Përpjekja Shqiptare
Erl Kodra

Edi Rama – Havzi Nela – Kristaq Rama dhe poezia “Digji mëkatet”

Nga Erl KODRA

◾◾◾

Edi Rama paska dhënë një intervistë të gjatë për revistën “BeauxArts Magazine” – një revistë e njohur franceze. Gazeta Panorama ishte kujdesur për t’a përkthyer dhe publikuar sot (18 – 10 – 2021) duke bërë kështu një shërbim të vyer për lexuesit shqiptarë. Në të vërtetë e lexova intervistën me kërshëri për dy arsye – së pari sepse aty fliste Kryeministri i Shqipërisë, dhe së dyti – se ai fliste për të kaluarën si artist dhe si njeri, që dalëngadal është kthyer në njeriun më të rëndësishëm politik në vend.

Që në krye vura re një qasje tejet të zgjuar të Edi Ramës, duke u kujdesur të thotë ato gjëra që nuk përmbajnë gënjeshtra – përjashto ato historitë e persekutimit të të tjerëve që ai mund t’i ketë edhe me të dëgjuar – për të krijuar një atmosferë bindëse dhe të paqtë, se si ai dhe shokët e tij nuk e dinin se çfarë ishte “instalacioni” artistik, se si ata vuanin për të lexuar një autor të ndaluar, madje ai nuk heziton të kujtojë edhe të dashurën ruse të babait Kristaq Rama, e cila u detyrua të largohej nga vendi kur Enver Hoxha prishi marrëdheniet me Bashkimin Sovjetik. Edi Rama nuk ndalon këtu, por fillon tregon historinë e një shoku dhe nënës së tij ruse dhe kalvarin e vuajtjeve që ai hoqi nën komunizëm.

Interesante është se të gjitha historitë e persekutimit politik ishin historitë e të tjerëve, dhe këtu Edi Rama është krejt korrekt. Asnjëherë nuk gaboi të thotë se ai ishte i persekutuar, pavarësisht se ai thotë se Akademia e Arteve ishte qendra e rebelimit kundër sistemit. Mundet që edhe Akademia ishte një ndër vendet ku është ndjerë njëfarë rebelizmi në fund të vitit 1990, por në fakt revoltat e vërteta ishin tjetërkund nëpër Shqipëri, duke filluar që me Kampin e Internimit në Tepelenë, Burgjet e Qafë Barit, Burrelit dhe Spaçit, kampet e punës së detyruar në Maliq, fabrikat dhe uzinat e ngritura nga puna skllavëruese e të burgosurve politik, si dhe vendet e internimit për qindra mijëra shqiptarë, kryesisht në jug të vendit.

Në të vërtetë revolta antikomuniste nuk ishte thjeshtë kulturore, por para së gjithash ajo ishte revoltë për të drejtën e jetës, pronës dhe ndërgjegjes. Shumica e të dënuarve – përfshirë të vrarët me gjyq dhe pa gjyq – përgjatë 45 viteve ishin viktima të një terrori sistemik në linjë gjaku, që lirisht mund të cilësohet si gjenocid politik. Ky është përkufizimi i vetëm juridik që definon vrasjen e mbi 6000 shqiptarëve përgjatë 45 viteve të terrorizmit shtetëror – sepse padyshim që ata njerëz nuk kishin kryer asnjë krim, dhe se “krimi” i vetëm i tyre ishte se ata ishin kundërshtarët politik të regjimit.

Edi Rama kujdeset që të mos flasë për këtë pjesë Shqipërie, por vetëm për rebelizmin e tij në Akademinë e Arteve në fund të vitit 1990, pavarësisht se si padashur, atij i kujtohet se babai i tij Kristaq Rama paska pasur një të dashur ruse, ose një grua ruse, prej të cilës regjimi e detyroi të ndahet me dhunë. Megjithse ne nuk kemi asnjë të dhënë se si qëndron e vërteta, domethënë nëse gruaja e re ruse ishte e martuar, nëse ajo u largua me dëshirë nga vendi, apo atë e përzuri Kristaqi (babai), për t’u martuar më pas me Aneta Kolekën, mbesën e Spiro Kolekës, funksionarit të lartë të regjimit terrorist.

