◾◾◾
Mësuesi që farkëtoi breza, mëkoi dije e kumtoi dritë. Shkrimtari që la një testament vlerash krijuese. Shqipëruesi që e latoi shqipen me një pasion të admirueshëm. Malsori që bëri një figurë krenuese. Miku, kolegu, bashkëpunëtori dhe vepruesi i dinjitetshëm.
Ramiz Lika u lind në Zagorë, komuna Shkrel, Malësie e Madhe, më 27 mars të vitit 1939, ndryshe, 15 javë para Shën Gjergjit të atij viti, ose atë kohë kur 15 aeroplan janë pa duke fluturuar në qiellin e asaj zone (është fjala për kohën e pushtimit të Shëipërisë nga Italia).
Mësimet fillore i merr në vendin e lindjes, ku spikat për përkushtimin për nxënien. Një kohë e vështirë, por një kohë së cilës ai i mori atë energji shpirtërore që shtyti gjithnjë e më fuqishëm drejt ëndrrës. Në vitet e mëvonshme, formimi i tij do të ngjizej në të tjera angazhime dijetuese, të cilat nisin me një shkollë fetare, për t’u pasuar njëra pas tjetrës deri në formimin akademik, atë për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Zotëron arabisht, rusisht, italisht dhe angalisht, gjuhë të cilat i ka nxënë në mënyrë autodidakte në një përformancë të admirueshme. Veprimtarinë e tij krijuese e përbëjnë 12 romane të shkruara në kohët e dy regjimeve, ku spikat për një tendencë disidence, moderniteti dhe kurajoje kumtuese estetike, e cila fatmirësisht nuk i solli konsiguenca ndëshkuese. Një pjesë të rëndësishme e punës së Ramiz Likës është shqipërimi. Rreth 25 është numri i botimeve të përkthyera nga rusishtja, italishtja dhe anglishtja, përfshi dhe një numër të konsiderueshëm shkrimesh publicistike dhe pedagogjike, të botuara në periodikët dhe shtypin e përditshëm.
©️ Zani i Malsisë
Facebook Comments