Përpjekja Shqiptare
Art Shqipëria Natyrale

Katër epoletat” e Mulliqit, ecje nëpër labirinthet e natyrës njerëzore

Nga Agron GËRGURI

◾◾◾

Teatri”Muharrem Qena” i Mitrovicës së jugut po udhëtonte për në Resnjë afër liqenit të Prespës në Maqedoninë e Veriut në festivalin me renome ndërkombëtare: “Aktori i Evropës”

Rruga e “humbur” apo udhëtimi drejtë antikës

Rrugës për në Resnjë (Prespë) aktorët Ismet Azemi dhe Basri Lushtaku po përsëritnin tekstin e shfaqjes “Katër epoletat”, përmes replikave të dramës së dy gjeneralëve të dehidruar nga jeta, të cilët prekin aktin e fundit te jetës, vdekjen si vlerë absolute apo ballafaqim me të bëmat të cilat peshohen me ndërgjegjen e munguar. Me veprime foljore, të folur skenik te artikuluar, Basriu e Ismeti mirëmbanin modelimin e personazheve te shkruara mjeshtërisht nga dramaturgu Haqif Mulliqi. Prova me tekst sikur po bëhej edhe për të shkurtuar rrugën deri në destinacionin tonë, në Resnjë pra, buzë Liqenit të Prespës. Anës rrugës po korrej gruri, sigurisht se jeta reale do ushqim siç shpirti kërkon trajtim përmes artit.
Dhe, ashtu, duke deklamuar tekstin shoqëruar me ndonjë batutë motivuese thuajse sa nuk mbërritëm në Greqi aty ku antika nisi jetën e teatrit. Kur Ismeti e Basriu “dolën” prej personazhit konstatuam se kishim shkuar larg vendit ku ishim nisur apo kjo tërheqje e gravitetit antik na thoshte diçka për shfaqjen. Ky “gabim” na mbushi me humor të mirë dhe kënaqësi për të vërtetën e të qenit si pjesë e jetës mijëvjeçare të teatrit.
Drejtori i Teatrit Sabit Sheremeti ndaloj me pyetjen: “A e dini ku po shkojmë, burra?”
Sigurisht na ka tërhequr graviteti i antikes në përcaktimet tona nuk e thamë porse në heshtje e regjistruam si përgjigje konstatim.
Pas një odhiseiade mbërrimë në vend takim ku na priti “fajtori” i kësaj pjesëmarrjeje autori i shfaqjes Haqif Mulliqi me organizatorët e festivalit.

Hudhra shton potencën apo kundërmon ligësi njerëzore, drama e absurdit sipas Mulliqit

Athua vërtetë njerëzit e ligë jetojnë më gjatë dhe athua hudhra vërtetë e stimulon potencën… apo kundërmimi lë gjurmë tjera në jetën e secilit që e ka ngrënë hudhrën. Gjeneralët Alfador dhe Betador nuk janë njerëz, ata janë pasojë e instrumentalizimit të njeriut në vrasës të jetës si produkt i politikës e cila vërshon përtej artit të së mundshmes dhe shndërrohet në qëllim të dominimit si mundësi. Ai momenti kur njeriu nuk e frenon fuqinë për t’i dhënë përparësi kalimi barazisë dhe drejtësisë.
A është kjo vërtetë dramë e absurdit e përpjekjes për të dal diku ku nuk dilet apo thjeshtë personazhet e Mulliqit na bëjnë të kuptojmë natyrën vetëshkatërruese të njeriut?
Duke i jetësuar në skenë me timbrin e dallueshëm e dialogues të Ismet Azemit, Basri Lushtakut, nga thellësia e zërit te tyre nxjerr kokë e vërteta e stisur në kutinë e zezë të shpirtit të cilën e teston vdekja (Grajeti – Adem Zhinipotoku)… lëvizjet maestrale estetikisht të ndërtuara përmbushnin idenë mezanskenike e cila zbërthente skenikisht karakteret e personazheve dhe formëson karakterin e shfaqjes bazuar në tekstin e shkruar me mjeshtri dramaturgjike bekettiane, realizuar me regjisurë inventive e cila teatrin e sheh si variacion të së ndryshmes, por pa e cenuar esencën e tij drejtperdrejëshmerin dhe gjallërinë, e që e stimulon komunikimin ne relacionin aktor- personazh, personazh – personazh dhe aktor- aktor e që pastaj të gjithë bashkë e marrinë në trajtesë spektatorin i cili duke ecur labirintheve të ndriçuara të mendjes e shqyrton vetveten dhe marrëdhënien e tij me jetën duke e edukuar iluzionin deri në besim të spektatorit.
Thuaja se secila shfaqje e Mulliqit pretendon të krijoj këtë relatë komunikimi porse me “Katër epoletat”, pavarësisht kohës kur është shkruar (mosha e autorit 20- 21 vjeç) duke qenë se kap probleme universale të jetës së njeriut duke pasqyruar situata para e pas kohës kur është shkruar dëshmohet si njëra nga dramat më të etabluara me vlerë dramaturgjike të cilën mund ta përkufizojmë si dramaturgjia e Haqif Mulliqit.

