Përpjekja Shqiptare
Art

Kujtime nga jeta studentore dhe pas saj dhe një fjalë Pomenës

Nga Berat DAKAj

◾◾◾

Ditët dhe netët në Prishtinë në vitet kur isha student nuk ishin të këqija. Nuk hiqja keq për para. Babai më jepte vazhdimisht sepse i kishte mundësitë. Biznesi i ecte good edhe kur ishte fundi i muajit. Por, edhe pse kisha para dhe mund të bëja qejf natën në lokale të Prishtinës, pjesën më të madhe të kohës ia kushtoja leximit të librave. Sapo hapeshin dyert e Bibliotekës Kombëtare, mbase ndër dhjetë studentët e parë isha unë ai që hyja në të për të lexuar vepra dhe libra dhe më, për shkak se radha e studentëve që pritnin jashtë ishte e gjatë, nuk e lëshoja karrigen gjithë ditën e lume. Një lakmi kjo prej qeveritari. Pra, e plakja gjithë ditën aty, me aromën e librave të vjetër që më kapej prej hundësh. Ndonjëherë, kur nuk kisha ligjërata në fakultet, vinin punonjësit më thoshin edhe dhjetë minuta mbyllet biblioteka dhe duhet të bëheni gati së më parë që të dilni jashtë. Dilnim, krejt, pesë a gjashtë studentë/e. Kisha qejf ndonjë natë ta bëja gjumin aty, në karrige, në sallën e madhe, edhe kur bënte vapë, edhe kur bënte ftohtë, i vetëm. Megjithatë, s’e bëra asnjë kokërr gjumë gjatë tre vjetëve të leximit në të. As shoqëri të gjerë nuk bëra. Më së miri dhe më së shumti më njihnin punonjëset e bibliotekës të cilat më shërbenin vepra dhe libra gjatë gjithë ditës. Nuk krijova as lidhje dashurie as brenda e as përreth mureve të bibliotekës, se më vinte marre, po edhe po mos të më vinte marre nuk dija t’i shprehja ndonjë studenteje dashuri, edhe pse lexoja letërsi të bukur. Kur ndonjëra studente më shikonte shumë, marrohesha. S’isha kaq i plotë sa sot. I kisha vetëm 90 kilogramë, kurse isha i gjatë 1.91 cm. Jo kaq i shëmtuar sa sot dhe kaq bullafiq. Ato vite u dashurova në letërsi, edhe pse shkollën e mesme e kisha përfunduar për ekonomi. Në shkollën fillore isha nxënësi më i mirë në lëndën e Matematikës. Mësuesi Fadil Bashota m’i jepte katër detyra shtëpie, unë të nesërmen shkoja në shkollë me 400 detyra të zgjidhura. Në shkollën e mesme, për shkak të angazhimeve në dyqan dhe në depon e materialeve ndërtimore, Matematika dhe disa lëndë të tjera më dolën prej qejfit dhe mora pak tërthor në mësime. U bëra krah i djathtë i babës, i dyqanit dhe i depos. Traktorin e ngisja më rrallë, veturën dhe kamionët, përplot me material ndërtimor, më shpesh.
Pasi mbarova studimet për letërsi, doja të kthehesha në vendlindje, ta zgjeroja biznesin. Doja të bëja një dyqan të madh të prodhimeve ushqimore dhe një depo të madhe të materialeve ndërtimore. Baba dhe nëna nga unë kërkonin shkollim edhe më tutje. Dy motrat, më të vogla se unë, Albana dhe Violeta, u martuan herët dhe vajtën me burra në Zvicër. Meqë prindërit këmbëngulnin për shkollim në Prishtinë e jo për punë në fshat, një muaj pasi mbrojta punimin e diplomës të studimeve themelore, gjeta punë në gazetën më të sinqertë shqiptare dhe më të pavarur edhe sot, “Epoka e re”. Hyra dhe mbeta aty. Kur të shtunave shkoja në fshat, në vitin 2006, por edhe në vitin 2007, depoja e materialeve ndërtimore shihja se vetëm po zbrazej. Ndihesha keq, sepse doja të krijoja biznes të madh, e pa mua aty, baba s’dëshironte ta mbante as dhe një ditë. Kishte synim t’i shiste ato materiale që i kishin mbetur dhe ta mbyllte. Çdo të shtunë, për gjashtë muaj me radhë sa herë që shkoja në fshat, depoja veç bëhej më e vogël. Një të shtunë të shtatë në depo nuk kishin mbetur më as pesëdhjetë shufra metalike, pesëdhjetë thasë çimento, disa blloqe të Landovicës e disa materiale të tjera. Atë të shtunë, sa isha unë aty, të gjitha ato i dhuroi për xhaminë e fshatit Abri. I çoi vetë me kamion. Meqë vetëm në shitore më nuk doja të punoja, u ktheva aty ku hyra dhe mbeta, në “Epokën…” e Muhametit, nga e cila s’e kam ndër mend të dal vetëm nëse më nxjerrin zvarrë jashtë, ose nëse mbyllet! S’po them se nuk kam pasur oferta pune nga media të tjera. I kam refuzuar ato që më kanë ardhur ndër vite. Kurrë s’i kam bërë presion as shefit, as drejtorit të përgjithshëm, se po më fton kjo media. Më duket se asnjëri koleg imi aty nuk ka bërë një presion të tillë asnjëherë. Kemi jetuar në paqe me veten dhe me të tjerët, edhe jemi sharë, edhe shahemi edhe sot, edhe duhemi shumë. Shoqëri e shëndoshë. S’po them, ndër vite, se nuk kam pasur mundësi të bëj një media timen. E kam pasur. S’e kam bërë. Shefi, Muhameti, na ka besuar shumë. Na beson ende. Na ka lënë duart e lira, sepse na ka mësuar profesionin. Mua, redaktimin gjuhësor. Dikujt ia ka besuar kuletën, dikujt tjetër gazetarinë. Në një numër jubilar të gazetës ka shkruar për këtë fenomen të besueshmërisë që ka në punonjësit e vet. Kam shkruar për këtë njeri dhe për kolegët e gazetës disa herë. S’po shkruaj edhe sonte. Ndonjëherë tjetër, po. Por, këtë herë po i jap përgjigje bijës sime, Pomenës, e cila tetëmbëdhjetë minuta më parë më pyeti: “Babi, a më parë e lë punën në gazetë a në bibliotekë?”
“Në bibliotekë, Pomenë. Nuk braktiset shtëpia!”.

Facebook Comments

Related posts

Dasma e Lolës, arsyeja pse shembja e Teatrit Kombëtar nuk mund të ndalet

Eagle

Kallashnikovi tallava i Goran Bregoviçit

Eagle

Aleanca është barrikada që mbron teatrin. Edhe BARRIKADA as nuk blihet as nuk shitet!

Eagle

Leave a Comment

1 × three =