Përpjekja Shqiptare
Art Shqipëria Natyrale

EPOKA E HADI SHEHUT

Nga Enver MULLIQI

◾◾◾

Tashmë figura e Hadi Shehut, prej njeriu në rend të parë, e pastaj edhe prej aktori dhe artisti të pakontestueshëm, është shndërruar në legjendë, e ajo është e pavdekshme, ajo përherë gjallëron, përderisa të ekzistojë njerëzimi, jeton në imagjinatën, kujtesën dhe vet qenien e njerëzve. Ai, pra, ka arrijt të depërtoi thellë në vetëdijen tonë, që kurrsesi nuk mund të harrohet, brez pas brezi. Kjo, mund të dëshmohet edhe sot me faktin që, Gjakova së bashku me Teatrin e tij, i cili mbanë emrin e të madhit Hadi Shehu, për një javë, do të jenë nikoqirë i disa ansambleve teatrore nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Mbase, edhe me këtë rast, gjithnjë në shenjë kujtimi, do t’ishte mire të rikujtojmë disa fragmente nga jeta dhe vepra e Hadiut.
Gjatë gjithë periudhës së krijimtarisë artistike në fushën e artit skenik, që është trajtuar në një Monografi, botimi i së cilës shpresojmë të ndodhë së shpejti, me realizimet e tij teatrore dhe filmike, Hadi Shehu kishte lënë gjurmë të pashlyeshme dhe kishte hapur shtigje të reja, jo vetëm me opusin e tij të begatë artistik, por edhe të gjithë ata që e kanë përcjellë krijimtarinë e tij prej aktori, sidomos publiku artdashës, pastaj kritikët e Teatrit me vështrimet e tyre analitike për realizimet e tij, e madje edhe shumë gazetarë të tjerë që kanë zhvilluar biseda e intervista të ndryshme me të, kishin thurur e ndërtuar lëvdata, duke dhënë epitete të ndryshme për Hadiun dhe duke e konsideruar atë si aktor të madh, të veçantë, doajen, kolos, yll, vigan, gjigant, aristokrat, baba, emblemë, ikonë, korife, bardi, e madje edhe mbret të skenës.


MBRET I SKENËS SHQIPTARE

Sikur ky emërtim i fundit “Mbret i skenës” duket më i miri, më adekuati dhe më i qëndrueshmi, sepse plotësisht i përgjigjet veprës madhore të krijimtarisë artistike skenike të Hadi Shehut i cili, po si Mbret i vërtetë e mbizotëronte skenën dhe mbretëronte mbi te, duke i përmbushur të gjitha kërkesat e saj dhe duke krijuar kështu historinë, e cila karakterizohet me ndërtim të një epoke që, nuk mund të quhet assesi ndryshe, pos Epoka e Hadi Shehut.

