Përpjekja Shqiptare
Milazim Krasniqi

FUNDI I LUFTËS SË FTOHTË NË KODRAT E LEPOSAVIQIT?

Nga Milazim KRASNIQI

◾◾◾

Tash janë vënë në tavolinë të gjitha problemet e grumbulluara, që nga frustrimet hakmarrëse që ka lënë në mendjen politike të Serbisë shpërbërja e ish federatës jugosllave, me disfatat dhe me turpërimin e tyre, pastaj brishtësia e hartave të shteteve të Ballkanit e deri te momenti kur Perëndimi e ka një rast të ri që ta kurorëzojë fitoren e Luftës së Ftohtë edhe në këtë pjesë të Ballkanit. Ndërsa, Kosova dhe shoqëria e re e Kosovës e ka rastin që përmes kësaj trandjeje, të fitojë një përvojë të re qytetare e shtetërore. Në veriu e Kosovës janë grumbulluar një numër problemesh, të cilat rrënjët e veta i kanë te e kaluara, që nga kriza e ish federatës jugosllave, padrejtësitë me të cilat janë vizatuar hartat në Ballkan e deri te paaftësia e Perëndimit që ta kurorëzojë me fitore të plotë dhe më të shpejtë fitoren e Luftës së Ftohtë. Ky grumbull problemesh të mëdha, të koncentruara në një hapësirë të vogël, në një zonë që popullohet prej vetëm rreth pesëdhjetë mijë banorëve, paraqet absurd të llojit të vet, meqë realisht në një hapësirë të tillë nuk ka vend për kaq probleme e për kaq akterë. Por, politika shtetërore serbe dhe shoqëria serbe në përgjithësi, është kampione e prodhimit të absurditeteve, gjë që e vërteton edhe kjo situatë në veriun e Kosovës.

RUSIA SI SPONSOR I DESTABILIZMIT

Në fakt, sponsori i fshehur kësaj politike serbe është Rusia, e cila është e interesuar që ta mbajë NATO-n të bllokuar në një konflikt sa më larg kufijve të vet dhe zonave të veta të interesit. Si edhe herë të tjera në histori, fjala vjen, në Lufën e Parë Botërore, kur i këshilloi serbët që ta refuzonin ultimatumin austrohungarez, Rusia është e disponuar që t’i përdorë serbët si mish për top, për të kënaqur interesat e veta gjeostrategjike, Në kohën kur Serbia bën përpjekje zyrtare që të integrohet në strukturat europiane, mbetja e lidhur me instruksionet e Rusisë, për të mbajtur konflikt me NATO-n dhe me Bashkimin Europian, paraqet poashtu një dimension të absurdit serb. Si është e mundshme që të bëhet politikë në favor të Rusisë e në të njëjtën kohë të priten favore nga faktorët peërndimorë, të cilëve kjo poltikë u shkakton kokëdhembje. Në fakt, me këtë lloj politike Serbia është pengmbajtëse e integrimeve europiane të të ashtuquajturit Ballkani Perëndimor, duke e kërcënuar me poshtërim vetë Bashkimin Europian, në rast të tejzgjatjes ose të dështimit të këtij integrimi. Dështimi i projektit të integrimeve europiane, për shkak të një zone malore me vetëm pak kilometra katrorë, ku banojnë vetëm rreth pesëdhejtë mijë frymë, do të ishte shuplakë në fytyrë ndaj Bashkimit Europian dhe gjithë shteteve që e përbëjnë, sespe do të bënte të pakorrigjueshme paaftësinë e tyre për të zgjihdur një krizë lokale. Atëherë pse Bashkimi Europian e lejon këtë lojë të rrezikshme të Serbisë? E para, këtu kemi të bëjmë me një defekt serioz në vetë mandatin e angazhimit ndërkombëtar në Kosovë. Sikundër dihet, rezoluta 1244 nuk ofroi qartësim të madatit në favor të subjektivitetit të Kosovës. Rrjedhimisht, UNMIK-u nuk pati as mandatin, as kapacitetin e as vullnetin, që të përgatië Kosovën për statusin e saj të ri, në pajtim me vullnetin e popullit.