Nukleusi i dramaturgjisë së Mulliqit

Cili është nukleusi apo ekstrakti mbi të cilin ndërtohet teksti i dramës “Katër epoletat”. Jeta si vdekje, vdekja si jetë apo lufta permanente e njeriut për jetë a vdekje. Mbase thjeshtëzimi në jetë-vdekje, dashuri e munguar urrejtje e lulëzuar, lë mundësinë që secili prej nesh të mendoj për buletën e udhëtimit në relacionin jetë-vdekje. Andaj personazhet janë ushtarë sepse luftojnë, pretendojnë në gjeneral sepse ëndërrojnë apo kanë ambicie me virus brenda që e prapton njerëzoren duke e helmuar atë me plumb.
Mbase që nga Troja e deri më sot nuk kanë përfunduar luftërat për të shkatërruar e pastaj rindërtuar duke e vajtuar të shkatërruarën. I mvishet Aleksandrit të madh përgjigja në pyetjen: Pasi ta pushtosh gjithë botën çka pastaj. Do pushoj dhe do të filloj nga fillimi. Në këtë profeci të tekstit kapet edhe ironia e lajmit: Rusia thotë se do ta rindërtoj Mariopolin, pasi që më parë e ka shkatërruar. Gjeneralët e Mulliqit Alfador dhe Betador janë vëllezër binjak që njeri tjetrin e kanë pasqyrë në të cilën nuk e shohin veten e vërtetë derisa mbërrijnë në teh të vdekjes, sikur i kthjellon pyetja “kë patëm armik”, ngrënia e hudhrës i dha apo jo potencë dashurisë apo aromat e këqija prodhojë urrejtje dhe filluam të ushqejmë jetën me tranguj si dikur kur ia shtuan potencën Helenes e cila aromën e dashurisë e përdori si navigator për të mbërri deri te shkatërrimi i Trojës. Natyra njerëzore, apo pjesa e errët e saj të cilën e zbërthen autori në tekst ndërsa e dritësojnë me aktrimin e tyre brilant: Ismet Azemi dhe Basri Lushtaku duke zbërthyer procesin e mëkatit, i cili përsëritet. Vetë shfaqja të shtyn në meditim, shqetësim e shqyrtim edhe nëse vetëm e dëgjon (lexon) tekstin dhe harmoninë e interpretimit në disharmoninë e karaktereve të ndërtuara me elemente ekspresive të Ismet Azemit dhe absorbimin e atij ekspresiviteti të Basri Lushtakut deri në nivelin e bashkëdyzimit të personazheve për të ndërtuar një personalitet me katër epoleta me shëmbëllim jetësor të cilin e pasqyron vetëm teatri.