Hadi Shehu, ky emër që shenjë mbrojtëse e kishte mjeshtërinë inventive për aktrim, për skenën, për artin skenik dhe për filmin. Sa herë ka interpretuar role nga më të ndryshmet, në skenë ka arritur të sjellë personazhe të “gjalla” të shfaqjeve teatrore, apo edhe të filmave artistikë. Ky burrë i mençur, i urtë e fisnik, me zemër të madhe sa Gjakova, me dashurinë për Kosovën dhe Shqiptarinë, e kishte nisur karrierën si një djalosh i talentuar, i cili shquhej ndër shokët e lagjes së tij me ndonjë recitim apo improvizim aktrimi, të cilin Hadiu e realizonte me sukses, ndaj edhe shokët e çmonin dhe e donin shumë.
Fillimisht, duke i përcjellë shfaqjet e Teatrit Amator “Emin Duraku” si shikues i rregullt i tyre, për herë të parë aty kishte ndie “erën” e teatrit dhe, që nga ato momente infektohet me “virusin e tij”. Duke qenë në vijim i angazhuar në shumë pjesë teatrore nga arsimtarët e tij, Hadiu këto ditë të fëmijërisë dhe rinisë së hershme, i konsideronte si ditët më të lumtura, ndaj edhe i shtohej dëshira që, përveç nxënës i mirë, të bëhej edhe aktor, për ti kontribuar qytetit të tij të lindjes. Aktivitet të ngjashëm, por gjithsesi me një intensitet të shtuar, kishte vazhduar edhe në shkollën e mesme, në Gjimnazin “Hajdar Dushi”, ku luajti në një sërë dramash të inskenuara nga arsimtarët e tij regjisorë, si Hilmi Kryeziu, i cili aso kohe ishte arsimtar i gjuhës frënge, si dhe shumë të tjerë.
Angazhimi i tij i mirëfilltë, ose “zyrtar” siç e quante vet Hadiu këtë akt, ndodhë në vitin 1965 pikërisht në Teatrin Amator “Emin Duraku”, ku për herë të parë angazhohet në rolin kryesor të Dorontit në komedinë “Loja e dashurisë” për të vazhduar më tutje me angazhime të reja, deri në rolin e tij shumë të rëndësishëm të Bajram Currit dy vite më vonë, në dramën “Drago i Dragobisë”, dhe këtë pikërisht në një kohë të vështirë, në periudhën famëkeqe të Rankoviçizmit, kur nuk lejohej inskenimi i veprave shqiptare, sidomos ato me taban kombëtarë, projekt ky i cili me angazhim të jashtëzakonshëm megjithatë u realizua.
Jehona e shfaqjes së kësaj drame mori dheun, ishte shfaqur edhe gjithandej nëpër Kosovë duke lënë impresione të thella tek shikuesit, të cilët kudo i mbushnin sallat dhe këtë shfaqje e përcillnin me interesim të veçantë, sidomos fjalët dhe mesazhet të cilat përçoheshin nga ana e Hadi Shehut, në rolin e tribunit popullor Bajram Curri.
Në vazhdim, radhiteshin rolet e ndryshme të Hadiut, njëri pas tjetrit dhe, që të gjitha kryerole, duke e bartur kështu barrën kryesore në inskenimin e suksesshëm të çfarëdo teksti që shtrohej në skenën e Teatrit Amator “Emin Duraku” fillimisht, e më vonë edhe në Teatrin Popullor të Gjakovës, duke realizuar kështu një spektër të gjerë rolesh të personazheve të ndryshme. Në këtë drejtim, përmendet shifra prej 140 role nga më të ndryshmet që aktori i madh i kishte luajtur në skenën e këtij Teatri dhe jo vetëm të tij, sepse si aktor mysafir, kishte marrë pjesë edhe në inskenime të shumë shfaqjeve të tjera në skenat e teatrove në Kosovë dhe në Shqipëri. Këto role ishin dedikuar teatrit, kurse në film luajti me shumë sukses edhe në mbi 30 role personazhesh të ndryshme dhe atë shumicën krye personazhe, duke u bërë kështu kolos, jo vetëm në teatër, por edhe në kinematografinë kombëtare.
Kështu, gjatë gjithë kësaj gjezdisjeje nëpër kohë dhe periudha të ndryshme, si një ndër aktorët më të shquar të skenës tonë teatrore, por edhe filmike, Hadi Shehu me pjesën më të madhe të krijimtarisë së tij skenike dhe artistike, identifikohet kryesisht me Teatrin, ndërkohë që, me disa nga kryerolet e tij filmike, ai vlerësohet edhe si një nga yjet e programit televiziv dhe të kinematografisë tonë gjithëshqiptare.
E, të gjitha këto, Hadiu i kishte arritur duke i respektuar në mënyrë strikte dhe këmbëngulëse parimet themelore që kërkoheshin nga aktori. Në rend të parë, tek ai mbizotëronte dëshira e dashuria për skenën, me qëllim që nga ajo ti ofroj publikut kënaqësi dhe atij t’ia bartë emocionet e veta, të cilat gjithsesi përmbanin mesazhin e duhur, mesazh ky, jo vetëm i aktorit por edhe i artit skenik në përgjithësi, i cili e çliron dhe e begaton shpirtin e njeriut, si dhe e mbushë atë me plotë energji pozitive.
Hadiu, jo vetëm që e deshi me tërë qenien profesionin e aktorit, por atë e kishte njohur edhe në detaje. Këtë e dëshmonte edhe botëkuptimi dhe qëndrimi i tij këmbëngulës i shprehur në një bisedë me gazetarin që e kishte intervistuar se, “aktori nuk është kukull, nuk është figurë shahu në lojën e dy zotërinjve regjisor – autor i veprës, por ai është krijues i barabartë dhe njëkohësisht autonom në realizimin e rolit të personazhit të caktuar”. Pra, sipas Hadiut, aktori është po aq i rëndësishëm, madje komponent parësore në realizimin ideor, praktik dhe artistik i një projekti dramaturgjik, por edhe atë të skenarit filmik.
Prandaj, siç thoshte ai, “aktori në inskenimin e një vepre artistike skenike, mbanë përgjegjësi të barabartë me autorin e tekstit dhe me regjisorin”.
Se si e ka jetësuar pastaj këtë koncept të tij, dëshmon përkushtimi i paparë në realizimin e cilitdo rol që i është besuar. Këtë e kishte shprehë dhe shfaqur në skenë para spektatorit në mënyrën më dinjitoze të mundur, sepse skena për të, ishte vet jeta e tij, pjesën më të madhe të së cilës e kaloi pikërisht aty.
Mbreti i skenës sonë, Hadi Shehu, kulmin e suksesit e kishte arritur me shfaqjet “Dragoi i Dragobisë”, “Armiku i popullit”, “Fisheku në pajë”, “Njeriu me top”, “Epoka para gjyqit”, “Halili dhe Hajrija”, “Gjakova, një luftë ndryshe”, “Katër Epoletat”, “Parfumeria”, “Pallati i ëndrrave”, “Pjata e drunjtë”, por edhe në filmat artistikë, “Si të vdiset”, “Gjurmë të bardha”, “Kur pranvera vonohet”, “Era dhe lisi”, “Kur shpirti ndërron jetë”, etj.
Me emrin, jetën dhe veprimtarinë e tij artistike e publike identifikohet edhe një periudhë e gjatë dhe shumë e rëndësishme e drejtimit dhe menaxhimit me Teatrin popullor të Gjakovës, të cilin Hadiu e udhëhoqi prej vitit 1981 me nga pak ndërprerje deri në vitin 2006.
Kështu, Hadi Shehu tashmë ishte bërë një nga figurat më madhore të kulturës mbarëshqiptare të artit dramatik e skenik, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e artit teatral tek ne në Kosovë dhe mbarë hapësirat ku flitet shqip, e madje edhe më gjerë. Këtij arti, ai ia kishte falur tërë jetën krijuese, duke mos kursyer asgjë, për ta ngritur atë në majat më të larta të mundshme. Këtë detyrë që ia kishte shtruar vetes, jo vetëm që ia arriti me plotë sukses, por edhe e avancoi dhe afirmoi Teatrin e Gjakovës, për ta njohur atë edhe kultura Ballkanike dhe ajo Evropiane.
Duke qenë për shumë vite edhe në postin e drejtorit të këtij Teatri i cili, edhe me angazhimin e aktorëve të tjerë, arriti vlera të qëndrueshme, megjithatë si aktor i përmasave artistike kombëtare, kurrë nuk e kishte menduar se karrierën e tij, bashkë me disa probleme të vogla shëndetësore, do ta ndiqnin, jo rrallë, edhe vështirësi të ekzistimit apo jo të Teatrit të Gjakovës, si institucion i dytë kulturor profesionist i artit skenik në Kosovë, pas Teatrit Kombëtar në Prishtinë.