KRIZA E MANDATEVE TË PREZENCËS NDËRKOMBËTARE

Përkundrazi, duke e shtypur atë vullnet, shumë shpejt u shndërrua në një autoritet kolonial, gjë që prodhoi revoltën e vitit 2004 dhe faktikisht vdekjen klinike të UNMIK-ut. E dyta, Plani Gjithpërfshirës i Ahtisarit, krahas favoreve enorme që i bëri komunitetit serb në Kosovë, nuk u pranua nga Serbia. Kosova po e zbaton atë plan, por as ai nuk është shprehje autentike e interesave të shtetit të ri, po më shumë kalkulim për të joshur Serbinë. E treta, EULEX-i erdhi në Kosovë pa mandat të qartë, për vetë faktin se Bashkimi Europian nuk ka qëndrim unik ndaj shtetit të Kosovës, meqë pesë shtete anëtare të BE-së ( Spanja, Greqia, Qiproja, Sllovakia dhe Rumania) nuk e kanë njohur këtë shtet. Si pasojë, në trazirat e serbëve në veri, me ç’arst ata sërish dogjën pikën goganore të Jarinjes, EULEX-i u turpërua. Ikja në panik e policëve të EULEX-it, shënoi një ngjarje që ishte e përafërt me trupin që përjetuan ushtarët e UNPROFOR-it në Bosnjë, me ç’arst terroristët serbë i lidhnin ata ushtarë të mjerë për shtylla telefoni. Prandaj, ndoshta është koha e përshtatshme që Kosova të negociojë me Bashkimin Europian lidhur me mandatin e EULEX-it, në kuadër të raporteve kontraktuale që pritet të krijohen deri në fund të këtij viti. Është e ditur tashmë se pa mandat të qartë, as EULEX-i, nuk ka hapësitra adekuate të veprimit të vet. Ndërsa, mandatet e paqarta kanë ardhur si pasojë e qëndrimve të Rusisë (në rastin e UNMIK-ut dhe të Planit të Ahtisarit) dhe të pesë shteteve të BE-së, që nuk e njohin Kosovën (në rastin e EULEX-it). Rrjedhimisht, qeveria e Kosovës duhet të mirret me seriozitet të plotë të këtij defekti të mandateve të prezencës ndërkombëtare dhe të bëjë përpjekje të ndryshojë këto raporte, veçmas në rastin e EULEX-it( meqë UNMIK-u është klinikisht i vdekur.) Presioni do të duhej të orientohej ndaj BE-së, që ajo të eliminojë politikën destruktive të pesë shteteve të veta anëtare, të cilat po e rrënojnë autoritetin e vetë BE-së, duke e bërë të dështojë në Kosovë, po edhe në Serbi.

