Përpjekja Shqiptare
Kujtesë

Eminenca Elsie dhe emineca gri e tij

Nga Flutura AÇKA

◾◾◾

“Do të vij në fund të qershorit, dhe do të shkojmë në Theth!”, më tha i vendosur Turi (Artur Metani), dragomani për 25 vite rresht i albanologut të njohur, Robert Elsie.
Bobi, siç e thërriste ai, sot do të kishte ditëlindjen dhe ne do të mblidheshim pak miq në Theth për ta kujtuar këtë 71-vjetor të munguar dhe vitin e katërt të lamtumirës me të më 2 tetor 2017. Por eminenca gri e Robert Elsies, djaloshi i përkushtuar për kulturën shqiptare me dekada dhe krejt pa bujë, na la pak ditë pas kësaj bisede që kishim në Hagë, mu aty në sheshin para parlamentit holandez. Ishte 17 maji i këtij viti, kur mbase nga një ethe mbindjeshmërie që ka njeriu para se të thotë lamtumirë, ai këmbënguli të rrinte me mua gjatë dhe ashtu gjatë kujtuam Robertin, tim bir, gjëra të dashura e që na mungonin.
Arturi kishte vite që punonte si ndihmës në Ambasadën e Kosovës në Holandë dhe ishte krenar që i kishte shërbyer gjithë jetën (edhe në kohën kur udhëtonte me albanologun e njohur) një atdheu më të madh se ai që e kishte lënë vite të shkuara. Takoheshim shpesh dhe kemi kujtime të mrekullueshme të miqësisë sonë, bashkë me Robertin; ndonjë prej tyre e përmend edhe tek libri im “Biri”.
Qysh nga ikja e albanologut, ai nisi të hidhte shënimet e udhëtimeve me Robert Elsien dhe ngjarjet e atyre viteve nëpër trojet shqiptare, një punë e jashtëzakonshme që përmblidhet në ato dhjetëra studime dhe libra të pafund që Elsie na la ne shqiptarëve. I pata premtuar se kur ta mbaronte librin, do ta ndihmoja me redaktimet dhe botimin, kështu ne do të kishim mundësi ta njihnin Robert Elsien në procesin e hulumtimit e të krijimit të këtyre veprave. Por Artur Metani nuk e përfundoi dot librin e tij dhe na la shumë i ri pak ditë me parë nga një arrest kardiak. Në Sharrë është ende një pirg dheu i freskët i mbuluar nga lulet e shumta, në Theth varri i gurtë monumental i albanologut i kuruar prej mikut të tij të pabujë, dhe në këtë botë ende kujtime të bukura dhe nderim me përulje për ata që nuk u lodhën kurrë së dhëni Atdheut pa e bërtitur përbetimin e tyre.

▪️Fragmente nga “Biri”, 2020

Më 29 qershor të vitit 2012, pas promovimit të librit “Pasioni për Thethin” në Muzeun e Fotografisë në Rotterdam, ne bashkë me Robert Elsien dhe Arturin, ndihmësin e albanologut të njohur (i cili ende e thërret veten “dragomani” i Robert Elsies, pasi e ka shoqëruar albanologun në të gjitha ekspeditat e tij nëpër tokat shqiptare për gati çerek shekulli, deri në ndarjen të tij nga jeta më 2 tetor të vitit 2017), u zhytëm me vështirësi në makinën e vogël të Ambasadës së Kosovës. Atëherë, Himni i Futbollit Shqiptar – një këngë disi shoviniste në syrin tim – ishte shumë në modë, ndaj ne ia ngritëm zërin diskluajtësit të makinës deri në fund dhe madje me thirrje zëlarta përsëritnim vargun “kuqezi”, duke e detyruar edhe shoferin holandez të na shoqëronte, por, për shkak të shqiptimit jo të drejtë që i bëri fjalës “kuq” ne qeshnim me zë të lartë. I ziu shofer, i nxitur prej hovit tonë, zuri të thërriste edhe më fort, i sigurt se po na nderonte duke e shqiptuar “koq” ngjyrën tonë të shenjtë. Nga ndenjësja e prapme dëgjoja gurgullimën e së qeshurës të Birit dhe lumturinë e tij të pafundme për këtë “aventurë” shqiptare që po bënim, nga ato që ai i njihte mirë, pasi atë kohë kishte vetëm një vit që ishte shpërngulur në Holandë. Tek shihte makinën që troshitej nga të qeshurat dhe kënga, Robert Elsie vuri duart në kokë dhe tha me të qeshur: “Vetëm ju shqiptarët bëni kaq shumë zhurmë!”…

Atë natë (1 tetor 2018) mbërritën familjarët e ngushtë të Robert Elsies për ceremoninë e njëvjetorit të ndarjes së tij nga jeta dhe të nesërmen, nën shiun e imët e të vazhdueshëm, nën thëllimin që sillnin mjegullat që po zbrisnin ngadalë nga majat e maleve, bri pemës së lashtë që ende lëngonte e thyer aty afër, u përshëndetëm me mikun tonë të vjetër dhe e kujtuam pa bujë, siç ai qe, dhe siç ai punoi, mes të tjerash edhe për këtë perlë siç është Thethi, dheu bujar i të cilit tani është shtëpia e tij e përjetshme, siç është edhe shtëpia e përjetshme e kujtimeve të mia të shenjta për Birin.

▪️Me Robert Elsie dhe Artur Metani, Rotterdam, 29 qershor 2012. Foto Ann Christine Eek

Facebook Comments

Related posts

Ilia Xhimitiku një mjeshtër beratas

Eagle

Në kujtim të Kozeta Notit, e tradhtuar nga dashuritë e saj të mëdha

Eagle

Hymni Flamurit, 12 Qershor 1913

Eagle

Leave a Comment

17 + eighteen =