Ndërkohë, pikërisht në vitin 1996, kishte mbizotëruar një heshtje, heshtje e rëndë, e shurdhër, sikur ajo para furtunës, e cila gjithsesi u reflektua edhe në punën dhe aktivitetin e Teatrit që, pas ndërprerjes së financimit dhe ndërlidhjes së tij edhe me një kohë të pakohë, me një presion të shtuar të masave represive të okupatorit, me kohën e masave të dhunshme të tij dhe trysninë që zhvillonte okupatori ndaj kulturës shqiptare, pra edhe Teatrit i kanosej shuarja, apo mbyllja e tij përgjithmonë.
E pastaj, kishte ndodhur edhe lufta dhe, për këtë periudhë, e cila mund të përshkruhet si amorfe për Teatrin, që nuk pati ndonjë aktivitet, pos përpjekjeve për të mbijetuar disi, me tërë qenien ishte angazhuar edhe vet Hadiu i cili, edhe ashtu përballej e luftonte, në mes tjerash, edhe me disa ankesa shëndetësore, luftë kjo, kundër së cilës megjithatë ngadhënjeu, sikundër që, pas një lufte heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe intervenimit të trupave të NATO-s, u mund edhe vet okupatori, armiku shekullor i të gjithë shqiptarëve. Derisa luftëtarët e Lirisë kishin ngadhënjyer në luftën e tyre me pushkë, në anën tjetër, për ta mbajtur gjallë Teatrin e Gjakovës dhe për tu folur shqip në të, lufta u fitua me mençuri, këmbëngulje dhe sakrificë. Pos të tjerëve, kësaj lufte i kishte prirë dhe stoikisht i kishte qëndruar vizavi edhe drejtori i këtij Teatri, Hadi Shehu.Edhe në ato kushte e rrethana, përmes formave të ndryshme alternative të rezistimit dhe financimit të pjesërishëm, arriti të qëndroj në këmbë dhe gradualisht ta merr vetën, për të shpërthyer pastaj me aktivitet të shtuar që nga paslufta me shfaqen e dramës “Katër Epoletat” tëHaqif Mulliqit, në regji të Holger Zibler nga Gjermania, dhe për tu rreshtuar tutje vargu i shumë premierave të suksesshme të këtij Teatri, projekte këto në të cilat, në role kryesore morri pjesë edhe vet Mbreti i skenës, Hadi Shehu.
Ishte kjo periudha më e ndritshme e Teatrit, menjëherë paslufte (2000-2003) në të cilën, jo vetëm që u shfaqën hiq më pak se 15 premiera, vepra këto të gjitha të autorëve shqiptarë, por falë vizionit dhe angazhimit të përkushtuar të drejtorit Hadi Shehu, në koordinim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Kosovës, koha kur ishte vendosur edhe për kthimin e statusit dhe emërtimit paraprak si Teatër Kombëtar i Gjakovës, i dyti pas atij të Prishtinës.
Ndërkohë, jo më shumë se pas një viti, gjendja shëndetësore e Hadiut sa vie e përkeqësohet dhe domosdoshmërisht kërkoheshin vizita, shqyrtime, analiza dhe trajtime mjekësore, të cilave gjithsesi duhej nënshtruar, sikurse më vonë, për fat të keq, edhe operacionit të pashmangshëm. Në këtë kohë, Hadiu ishte sëmurë shumë rëndë dhe, në fillim iu kishte nënshtruar dializës, e pastaj veshka e tij kishte filluar të humbas funksionin. Fillimisht u shtrua në spitalin e Prishtinës, e më pas në Tiranë, për të vajtur përfundimisht në Zvicër. I nevojitej transplantim i njërës veshkë, të cilën ia dhuroi gruaja e tij Nerzanja të cilën, me shumë arsye dhe të drejtë, familjarët, por edhe të tjerët, e konsideruan heroinë.
Për këto ndërprerje dhe këtë vakum që ishte krijuar në angazhimet e tij, vetë Hadiu e kishte konsideruar si periudhën më të rëndë dhe më të vështirë të jetës së tij dhe të familjes, periudhë kjo e cila u tejkalua falë Zotit dhe njerëzve vullnetmirë që e ndihmuan, jo vetëm për ta përballuar këtë sprovë të jetës, por edhe për ta forcuar atë që t’i kthehet sërish jetës në skenë.
Kështu, mungesa e përkohshme fizike e tij si drejtor, por edhe si aktor, ndonëse krijoi një zbrazësi, do thoshim më shumë emocionale, që ishte shprehur si indisponim në radhët e trupës teatrore, megjithatë shembulli dhe fryma mobilizuese e tij, nuk u shua. Fillimisht, ky vakuum i krijuar në mungesë të drejtorit të Teatrit, me angazhim të shtuar të Këshillit artistik, në përbërje të të cilit ishte Haqif Mulliqi si kryetar, Milazim Krasniqi, Basri Qapriqi, Kameron Goranci dhe vet Hadi Shehu si anëtarë, në përcaktim të repertorit, si dhe menaxhmentit të përbërë nga Jahja Shehu, Ilhami Kurtishi dhe Fuat Shasivari, në realizim të plan programit të punës dhe detyrave programore, duke vazhduar kështu Teatri veprimtarinë e vet të rregullt. Kjo mungesë e Hadiut, i cili po përpëlitej gjithandej nëpër mjekë dhe institucione shëndetësore për ta mundur sëmundjen, ndjehej kudo, e sidomos tek publiku dhe dashamirët e artit skenik, të cilët tashmë ishin mësuar me te dhe me rolet e tij në shfaqje të ndryshme. Por, falë Zotit dhe ndihmës së njerëzve vullnet mirë, këto bredhje të tij të mundimshme dhe plotë ankth, më në fund kishin përfunduar, për të ndodhë në vitin 2009 një rikthim i tij triumfues në skenë.
