Përpjekja Shqiptare
Red Varaku

Është koha për një kryeministër tjetër

Nga Red VARAKU

Që prej fillimit të dhjetorit, rilindja është në rënie të lirë. Largimi i ministrave, kuajve më të rëndësishëm të qeverisjes, si dhe zëvendësimi i tyre me njerëz jopolitikë, anonimë dhe pa eksperiencë për të shpëtuar veten , e ka dëmtuar rëndë kohezionin e brendshëm të saj. Po ashtu braktisja dhe lënia në mëshirë të fatit e atyre që vërtet dhanë kontributin e tyre për ardhjen e socialistëve në pushtet, ka dhënë efektin e saj në përkeqësimin e klimës politike brenda vetë socialistëve.

Edhe pse personalisht nuk kam patur shumë pritshmëri për Ramën, kur ai erdhi në pushtet në 2013 si kryeministër, mendova që ai do të dinte të ngrihej në lartësinë që kërkonte detyra e kryeministrit të një kombi të lashtë, që ka përjetuar tragjedi dhe dhimbje të mëdha.

Edi Rama në 2013 erdhi në pushtet si rezultat i pakënaqësisë së madhe ndaj ”establishmentit politik Berisha-Nano”. (Duke ruajtur Metën për kohë tjetër për interesa të pastra pushteti). Por a e ka kuptuar Rama mesazhin e “revolucionit” me të cilin e ngarkuan një milion shqiptarë? A ka mundur ai të ndalojë trendet që po e shkatërronin Shqipërinë?

Në fakt, rezulton që ai jo vetëm nuk i ndaloi, por u bë frymëzues i këtyre trendeve shkatërruese. Ai zgjodhi të sundojë dhe jo të qeverisë, ndaj legjionet e tij i mbushi me mercenarë pa asnjë lidhje politike. Me “tregtarë flamujsh”, të cilëve as që ia ndjen për efektin afatgjatë të veprimeve të tyre .

Reforma për drejtësi u fanit bashkë me bujën me të cilën u propagandua, sepse rezultoi e kapur nga Rama që në gjenezë. Askush nuk beson më tek ajo, përveç atyre që e ndjekin verbërisht Ramën. Korrupsioni, ndaj të cilit ai u betua se do të kishte zero tolerancë, me qeverisjen e tij njohu një rritje të paimagjinueshme. Ka kapur në formë kapilare të gjithë sistemin.

Lufta kundër drogës u shndërrua në luftë për kontrollin e saj, duke u kthyer në plagën më të rëndë të shoqërisë tonë.Hapja e vendeve të reja të punës ishte një nga mashtrimet më të mëdha të tij. Me mijëra shqiptarë po largohen nga Shqipëria pikërisht nga mungesa e vendeve të punës.

Taksimi i ndershëm ishte i tillë vetëm për të ardhurat nga rroga, sepse për pasurinë e fituar nga klientët e tij është disa përqind më pak. Pra, takson më shumë rrogën dhe të ardhurat e të varfërve , ndërsa takson më pak fitimin e oligarkëve, e kundërta e asaj që premtoi.

Në Shqipëri kryeministrat duke filluar nga Berisha, Meta, Nano dhe së fundmi Rama i kanë dhënë formë karakterit publik jo vetëm të shqiptarëve brenda kufijve, por edhe atyre të mbetur jashtë kufijve shtetërorë, pra i kanë dhënë formë ndërgjegjes kombëtare. Ndaj është shumë e rëndësishme që një kryeministër të reflektojë ndershmëri dhe integritet në çdo aspekt.

Ai duhet të jetë një faktor bashkues dhe jo përçarës, siç po vërehet dendur gjatë këtyre viteve të qeverisjes së tij, sepse ai nuk duhet të harrojë kurrë që është një kryeministër i të gjithëve. Duke u shndërruar në një faktor ndarës dhe jo përbashkues si dhe duke nxitur urrejtjen dhe përçarjen përmes arrogancës dhe cinizmit ,ai ka hequr dorë vullnetarisht nga pozita e kryeministrit të të gjithë shqiptarëve dhe është kthyer në kryeministër vetëm të një pakice në partinë e rilindjes.

Ky tashmë është një fakt. Ai ka hequr dorë nga qeverisja dhe “po qeveris krizën” e madhe, që ka si burim mungesën e përkushtimit për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të individit, si dhe mungesën e drejtësisë aq shumë të dëshiruar. Reputacioni i tij sa vjen edhe zvogëlohet ndërkohë që shumica mendojnë që prej dhjetorit, ai udhëhiqet nga një axhendë tërësisht personale që i shërben vetëm atij dhe aspak partisë socialiste, dhe aq më pak popullit shqiptar.

E gjitha kjo po ndodh në një kohë kur çështja shqiptare ka filluar të vihet në dyshim, pikërisht nga paaftësia e tij, ndërkohë vendi po zien nga pakënaqësitë dhe revolta është në prag. Ndërkohë demokracia si sistem vlerash ka filluar të cënohet dhe modeli autokratik dhe brutal Rus po shfaqet si alternativë.

Është koha për një kryeministër tjetër!

Një kryeministër, që frymëzon dhe i bashkon shqiptarët. Një kryeministër që promovon politika që na fuqizojnë, dhe jo politika që i fryjnë zjarrit të frikërave dhe urrejtjes. Një kryeministër që mbron institucionet, dhe jo i kap ato për t’i vënë nën kontroll, për t’i përdorur më pas si kamzhik ndaj atyre që shfaqin pakënaqësi dhe rezistencë. Një kryeministër që mbron lirinë e shtypit dhe garanton sundimin e ligjit. Një kryeministër që kujdeset për ekonominë përmes një buxheti të mirëmenduar dhe të ballancuar. Por ajo që është më e rëndësishme, është që Shqipërisë dhe shqiptarëve i duhet një kryeministër, që trajton me respekt dhe dinjitet, dhe jo me përbuzje dhe cinizëm, çdo qytetar të këtij vendi.

Shqipëria ka nevojë për një kryeministër të ri, larg modelit autokrat që reflekton Rama. Sepse një model si Rama do të thotë-më pak prosperitet, më pak liri, më pak paqe dhe stabilitet.

Facebook Comments

Related posts

Edi nuk ka më dhëmbë për të kafshuar!

Eagle

Pse plani i Opozitës e rrëzon të gjithë propagandën sterile të kryeministrit?

Eagle

A do të arrijë Veliaj të bëhet pasardhës i Ramës në Partinë Socialiste?

Eagle

Leave a Comment

1 × 3 =