Shumëdimensionaliteti dhe shumëkuptimësia e tekstit dhe relacioni me shfaqjen

Tre herë shkrova për këtë shfaqje. Shfaqja më impononte fotografi e kuptime të ndryshme që domosdo lidheshin me njeriun dhe fatin e tij. Në shfaqjen premierë shenja provokuese ishte kthimi i dritës (lexo shikimit) kah vetvetja. Gjatë shfaqjes u ndal rryma aktorët e përfunduan shfaqjen me telefona mobil duke e shndërruar këtë fakt të krizës energjetike në figurë. Në reprizën e dhënë në Teatrin Kombëtar të Kosovës e gjeta absurdin e luftës si refleksion i agresionit rus ne Ukrainë dhe lëkundjen tektonike të rendit botëror. Ndërsa në Resnjë, në një ambient jokonvencional, e pashë të akcentuar njeriun i cili në përpjekje për ta kuptuar jetën dhe luftën për vdekje, ka dal jashtë lëkurës së njerëzores dhe se aty më nuk e le të kthehet kutërbimi i hudhrës së kafshuar andaj udhëtimi drejtë vdekjes është proces i shërimit nga potenca e shfrenuar.
Këto shumëkuptimësi, shtrirje përtej kohës aktive, shumëdimensionalitet shprehur me një gjuhë dialoguese me nëntekste që të aktivizojnë si spektatorë i përfshirë me ndjenjën e pranimit apo refuzimit.

Premiera në Resnjë

Në një mbrëmje me shi në ambiente e Qendrës për Kulturë e cila kishte një të ngjashme në Francë e për të cilën me ëndje dhe elokuencë intelektuale fliste Jordan Pllevnesh pritej me kërshëri shfaqja “Katër epoletat”, produksion i Teatrit “Muharrem Qena” nga Mitrovica. Ambienti i ri jokonvencional e provokoi kreativitetin e regjisorit dhe interpretëve për ta familjarizuar shfaqjen me mundësitë e reja.
Shfaqja u dha para një auditori me kulturë teatror përkundër “handikapit” gjuhësor të cilin Mulliqi me regji e aktoret me interpretim e tejkaluan duke dëshmuar vërtetësisht se teatri ka gjuhën specifike e cila lexohet nëse autori i shfaqjes di ta përdorë atë në raport me temën që trajton dhe mesazhin apo domethënien që do ta nxjerr.
Ambienti i ri sikur nxori vlera tjera të shfaqjes si dhe shtresa kuptimore që kanë të bëjnë me njeriun kutinë e zezë të shpirtit ku është strukur e vërteta e cila na thotë: nëse kemi investuar në terr, i tmerrshëm do të jetë fundi i rrugës.
Shfaqja mbyllet me një pesimizëm optimist se vdekja nuk është fundi por fillimi i gjykimit të saj. Duartrokitjet e gjatë si falënderim për bërësit e shfaqjes dhe çlirim nga e keqja në vetvete i dhanë shfaqjes verdiktin e merituar përmes çmimeve: Aktori i Evropës”, që do të thotë aktori më i mirë i festivalit doli të jetë Ismet Azemi; çmimin “Dionisi i Prespës” e fitoi me të drejtë absolute, Basri Lushtaku dhe regjisori më i mirë i edicionit të 20-të të festivalit, u shpall, Haqif Mulliqi.
Prezenca e disa figurave te shquara te artit teatror dhe vlerësimi që ata i bënë shfaqjes tregon për vlerën e saj dhe kapërcimin e barrierave gjuhësore e kulturore të cilat unifikohen në mjeshtërinë e shkrimit të dramës pastaj inskenimit dhe krejt ne fund dhe në ballë të frontit qëndron aktrimi si esenca e teatrit. Pa harruar këtu edhe kontributin e jashtëzakonshëm të zonjës Shpresë Mulliqi e cila me manire e qytetarie në secilin komunikim na e jepte sigurinë me anglishten e saj perfekte dhe njohjen e teatrit. Për publikun erdhi shumë mirë edhe kolona zanore e profesorit, Haki Mulliqi, ndërsa i jashtëzakonshëm për shfaqjen ishte edhe kontribut që e dha edhe disenjatori i dritave, mjeshtri, Murat Kajtazi Leka.
Një komunikim kreativ dhe mbresëlënës duke dëshmuar se ura e dialogut që vë arti më saktë arti teatror ku si në arkë ruhen natyra të ndryshme njerëzore, manifestohet edhe në marrëdhëniet ndërnacionale në përpjekje që ato të sanohen përmes të bukurës, pranimit deri në pikëtakimin hyjnor të pajtimit me tjetrin edhe kur tjetri ka ngjyrë, fjalë, besim apo shije tjetër për ushqim. Vetëm në referencën njerëzore Teatri e gjen funksionin mijëvjeçar në jetën e njeriut. Sepse është keq kur ndihemi mirë se jemi vetëm.