Ndërkohë, derisa po konsolidohej shëndeti i tij, në prani të shumë krijuesve të Teatrit e të filmit nga Kosova e Shqipëria, të dashamirëve të tjerë të artit skenik dhe miqëve të shumtë të jetës private dhe profesionale të aktorit Shehu, që e kishin mbushur sallën përplot, në Gjakovë ishte organizuar “Java e filmit të Hadi Shehut”, me ç’rast u shfaqën një sërë filmash, në të cilët kishte luajtur me shumë sukses Hadi Shehu, i cili sipas regjisorit të shquar nga Shqipëria Gëzim Kame, “ai është dhe mbetet ikonë e Teatrit dhe e aktrimit shqiptarë.” Bile, ky regjisor, i ardhur enkas për këtë eveniment kulturor, mendon se “artisti Shehu dhe artist të tjerë të mëdhenj që ka Kosova dhe Shqipëria, janë ata që ndërrojnë konstruksionin shpirtëror të një kombi. Lum ai qytet, siç është Gjakova, që organizon një aktivitet, në nderim të artistëve të mëdhenj si Hadiu, një ikonë e artit shqiptarë”.
Pas gati 6 vitesh mungese, aktori i madh i skenës mbarëshqiptare, Hadi Shehu, iu kishte rikthye skenës dhe publikut, me premierën e monodramës “Marrëzia apo komedia njerëzore”, produksion i Teatrit Alternativ Kosova (pjesë e Institutit kosovar për dramë, film dhe koreografi). Autor dhe regjisor: Haqif Mulliqi. Interpretoi: Hadi Shehu. Muzika: Haki Mulliqi. Skenografia dhe kostumet: Agnesa Muharremi. Dritat: Nafi Baraku. Në skenën e Pallatit të Kulturës, i përcjell nga një numër shumë i madh i dashamirëve të teatrit, Hadiu ishte prezantuar me këtë monodramë. Mungesa e gjatë nga skena dhe heshtja e Teatrit Popullor të Gjakovës që tash e sa kohë nuk kishte përgatitur ndonjë premierë, bënë që salla universale e Pallatit të kulturës në Gjakovë, të mbushet përplot me njerëz të cilët, në përfundim të shfaqjes, e përshëndetën bardin e skenës shqiptare, Hadi Shehun, me duartrokitje të gjata, si dëshmi se e çmojnë kontributin e tij dhe e mbështesin rikthimin e tij në skenë.
Ngritja e tij në skenë edhe njëherë, gjithsesi ishte një ngjarje e veçantë kulturore, teatrore dhe artistike me përmasa kombëtare. Ndodhi kjo në skenën e Gjakovës në premierën e monodramës “Marrëzia apo komedia njerëzore” në autorësi të Haqif Mulliqit, dramaturg dhe regjisor, të cilit i kujtohen momentet e fillimit të inskenimit të kësaj monodrame: “Hadiu nuk shihte mirë, nuk dallonte mirë, dallonte siluetën, por neve na dallonte në bazë të zërit e jo të fizikut. Tekstin ia kemi mësuar Hadiut në mënyrë orale, ne e kemi lexuar e ai e ka mbajt në mend, kurse mizanskenën të cilën e kemi ndërtuar, ai ishte maksimal sikur në kohërat më të mira kur ishte mirë me shëndet, ndaj përjetë nuk mund ta harrojë atë premierë.”
Pas shfaqjes së kësaj premiere, gazetari dhe analisti Agron Gërguri kishte veçuar: “Impresioni i parë që të vuloset në mendje nga shfaqja ‘Marrëzia apo komedia njerëzore’ është madhështia skenike e Hadi Shehut, domethënia e dashurisë për dërrasat dhe sfidimi i gjendjes shëndetësore me art. Edhe njëherë u binda se teatri në të vërtetë është dashuri, është jetë dhe gjithçka që dimë a nuk dimë për të mund të përmblidhet në përkushtimin dashuror për dërrasat ku jetohet ajo dashuri dhe ku kodifikohet në art. Mbase shumicën prej spektatorëve të shumtë i kishte marrë malli për të dëgjuar melodinë e fjalës së bukur shqipe, që artikulohej aq ëmbël e kuptimplote, dhe që merrte kuptimin e saj plotësues përmes timbrit të kthjelltë e artistikisht të ndërtuar të Hadi Shehut. Artikulimi i saktë nxirrte me besnikëri vlerën artistike të tekstit, ndërtuar mbi praktikën jetësore e ngritur në filozofi, të Haqif Mulliqit.”
Ndërkaq, shkrimtari dhe kritiku teatror Halil Haxhosaj, pas shfaqjes së kësaj monodrame dhe për ndërtimin e realizimin kompakt të saj nga ana e autorit dhe regjisorit Haqif Mulliqi, si dhe interpretimin brilant të aktorit të madh Hadi Shehu, kishte shkoqitur: “Duke zhvilluar veprimin e monodramës në skenë dhe prapaskenë, regjisori Haqif Mulliqi pati koncept absolutisht të avancuar dhe modern të realizimit të veprës së tij. Dhe kësaj, ia arriti me sukses të plotë natën e premierës. Duke e konceptuar tërë realizimin mbi një buqetë elementesh mizanskenike dhe me gërshetim të efekteve të muzikës e të dritave nuk solli ‘monotoni dhe rënie’ të konfliktit dramatik. Mbase, kështu, ai e rikonfirmoi edhe talentin dhe përvojën e tij të fituar viteve të fundit edhe si regjisor për skenat kombëtare, mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare. Ky rezultat u pa, por edhe u shfaq edhe në regjinë e kësaj monodrame, e cila disi besueshëm rrëshqiste nëpër shumë faqosje të mëtimit modern.
E, Hadi Shehu aktor, është personazhi më i pritur jo vetëm i monodramës së Mulliqit, por edhe i publikut teatror të Gjakovës, Kosovës, e të mbarë shqiptarisë. Por, doajenin nuk e mposhtin emocionet edhe pse paksa e kaplojnë. Përvoja e tij e madhe dhe interpretimi prej një aktori të dalluar, dalin sheshit dhe fluturojnë nëpër të gjitha hapësirat e skenës. Duartrokitjet ia shtojnë edhe më shumë guximin. Ky e interpreton këtë rol të pazakonshëm dhe shumë të vështirë për mishërim ashtu siç di vetëm ai. Ashtu siç e ka vetëm ai ‘zanat’.”