Kur po lexoja intervistën e Edi Ramës, padashur m’u kujtua vetja ime në vitin 1988, diku nëpër kodrat e fshatrave të Vlorës, duke përmbushur normën ditore prej 8 metër kub baltë kanalesh, që unë i hapja me një lopatë të madhe, bishti i së cilës më kishte mbushur duart me flluska uji. Unë isha kthyer në një lloj buldozeri njerëzor, ku bashkë me vëllezërit e mi adoleshent rropateshim zabeleve si armiqë të Partisë dhe të Atdheut.

Krejt padashur m’u kujtuan vargjet e një poezie që unë e kam shkruar diku gjatë vitit 1989 në një fletore me kuadrate, ato ditë që unë mora vesh se poeti Havzi Nela ishte varur në litar si armik i Partisë dhe tradhëtar i Atdheut. Krejt padashur – sepse vërtetë at’kohë nuk e dija – në një ndër ato vargje gjenden edhe dy tre fjalë që çuditërisht tingëllojnë si një dëshmi e nënvetdijshme ose telepatike, se gjama kishte lidhje edhe me mermerin e “ndershëm” – si landa prej së cilës ishin gdhendur statujat e terroristit Enver Hoxha.

Digji mëkatet

O Dielli im, ti digji mëkatet,
Në indin e duarve, në thonjtë e gjuhës,
Shkatërro guackat, mermerin e “ndershëm”
O Dielli im rrezebuçitës!

O Diell bablok, pa rrudhë në ballë,
Flaki dorezat, flake kapelen,
I zjarrtë, i qeshur takoi majmunët,
Në këtë fundshekull, dhe puthi në faqe.

O Dielli im, po rrjedh agimi,
Si lumë nga Qielli, i larë në mëkate,
Homerin dhe Lorkën i kanë varë për qafe.

O Dielli im, ti digji mëkatet,
Është mbarsur agimi me re dhe shtrëngata,
Po i varin poetët në shtyllat e gjata.

Vlorë, 1989

Ishte e shtunë ajo ditë që mora vesh se poetin Havzi Nela e kishin varur në litar. Në shtëpi kishim një radio kineze, nëse ju kujtohen radiot “25 Vjetori”, ku unë dëgjoja Radio Prishtinën me valë të shkurtëra, vetëm natën sepse ditën nuk punonte mirë.
Atë natë, ndërsa dëgjoja Pink Floyd me “Another brick in the wall” në Radio Prishtina unë shkrova poezinë “Digji mëkatet”.

Diku nga mesi i këngës, tek kori i fëmijëve ose ndoshta nga fundi i saj, kur ata fillojnë të thyejn tavolinat (disa vite më vonë unë kam parë videoklipin e kësaj kryevepre të Pink Floyd) i rashë me grusht murit. Ashtu, me dorë të gjakosur dhe lot në sy kam shkruar poezinë për Havzi Nelën. E lexoja dhe e rilexoja pandërprerë. Nuk e di pse, por kështu bëja.

Edi Rama thotë disa gjëra që nuk janë gënjeshtra, por që në fakt janë mashtruese. Sepse një gënjeshtar e di se është një genjeshtar, ndërsa ai që thotë vetëm pjesë të së vërtetës – për të mashtruar – dhe ai është mjeshtër i mashtrimit. Ai flet për librat e ndaluar, për pikturat e ndaluara, për piktorët dhe artistët e dënuar, por nuk thotë se babai i tij Kristaq Rama ka hedhur firmën në një dokument të Presidencës së asaj kohe, që sanksionon dënimin përfundimtar me vdekje të poetit Havzi Nela.

Unë nuk e dija se Kristaq Rama duhet të ketë votuar, ose edhe hedhur firmën në vendimin e Komisionit Qëndror të Dëbim – Internimeve për mua dhe vëllezërit e mi adoleshent. Në të vërtetë, ai dokument mbanë vetëm firmën e Kryetarit të Komisonit Manush Myftiu.

Vetëm dy vite më pas Edi Rama do të “rebelohej” në Akademinë e Arteve të Bukura.

Facebook Comments

Related posts

Edi Rama është sëmurë me Sindromën e Stresit Post Traumatik (Post Traumatic Stress Syndrome)

Eagle

Rrondokopi: Përgjegjësia në komunikimin publik dhe dy fjalë për showman-in Dritan Hila

Eagle

“Kalorësi i Fytyrës së Vrerosur” dhe Presidenti Macron

Eagle

Leave a Comment

two × five =