Përpjekja Shqiptare
Erl Kodra

Kritikët e Bashës – smira dhe mercenarizmi

Nga Erl KODRA

▪️▪️▪️

Kurrë nuk e kam kuptuar retorikën politike që përmban fjalë të tilla si “gjithëpërfshirje, kontribute, produkte, mekanizma, shoqëri civile, koncepte konportimi, qasje, frymë parimore dhe vizionare” etj, etj. Jo se këto fjalë nuk kanë përmbajtje, por kur i dëgjon të artikuluara nga personazhet tona politike, ato humbasin kuptimin e tyre të parë, dhe ngjajnë me njëlloj bërllogu linguistik të pakuptimtë. Le të shohim në thellësi retorikën dhe fjalorin që sot dominon skenën politike, veçanarisht kur është fjala për Lulzim Bashën dhe Partinë Demokratike.

Partitë politike ekzistojnë si shprehje e vullnetit të shoqërisë për t’u qeverisur sa më mirë, për të mbrojtur dhe përmbushur interesat më të mira të vendit. Pa dashur të hyjmë në koncepte të thelluara filozofike, është e nevojshme që të sjellim përkufizimin e partive politike, sipas konceptit të sotëm.

Partitë politike janë pjesa kryesore e politikës së pothuajse çdo vendi të botës. Në disa vende kanë vetëm një parti politike, ndërsa në shumicën e vendeve të botës ka disa parti politike. Është jashtëzakonisht e rrallë që një vend të mos ketë asnjë parti politike. Partitë janë të rëndësishme, si në autokraci dhe në demokraci, megjithëse zakonisht demokracitë kanë më shumë parti politike sesa autokracitë. Autokracitë shpesh kanë një parti të vetme që qeveris vendin, megjithse shumica e politologëve e konsiderojnë konkurrencën midis dy ose më shumë partive si pjesë thelbësore e demokracisë.

Ndryshimi themelor mes demokracive dhe autokracive është niveli i lirisë së qytetarëve dhe shkalla e kontrollit nga qeveria. Sistemet politike me më shumë liri (demokracitë) zakonisht kanë kufinjë të përcaktuar qartë – ndarje të pushteteve – që kontrollon qeverinë përmes kushtetutes. Në anën tjetër, autokracitë janë sisteme tejet të centralizuara, ku pushteti përqendrohet në disa ose në një dorë të vetme, ku të gjitha vendimet merren nga qeveria.

Në Shqipëri, të gjitha vendimet politike dhe ekonomike merren nga Edi Rama. Për ta arritur këtë, ai ka shfrytëzuar gjithçka që lëvizë në këtë dhè, përfshirë edhe pjesë të opozitës shqiptare (dhe jo vetëm). Megjithatë, në rrethana të tjera socio-kulturore, as në ëndërr nuk do të arrinte një sukses të tillë (autokratik) – dhe bash për këtë arsye – këtu duhet kërkuar çelsi i suksesit personal të Edi Ramës.

Kur Lulzim Basha artikuloi tezën e Republikës së Re, teza më brilante politike e shprehur nga ndonjë politikan në 30 vite pluralizëm, përveç shpresës, zgjoi edhe shumë smirë në elitën politike dhe mediatike të vendit. Shoqëria dukej se nuk ishte e përgatitur kulturalisht për të pranuar një shtet ku demokracia funksionon dhe ku garantohen të drejtat dhe liritë universale njerëzore. Ka mundësi që kjo tezë politike ishte e parakohëshme – e hedhur në një mjedis të papërshtatshëm politik, ekonomik dhe kulturor – por që sot, për fat të keq është e vetmja tezë politike që mund ta nxjerrë vendin nga katastrofa ekonomiko dhe politike ku e ka çuar Edi Rama.

Si asnjë politikan tjetër, Lulzim Basha fliste për shtet të fortë me pushtete të ndara dhe të balancuara, për kushtetutë të re, për pushtet legjislativ me dy dhoma, për pushtet gjyqësor të pavarur, për të drejta dhe liri të garantuara me kushtetutë, dhe për qeverisje të vogël. Por faktorë të brendshëm dhe të jashtëm e bënë të pamundur ngjizjen e kësaj teze politike. Vet eksponentë të Partisë Demokratike nuk ishin të interesuar për ide të tilla, teza ku ligji është ligj dhe gjykatat japin drejtësi. Për ata ishte më interesant sistemi që kishim, ku partia është mjeti për të hyrë brenda sistemit dhe kapur shtetin. Për më tepër, vet Edi Rama është mjeshtri i joshjes që t’i realizon lehtësisht ëndrrat. Praktikisht, në shtetin e Ramës ka vend të gjithë kriminelët: hajdutët, të poshtërit, të shiturit dhe mercenarët. Prandaj Republika e Re nuk mund të ngrihej në një moçal të tillë shoqëror, ku 30 % e shoqërisë është e kriminalizuar – ngjizur mbi krime të shtresëzuara, të mbivendosura – që nga koha e Partisë së Punës së Shqipërisë.

Me kohë, duke parë rrokullisjen e vendit në paligjshmëri totale, Lulzim Basha luajti në teh të legjitimitetit, ku vetëm një hap e ndante nga rebelimi. Ai përdori mjete ekstreme politike, por përsëri nuk mundi të ndalonte paligjshmërinë, saktësisht për të njëjtat arsye që dështoi me Republikën e Re. Përsëri – mercenarët politik u bënë shpëtimi i Edi Ramës – ndërsa vet Lulzim Basha përfundoi i akuzuari i madh. Mundet – dhe ky është fakt – që Lulzim Basha nuk do të fitojë edhe për pak kohë, por idetë e tij politike do të triumfojnë me siguri, nëse shteti shqiptar do të ekzistojë. Përndryshe – unë nuk shoh asnjë mundësi që një parti politike, ose një lider tjetër politik të mund të triumfojë mbi të keqen.

Kritikët e Lulzim Bashës nuk janë kritikë të tij – në fakt ata janë armiqtë e tij. Secili për arsye të mira – për smira mediokriteti dhe mercenarizëm – ata gjithmonë sulmojnë me eufemizma dhe retorika boshe, pa thelb dhe pa moral, duke legjitimuar Edi Ramën – njeriun më të paligjshëm në Shqipëri. Dhe këtu nuk është aspak e vështirë për të kuptuar trikun – sepse ata janë aq të vegjël, sa nuk e kuptojnë dot vogëlsinë e tyre, por as dëmin që po i bëjnë vetes dhe shoqërisë.

Shoqëria jonë është e zhytur në krim, korrupsion dhe paligjshmëri. Vet shteti shqiptar ka rënë në duart e njeriut më të paskrupullt – pas Enver Hoxhës. Si kurrë më parë vendi ka nevojë për Partinë Demokratike – të fortë dhe të bashkuar. Edhe sikur të mos dojë, Lulzim Basha duhet detyruar me forcë që t’i rezistojë të keqes.

Dhe e keqja ka emër.

Facebook Comments

Related posts

Kastori dhe Polluksi

Eagle

Rrafshnalta e Llumit

Eagle

Dylberi i preferuar i haremit të Ramës

Eagle

Leave a Comment

five × 4 =