Ndërkohë, Hadiu donte që ta bënte edhe një shfaqje të fundit, kishte dëshiruar që rikthimin ta bënte me një rol që kishte luajtur dikur në rininë e tij. Bëhej fjalë për rolin e Lon Denisonit në shfaqjen “Pjata prej drurit”. Këtë shfaqje ai e kishte bërë shumë më herët me regjisorin dhe pedagogun e njohur të teatrit Muharrem Qena dhe, tani gjykonte që kishte ardhur koha të shkëlqente sërish me këtë rol, të shkëlqente mbase për herë të fundit. Duke qenë ky rol ëndërr e Hadiut, pas disa takimesh që i kishte zhvilluar me regjisorin Gëzim Kame nga Tirana, nuk shkoi gjatë dhe kishin filluar përgatitjet në inskenimin e kësaj drame.

Në prani të mbi 1000 shikuesve ishte shënuar gala shfaqja – premierë e dramës “Pjata prej druri” e cila targetonte me moshën, me figurën e Hadi Shehut, qoftë si aktor, qoftë si baba, qoftë si gjysh, qoftë si lis i kësaj mendësie artistike dhe i kësaj shoqërie.
Për interpretimin e Hadi Shehut në këtë shfaqje kishte shkruar edhe Naser Shatrolli dramaturg, skenarist dhe kritik i teatrit, i cili në mes tjerash kishte veçuar: “Çdo skenë me Hadiun, prodhonte atmosferë – ëmbëlsirë. Urtësia e fjalës së tij, përballjet me djem dhe me zonjën e shtëpisë, dëshirat, ëndrrat, kujdesin dhe familjaritetin për shtëpi e nipëri, gjestet, teket, nazet, ndëshkimet, mallkimet, dhembshurinë, kujtesën, figurën, fjalën kumbuese, gradacionet, ngjyrimet, tretmanin psikodramatik në rrethana, titanizmi fizik e interpretativ është mundësi unike për kritikën. Teatri i Gjakovës është shtëpia e Hadi Shehut. Aty ka punuar ndër vite, ka pritur mysafirë të shumtë, regjisorë, krijues, aktorë.