Teatri i Haqifit dhe binomi Haqif Mulliqi | Ismet Azemi

Secili regjisor pretendon të bëhet autor duke investuar shprehjen specifike apo përdorimin specifik te idiomave teatrore. Haqif Mulliqi sa me dramaturgjinë e tij e bazuar në fuqinë e dialogut të brendshëm ku zien ngjarja e dramës, hapësirë ku pastaj e gjen interferimin inventiv regjisorial duke i kushtuar rëndësi dritave deri në funksion emocional, shtrirjes së hapësirës skenike deri në pafundësi, zhvillimin e rrëfimit në kontinuitet pa ndërprerje në akte, mizanskeni i bazuar në karakter dhe joimponuese, funksioni i muzikës në temporitmin e shfaqjes, dinamika që provokon dhe mbanë aktiv shqetësimin e spektatorit. Skenografia minimaliste për shfrytëzim maksimal me shumë punkte e kontrapunkte veprimi. Të gjitha i kompozon në harmoni e në masën që shfaqjes i jep ngjyrën estetike me një poetikë teatrore krejtësisht autoriale. Haqif Mulliqi nuk iu imponohet aktorëve si regjisor, përkundrazi. Këtë e dëshmon më së miri aktori Ismet Azemi me të cilin ka realizuar dhjetëra shfaqje. Ismeti njihet si aktor i përkushtuar me përmasa epike i cili i nënshtrohet parimit regjisorial derisa shfaqja shtrohet pastaj e merr situatën “në dorë” duke ndërtuar shprehjen e tij artistike mbi platformën regjisoriale të Mulliqit duke vë në fokus artin e tij të aktrimit. Timbri i tij veprimin foljor e bënë tejet të rëndësishëm, lëvizja estetike e pastër, e nuancuar sipas temporitmit të përcaktuar, herë-herë, ekspresiv, e herë-herë me heshtje krijon shqetësimin dramatik, pranues i mirë i replikave të partnerit në skenë, aktiv deri në shpërthim vullkanik dhe eksplorues i të brendshmes shpirtërore të cilën pastaj e menaxhon në funksion të provokimit emocional të spektatorit si qëllimi final i komunikimit aktor-spektator. Partiturat e interpretimit të Ismetit kompozohen në bashkëpunim kreativ me regjisorin në rastin e shfaqjes “Katër epoletat” me Haqif Mulliqin dhe aktorin e mrekullueshëm, Basri Lushtaku si dhe me kontributin e Adem Zhitopotokut. Binomi Mulliqi – Azemi i ka dhuruar skenës kosovare, kombëtare e ndërkombëtare nivele të larta artistike. Më vjen mirë që edhe Basri Lushtaku i është bashkëngjitur këtij binomi, tashmë dhe ese Ismeti, përfundimisht e ka fituar një partner të denjë në skenë.

Festivalet si arenë dëshmimi

Shfaqja “Katër epoletat”, sigurisht se do marrë pjesë edhe në festivale tjera kombëtare e ndërkombëtare duke e nderuar Teatrit të Kosovës në përgjithësi. Arti i teatrit është flamuri të cilin me sukses e valon shfaqja “Katër epoletat” e Haqif Mulliqit produksion i Teatrit të “ Muharren Qena” i Mitrovicës dhe si e tillë do vjel çmime tjera vetëm se duhet mbështetja financiare e produksionit.

▪️Agron Gërguri është regjisor, dramaturg dhe një prej zërave më të shquar të kritikës së dramës dhe të teatrit ndër shqiptarët.

Facebook Comments

Related posts

Anthony Hopkins fiton çmimin Oscar

Eagle

Dëmtohen tendat e organizatës turke në Prishtinë, ja çfarë mesazhi vendoset në to

Eagle

Kodi i fshehtë i përkrenares së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti

Eagle

Leave a Comment

1 × 1 =

Ballina
Lajme
Letërsi
Politikë