Përpjekja Shqiptare
Letërsi

Kënga e Lamtumirës

Nga George BYRON

◾◾◾

O lamtumirë! Atdheu im
Po zhduket dalngadalë:
Gjëmon stuhia me tërbim,
Çaçri gërhet mbi valë,
Pas diellit që po flakëron,
Po nisemi të lirë;
Dhe ty, si atij që perëndon,
Atdhe, Natën e Mirë!

Kur nesër rishtaz ai diell
Do lindë me shkëlqim,
Do përshëndesim det e qiell
Po jo atdhenë tim,
Në vatrën time nuk ka zjarr,
Nëpër avllit’ e forta
Të kullës sime rritet bar,
Im qen po leh te porta.

“Ti pazh i vogël, pa m’u qas!
Pse qan e po vajton?
Mos të tremb deti me tallaz,
A shqota të tmerron?
Pa fshiji lott; anija jonë
E shpejtë është dhe e fortë:
Nuk ka skifter që fluturon
Më shpejt e më gazplotë”.

“Le të kanosen erë e det,
Nuk trembem nga asnjë shqotë;
Po, zoti Çajld, mos u çudit
Që po më rrjedhin lotë;
Prej babës e prej nënës ik,
U ndava prej shtëpisë;
Tani s’më mbetet asnjë mik,
Veç teje e Perëndisë.

“T’im at’ e pashë që duron,
Kur më bekoi me mall;
Po nënën kush ma ngushëllon
Gjer sa të kthehem gjallë!” –
“Pusho, pusho ti djal’ i mirë!
Të kanë hije lott;
Po të isha vetë zemërdlirë,
Nuk do t’i mbaja dot.

“M’u qas, m’u qas, ti trim besnik;
Përse më qenke zverdhur?
Mos trembesh nga një frëng armik,
Apo nga det’ i ndezur?” –
“Sër Çajld, nuk jam aq frikacak,
As zverdhur jam prej frike;
Po kur kujtova gruan larg
M’u zbeh faqja besnike.

“Rron ime shoqe me tim bij
Në kullë te këneta:
Nd’e pyeçin ç’u bë babai,
Ç’t’u thotë nënë-shkreta?” –
“Pusho, trimi im, të mora vesh
Ta njoha brengën tënde;
Por unë zemërlehti qesh
Që shkoj nga këta vënde”.

Kush u beson psherëtimave
Të femrës që mbush sytë?
Ia than lotët qepallave
Ndonjë dashnor i dytë.
S’qaj për gëzimet që humbas,
Rrezikun që më vjen;
Po vetëm qaj se nuk lë pas
Asnjë që lotn’ e vlen.

Në botë mbeta fill i mjerë,
Në detin pa kufi;
Përse të qaj pra për të tjerë –
Për mua s’qau njeri.
Do t’angullijë ndoshta sot
Im qen gjer sa të gjejë
Ushqim nga ndonjë tjetër zot;
Nd’ u kthefsha do më shqejë.

Pra, mermë, o lundër, dhe vrapo,
Në detin plot buçim;
Dhe shpjermë në çdo vend që do,
Veç jo në vendin tim!
Të falem det i kaltr’ i zi!
Dhe kur të shkel i lirë
Në dhé, të falem, shkretëti!
Atdhe, Natën e Mirë!

Facebook Comments

Related posts

Qetësia përtej Portës së Ligjit

Eagle

Historitë e atyre që s’janë

Eagle

Shkrimi i nënës

Eagle

Leave a Comment

7 + eighteen =