Shfaqja teatrore “Pjata prej druri”, pas Gjakovës vajti edhe në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë, ku ishte ndjekur me shumë interesim dhe përcjell me shumë emocione nga publiku, me ç’rast morri duartrokitje dhe vlerësime të larta të artëdashësve të Tiranës.
Kështu, pas këtyre shfaqjeve, u dëshmua se aktori i madh, Mbreti i skenës Shqiptare ishte rikthyer me tërë shkëlqimin e tij në skenën e teatrit dhe, duke marrë duartrokitje të gjata dhe të ngrohta, me shumë emocione nga salla e mbushur e pallatit të kulturës, si asnjëherë më parë në shfaqje teatrore, ai për të saten here kishte dëshmuar se edhe në këtë moshë mbetet aktor i kalibrit të madh. Me këtë rast kishte deklaruar: “Kam emocione të jashtëzakonshme, edhe gëzimi dhe pikëllimi. Gëzimi, për punën time me përkushtim që kam bërë gjithë këto dekada, kurse hidhërimi sepse ndoshta është diku edhe fundi i karrierës sime. Publiku është i jashtëzakonshëm. Ai më ka përcjellë prej ditëve të para kur kam shkelë në skenën tonë, e si duket nuk po më ndahet deri në ditët e fundit. Kam jetuar për publikun dhe ai më ka mbajtur gjallë. “