HUMBËSIT KËRKOJNË FITORE PAS KAPITULLIMIT

Nga ana tjetër, problem serioz në veriun e Kosovës, si mbeturinë e krizës s ë ish federatës jugosllave, paraqet koncentrimi i të gjitha partive relevante të Serbisë, në garat e tyre të brendshme elektorale. Në këtë copë vendi malor prej vetëm disa kilometrash kaktrorë e me vetëm pesëdhjetë mijë banorë, garojnë partitë serbe për të marrë pushtetin në Beograd. Kjo paraqet mjerimin e tyre për lendine, sepse zbulon se Serbia ka humbur të gjithë hapësirën e ish Jugosllavisë, ku serbët praktikisht jetonin në një shtet dhe ka degraduar në atë masë sa të luftojë si për jetë a vdekje për kodrat e Leposaviqit. Politikanët serbë, që e kanë humbur prezencën serbe në Detin Adriatik dhe në hapësirat pjellore ndërmjet Adriatikut e Danubit, me politikat e tyre destruktive të agresioneve, tash janë shëndërruar në politikanë që futen në territorin e Kosovës si hajdutë, gjoja për t’i mbrojtur serbët e serbizmin. Por, e vërteta është se ata serbëve u kanë bërë një “shërbim të arushës”, kur i detyruan të hipin në traktiorë nga Kroacia e të amrrin udhën drejt strehimoreve të refugjatëve në Serbi. Disa pej atyre refugjatëve, bashkë me ngarkesën e disfatës së tyre, i patën sjellë edhe në Kosovë në vitet nëntëdhjetë e tash vajtojnë se ata janë larguar nga Kosova, të cilën e kishin “ fole shekullore”. Megjithë shkallën e lartë të iracionalitetit të kësaj politikë serbe, e cila tash përpiqet të “lajë fytyrën”, Bashkimi Europian i ka kapacitetet e nevojshme për t’i detyruar të kthjellohen nga kjo përhanie e të kuptojnë realitetin ku tash ndodhen. Nëse e kanë humbur prezencën dominuese në Knin e në Sllavoni në bregdetin malazez e në Kosovë, ajo humbje nuk mund të kompendohet me kodrat e Leposaviqit. Atje ka vetëm kund tridhjetë mijë votues, ndërsa prej tyre nuk mund të gjenerohet fitorja e pushtetit në Beograd, sepse nuk do të ishte as legjitime. Milloshebviqi prodhonte për partinë e vet shumë deputetë nga Kosova në vitet nëntëdhjetë, por ato mandate nuk ishin legjitime. Nuk ishin as normale, sepse ato vota prodhuan edhe në Kuvendin e Serbisë atë politikë jonormale, e cila Serbinë e futi në luftë me NATO-n. Problemi tjetër që buron nga politika e qeverisë së Serbisë në territorin e veriut të Kosovës është kërcënimi i tërë Ballkanit Perëndimor me destabilizim, për shkak të kërkesave të përsëritura të qeveritarëve serbë për ndarjen e Kosovës. Tashmë është thënë qartë se një ndarje e tillë do të kishte efekte domino edhe në shtete të tjera, si BeH dhe Maqedonia, po sikundër konstatoi para disa ditëve Daniel Serveri, ajo ndarje do të hapte edhe çështjen e “Shqipërisë së Madhe”. Prandaj, Bashkimi Europian duhet të merr qëndrim më energjik ndaj kësja politikë serbe, në mënyrë që të mos kërcënohet investimi i madh që ka bërë BE-ja gjatë këtyre viteve për integrimin paqësor të rajonit.
PËRVOJË E RE QYTETARE DHE SHTETËRORE
Problem tjetër në veriun e vendit ka qeë vetë politika shtetërore e Kosovës dhe qëndrimi indiferent i shoqërisë ndaj gjendjes anarkike në veri. Politikanë e udheheqës që mileti i ka kënduar edhe në këngë foklorike, bënin veshin shurdhër e sytë qorr, në raport me ndërhyrjen brutale në Serbisë dhe me shkëputjen de facto të asaj pjese të territorit. Ashtu u leverdiste më shumë, që të ruanin raportet miqësore me zyrtarët ndërkombtarë, të cilët nga ana e vet nuk ndërmerrnin asgjë, qoftë për shkak të paqartësisë së mandatit, qoftë për shkak të implikimit të tyre në ndonjë skemë a kalkulim ekonomik-kriminal. Vendimi i kryeministrit të qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçit, për të ndërhyrë në veri më 25 korrik 2011 me njësitë speciale, e prishi statu quonë e të gjithëve. Tash janë hedhur zaret. Tash janë vënë në tavolinë të gjitha problemet e grumbulluara, që nga frustrimet hakmarërse që ka lënë në mendjen politike të Serbisë shpërbërja e ish federatës jugosllave me distatat dhe me turpërimin e tyre, pastaj brishtësia e hartave të shteteve të Ballkanit e deri te momenti kur Perëndimi e ka nëj rast të ri që ta kurorëzojë fitoren e Luftës së Ftohtë edhe në këtë pjesë të Ballkanit. Ndërsa, Kosova dhe shoqëria e re e Kosovës e ka rastin që përmes kësaj trandjeje, të fitojë një përvojë të re qytetare e shtetërore. Përvojë qytetare, në aspektin e respektimti të të drejtave të të gjithëve, duke u dhënë edhe serbëve të veriut një ofertë të sinqertë për integrimin e tyre në shtetin e ri dhe në shoqërinë e re. Përvojë shtetërore, në aspektin e konfirmimit të Kosovës si shtet i pavarur, i cili u përket të gjithë qytetarëve të saj, por për të cilin përgjegjësinë vendimtare e mban qeveria. Partizanët që kontestojnë shtetin e Kosovës dhe simbolet e tij, tashmë janë në siklet për faktin se Enver Zymberi ka rënë dëshmor nën flamurin e këtij shteti të ri. Ai është heroi i këtij shteti të ri dhe i këtij realiteti ku shteti i Kosovës lufton kundër tkurrjes së territorit shtetëror dhe kombëtar – në të njëjtën kohë.

▪️Shtator, 2011

Facebook Comments

Related posts

POEZIA E BASRI ÇAPRIQIT SI PERDE E NGRITUR E DRAMËS KOMBËTARE

Eagle

Vuçiqit i thyhet krahu!

Eagle

KULMINACIONI POETIK I SALI BASHOTËS

Eagle

Leave a Comment

six + five =