Përpjekja Shqiptare
Art Kujtesë

Gazmend Zajmi në muzikën shqiptare

Nga Rafet RUDI

◾◾◾

𝘕ë 85 𝘷𝘫𝘦𝘵𝘰𝘳𝘪𝘯 𝘦 𝘭𝘪𝘯𝘥𝘫𝘦𝘴 (𝘲𝘦𝘳𝘴𝘩𝘰𝘳 1936 – 1995)

Gazmend Zajmi, hyn në rradhën e atyre krijuesve tanë muzikorë, sikundër Jusuf Gërvalla në fushën e muzikës së lehtë, Shefqet Pllana në fushën e etnomuzikologjisë, e ndonjë tjetër, të cilët, edhe pse nuk e kishin muzikën profesion të ngushtë, tërë jetën e kaluan pranë saj, si profesion të dytë por shumë të suksesshëm. Bile për dallim nga dy të përmendurit, profesioni i tij (jurist-politolog) përnga natyra dhe struktura e shprehjes dhe e të menduarit na duket se është mjaft i largët me muzikën. Sidoqoftë, për ata që e kanë njohur më përafër, sidomos për njerëzit e muzikës, gjithmonë do të jetë befasuese, por e çuditshme dhe impresive se në ç’masë ai jetonte me muzikë, sa e përjetonte atë dhe, së fundi, për fushën që kultivonte (muzika e lehtë) me sa kompetencë fliste. Në të vërtet, ai një kohë të gjatë u mor me të, qoftë si i ri, në vitet ’50-ta e ’60-ta, ku zhvilloi një aktivitet të rëndësishëm si instrumentist në shoqërinë e parë shqiptare kulturo-artistike “Agimi” në Prizren, qoftë edhe si kompozitor i suksesshëm, i cili me shumë sukses mori pjesë gjatë kohë në “Akordet e Kosovës”, në të tri zhanret (muzikë për fëmijë, muzikë popullore dhe, sidomos, në atë të muzikës së lehtë). Ai ishte aktiv edhe si antar i Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës.

Muzika e tij gjithmonë dallohej me komunikativitetin e saj ndaj pranohej lehtë prej dëgjuesit. Këngët si “Martesa”, “Eja lule, lulëkuqe”, “S’mund të na ndal asnjë breg asnjë mal”, “Flutura”, “Xixëllonja” këndoheshin (dhe këndohen edhe sot) kudo. Mjerisht ai ishte njëri prej krijuesve veprat e të cilit ishin gjithmonë në thumb të ndjekësve të artit dhe të njerëzve, para se gjithash, për shkak të veprimtarisë së tij, si intelektual, në fushën e lëvizjes kombëtare. Kështu prej vitit 1981 praktikisht të gjitha këngët e tij, ishin vazhdimisht të ndaluara në Radio e televizion. Por, përkundër kësaj, ato vazhdimisht këndoheshin dhe pëlqeheshin nga publiku.

Muzikaliteti i rrallë, dëshira që në çdo punë të ketë rezultate otimale, bëri që ai t’i rreket edhe një forme muzikore, për një amator çfarë ishte, çuditërisht të madhe, shkruarjes së baletit. Andaj, atë e gjejmë edhe si kompozitor të Baletit “Vallja pranverore” që në vitin 1982 u dha në TPK në Prishtinë nga Trupa jonë e baletit. Përkundër faktit se ajo ishte vepër e një zhanri tjetër, me të cilin ai nuk merej (muzika serioze), “Vallja pranverore “ megjithatë mban të gjitha karkateristikat e muzikës së tij, melodinë e rrjedhshme e gjithmonë të freskët, harmoninë e thjeshtë por interesante si dhe shmangien nga ritmika e ngarkuar. Bile, kjo vepër duket joshëse dhe simpatike në thjeshtësinë e vet edhe për faktin se nuk është e ngarkuar me logjikën (ndonjëherë) tepër profesionale, të një krijuesi profesionist.

Është mëkat që për kohën kur muzika e tij ishte e ndaluar për emetim përmes valëve të radios, apo publikim koncertal, ai nuk krijoi (ose për këtu së paku nuk kemi shenime). Ç’është e vërteta në këtë kohë (fundi i viteve ’80-ta) prej tij edhe ashtu pritej kontributi në një fushë tjetër, në fushën e profesionit të tij të ngusht. E ai, sic dihet në këtë drejtim dha një kontributë të jashtëzakonshëm si profesionist dhe si atdhetar. Shquhej si një ndër intelektualët tanë më të urtë, më intilegjent dhe më stabil në vitet e vështira të historisë së Kosovës.
(Të përkujtojmë, në momente delikate politike që kalonte Kosova, ai ishte gjithmonë në role kyqe të vendosjes: ishte Rektor i Universitetit, Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Artit të Kosovës, përpilues i Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut , udhëheqës në hartimin e Kushtetutës së Kaçanikut etj.)

Jam i bindur se në rrethana të tjera pa torbulenca të mëdha dhe të gjata, që aq shumë e trazojnë intimitetin krijues të individit dhe nganjëherë e orientojnë kah një rrugë të cilën ai ndoshta nuk e aspiron, jeta krijuese e Gazmend Zajmit do të kishte një konfiguracion krejtësisht tjetër, ku muzika do të zënte një vend më të spikatur. Përkundër këtyre vështirësive dhe pengesave të shumta, kontributi i Gazmend Zajmit në fushën e këngës shqiptare do të zë vend të rëndësishëm.

Facebook Comments

Related posts

Majmunët në Parlament

Eagle

Elia Zaharia e Shqipërisë firmos për shëmbjen e Teatrit

Eagle

Kënga që Rade Serbexhija i kushtoi Bekim Fehmiut

Eagle

Leave a Comment

20 − five =