Për kreacionet artistike të Hadi Shehut janë shkruar dhjetëra e qindra artikuj, analiza dhe kritika. Madje, edhe nëpër gazetat më të njohura të botës siç janë “The New York Times”, “The Guardian”, “The Independent”, “The Scotsman”, “The Sundays Times”. Bile, për aktorin Hadi Shehu është realizuar edhe një film dokumentar për nevojat e BBC-së. Ndërsa, kritiku dhe njëherësh kryetari i Asociacionit botëror të kritikëve të teatrit, tek “The Guardian”, në gusht të vitit 2003, duke iu referuar kreacionit brilant në rolin e Policit tek “Gjakova një luftë ndryshe” e Haqif Mulliqit, ndër të tjera, do të shkruante: “Hadi Shehu është një aktor i veçantë. Nuri i fizikut të tij është një lloj shkëlqimi. Aktorët e këtillë janë të rrallë, siç janë aktorët e mëdhenj gjithandej”.

Për punën dhe talentin e tij, Hadi Shehu ka vazhduar të konsiderohet si njëri ndër aktorët më të mirë të skenës teatrore. Gjatë karrierës së tij, kishte fituar shumë çmime e mirënjohje, përfshirë edhe këto së fundmi: Çmimin për vepër jetësore të Komunës së Gjakovës, Çmimin kombëtar për vepër jetësore nga MKRS në vitin 2012, si dhe Medaljen presidenciale të meritave nga Presidenca e Kosovës në vitin 2013, duke u bërë kështu shembull dhe inspirim për gjeneratat e reja. Kontributi i tij i shkëlqyer në sferën e artit skenik, padyshim do të frymëzoi shumë artiste të rinj.

Përherë mirënjohës,

Enver Mulliqi
Autor i Monografisë:“Një Shekull Teatër”

Facebook Comments

Related posts

Regjisori që na tregoi se “çdo marrëdhënie seksuale është e dënuar”…

Eagle

Një gotë raki me Moikom Zeqon

Eagle

Pashallarët në nëntë pamje

Eagle

Leave a Comment

four + seven =