshëm.

Ishte ditë janari në vitin 404 dhe këtë më së miri e shpjegon Bishop Theodoret i Qipros, në Librin e V-stë të Historisë Eklektike. Aty, thotë Bishopi, “po zhvillohej një spektakël i neveritshëm ndërkohë që ai (Telemachus) kishte hyrë në stadium dhe kishte zbritur poshtë me një qëllim të vetëm. Kishte qëllim të ndërpriste burrat që përdornin armët kundër njëri tjetrit. Spektatorët e kësaj kasaphaneje ishin indinjuar sikur nga tërbimi i demonit, i cili kënaqet nga aktet e tilla të përgjakshme, dhe nga tërbimi e indinjata e mbytën me gurë paqebërësin.”

Kur perandori i admirueshëm u informua lidhur me këtë ai e rradhiti Telemachusin në mesin e martirëve fitimtar dhe i vuri fundin spektakleve me gladiatorë.

Sa i përket aktit të Telemachusit, ka edhe një pretendim tjetër sipas të të cilit ai kishte hyrë në mes të gladiatorëve në duel dhe duke qarë po u thoshte “në emër të Krishtit, ndaloni”. Kurse pretendimi tjetër thotë se (mund të jetë gënjeshtër fare) spektatorët kur panë se murgu vdiç, u kapluan nga një qetësi dhe një nga një ikën nga stadiumi. Pavarësisht pretendimeve për njërin apo versionin tjetër, nuk ka mospajtime për faktin qëndror, lidhur me lëvizjet e fundit dhe të guximshme të Telemachusit. Ai vdiç për të shpëtuar të tjerë. Për të bërë ndryshimin. Pas këtij akti, Perandori Honorius ndaloi lojërat e vrasjeve në Romë, përgjithmonë.
Një njeri bëri ndryshimin. Ai ishte një njeri pak i vërejtur para një janarit të vitit 404. Vështirë të thuhet se dihet më shumë sesa u tha për këtë njeri. Me gjasë shumë pak e kishin vërejtur atë teksa po futej në stadium, por që të gjithë pastaj e kuptuan arsyen e ardhjes dhe vërejtën edhe vet aktin që Telemachusi e bëri.

Padyshim Telemachusi nuk e dinte rezultatin, Megjithate ai e dha jetën e tij për diçka që fuqimisht besonte. E dinte me siguri se gjasat për sukses ishin mjaft të vogla. Pavarësisht kësaj e futi veten në rrezik pa menduar për ndonjë përfitim pasuror, famë apo pushtet për veten. Telemachusin mund ta përshkruajmë si një njeri të marrë në njërën anë apo si altruist naiv, në anën tjetër. Por më e mira është që të përfundojmë se ai kishte një motiv shumë fisnik. Ai e donte, e respektonte dhe e vlerësonte jetën e secilit, së paku aq sa e donte, e respektonte dhe vlerësonte të veten.

Njerëzit shkruajnë apo flasin për parimet e tyre dhe kjo është diçka krejtësisht e drejtë dhe normale. Këtë e bëjmë besoj të gjithë mjaft shpesh. Por dikush do të vlerësohet shumë më lartë dhe më mirë për shkak të përkushtimit për të marrë përsipër rrezikun përfundimtar dhe paguan çmimin në emër të këtyre parimeve. Duket se të tillët janë pakicë, por të tillët paraqiten sërish dhe sërish gjatë gjithë zhvillimit të historisë njerëzore. E këtyre duhet t’u jemi mirënjohës teksa veprimet e tyre padyshim na inspirojnë. Besoj në këtë që të gjithë pajtohemi. Sa mirë do të ishte, sikur të gjithë të beosjmë në forcën e ndryshimit, të cilën e kemi brenda vetes. Nuk kemi nevojë të japim jetën sikur Telemachusi. Lawrence W.Reed ka shkruar shumë më hollë e shumë më gjatë për çështjen e sakrificës për të mirën e përgjithshme, në kontekst të forcës së individit, të gladiatorëve dhe të Telemachusit. (Këtu, i referohem kryesisht këtij autori) Është mirë që në momente të caktuara dhe për çështje të caktuara të përpiqemi të bëjmë ndonjë akt si Telemachusi. Duke sakrifikuar, jodomsodoshmërisht jetën. Pa menduar për përfitim, mirënjohje, pushtet apo famë. Nuk ka rëndësi nëse dikush pastaj, pas akteve tona të na quaj si altruistë naiv, apo si individë të marrë. Ajo që do të mbetet, do të gëzohet e do të shijohet. kurse lapsi i tjerëve do të ketë shënuar altruzimin ose pamendësinë tonë. Por, pak ka të ngjarë, që ndonjë laps, aktet e tilla t’i përshkruaj si akte marrëzie. Prandaj, le të jemi altruist. Qoftë edhe naiv.

Facebook Comments

Related posts

“Game over” për dyshen Berisha-Basha!

Eagle

Operacioni i ndërhyrjes së RENEA-s ka qenë profesional

Eagle

Shqipërisë duhet t’i kërkohet falje pse vunë himin e gabuar në Francë

Eagle

Leave a Comment

2 − 2 =

Ballina
Lajme
Letërsi
Politikë