Përpjekja Shqiptare
Art

Jashtë stinorit të ndjesive

Nga Prof.Josif PAPAGJONI

◾◾◾

Në zhegun e këtyre ditëve, teksa çapoja bri ish Piramidës, shikoja murin e paneleve rrethuese si ngrehinë në rikonstruksion. Në një mori syresh paraqitej forma e pritshme e saj. E kisha parë edhe më parë on-line dhe një grindje brenda vetes s’më linte të qetë. Troç, nuk më pëlqente. Nuk rri dot pa shprehur dëshpërimin tim se si një nga veprat më të goditura, më impozante, me një simbolikë domethënëse kombëtare (krahët e shqiponjës) dhe një imazh imponues, sublim, i jashtëzakonshëm, plot madhështi, dritë, kuptim, hir estetik, ndofta vepra më e bukur arkitekturore e derisotme, për hir të një budallallëku, të disa konjukturave politike a keqkuptimit historik, po i qepen ca arna sipri për ta bërë të “shitshme” për kohën. A, ndofta, për të lazdruar mendjegjymtët që mendojnë veçse me kutin politik, por aspak me mendësinë artistike. E çfarë nuk thanë për të pas vitit 1990. Madje, donin ta rrëzonin dhe aty të ngrenin godinën e parlamentit të ri. E pse e gjitha?! Sepse ishte varri i hapur i diktatorit, i Enverit, i Keopsit, Tutmesit a Tutankhamonit!… Çfarë marrëzie?! Çfarë idiotësie! Gati e shembën, kot shpëtoi. Duhej të shembej, pra, një vepër e mrekullueshme arkitekturore, e papërsëritshme në modelimin e saj. Po pse? Sepse sido që të bëhej e ngado që ta përshtatnin, ai mbetej një varr: varri i diktatorit, muzeu i tij, piramida komuniste e tërci-vërci. Kujtoj në vitet ’90 se si mijëra kokëtulë iu qepën asaj ngrehine, ia shkulën pllakat e shtrenjta, i vodhën, i shqyen, e kthyen në një shurore të madhe, e degraduan, sepse ashtu dëshironin disa koktulë politikë inatçorë të kohës, që e nxitën gjithë këtë pisllëk e idiotësi prej të paditurish e rrugaçësh.
Nëse barku i kësaj “Piramide” kishte brenda diktatorin, gjithë bëmat, budallallëkun, ditirambet dhe krimet e tij nën një demagogji e mitologji shastisëse, që paranojën dhe frikën e tij e shndërronte në madhështi, përkundrazi “lëkura” e saj, pra forma e godinës, imazhi, struktura, gjetja, simbolika, domethënia ishin të jashtëzakonshme, të paarritshme më parë, dhe kam frikë se edhe më pas vështirë se arkitektura shqiptare do ta kapërcejë këtë mrekullizë. Arkitekti i saj, Klement Kolaneci, dhëndërri i Enver Hoxhës, ka vdekur. S’ka kush inat me një të vdekur. Enver Hoxha ka afër 40 vjet që ka vdekur, është zhveshur nga lavdia e dikurshme, nga miti, nga vetëdija jonë fetishizuese, dhe mendimi i drejtpëshuar historiografik, duke u ftohur gjithnjë e më shumë në kohë dhe duke u kthjelluar, e ka vlerësuar figurën e tij pikërisht si një diktator paranojak. Pra, Enver Hoxha tashmë nuk është më “gogoli” i një rikthimi pas, i ngjalljes së nostalgjive për të. Nostalgjitë janë plakur, së paku në shumicën dërmuese të popullit tonë. E kush pyet më për Enver Hoxhën? “Gogolët” janë brenda nesh. Koha e ka flakur Hoxhën dhe kurrë modeli i atij sistemi që ai përfaqësonte nuk kthehet më. Këtë e dinë të gjithë. Ata që mbeten ende pas xhaketës dhe kasketës së tij thjesht bëjnë një lojë politike të tejkaluar, gërr-mërr, e formatit provincial, mbetur te sahati 7.
Po pse kjo ngrehinë madhështore, gati poetike, e trajtuar edhe si një mjedis shlodhës për qindra qytetarë me eksterieret e saj funksionale, duhet të grimohet në një mënyrë të tillë që e përçudnon. Shikojini dy modelet! I pari, një gërshetim i piramidës me krahët e shqiponjës sonë, e shtrirë ëmbël dhe e ngritur madhërishëm sipër, solide dhe e ngjeshur, me nëndarjet e parme që nga pas kthehen në kulla shqiptare, me pllakat e mermerit në ngjyrë argjendi. I dyti, mes krahëve ka vendosur ca si shkallare, ca si sofate për t’u ulur, medemek për ta bërë të aksesueshme nga bythët e qytetarëve të ngeshëm. Çfarë banaliteti! Çfarë thjeshtëzimi! Kurrë s’më mbushet mendja se modeli i dytë e moderon të parin. Jo! Ky i dyti, nisur nga synimi për ta ndryshuar disi formën piramidale, rrjedhimisht kujtesën e vetë ngrehinës, ka sjellë një modelim të sforcuar. Sa mirë do të ishte që forma sublime që kjo vepër arkitekturore kishte të mos ndryshonte aspak. Të ishte e paprekshme si ART. E theksoj, si ART. Sepse qe e vetmjaftueshme. E jashtëzakonshme. Funksioni i saj po, struktura e brendshme po, për çfarë do të destinohet po, si do të ndryshojë e përshtatet nga brenda po.
Si njeri i teatrit, unë u gëzova kur u vendos që aty do të bëhej Teatri Kombëtar. Por pastaj dolën siklete, hilera të vogla e të mëdha, dhe interieri i saj, teatër nuk u bë. Tani thuhet se do të bëhet një qendër kombëtare multimediale etj. Bukur! Këtu as dua të hyj, s’jam në sinorët e ndjesive të mia. Besoj dhe shpresoj se do të bëhet diçka e bukur nga brenda. Por… por… nga jashtë nuk e di nëse syri im, dhe besoj i mijëra shqiptarëve, do ta gëlltisin këtë imazh të ri, apo thjesht do të mbeten tek i vjetri dhe do të lëshojnë një psherëtimë: Ah, qe më e bukur atëhere! Dhe mund të shpotisin pastaj për qejf me fjalët e atij plakut te filmi: Po me urën ç’patën xhanëm!…

Facebook Comments

Related posts

Drama e Mulliqit për botën që e ka “braktisur” Zoti

Eagle

6 vite nga vdekja e shkrimtarit Skënder Drini

Eagle

Një gotë raki me Moikom Zeqon

Eagle

Leave a Comment

4 + six =