Përpjekja Shqiptare
Opinion

Edhe njëherë mbi Berishën

Nga Johanes ESTRADA

◾◾◾

Pak ditë pasi kishte plasur skandali i Unazës së Madhe, Sali Berisha zbriti disa kate nga zyra e tij dhe hyri në zyrat e televizionit më të ri në Tiranë, A2. Zyra e tij, kulla ku ajo ndodhet, dhe televizioni kanë të gjithë të njëjtin pronar.

Berisha shkoi për të dhënë mbase intervistën e parë politike të televizionit. Por mbi të gjitha, shkoi për të dhënë një mesazh të qartë për të tijët: biznesmenët nuk preken! Këtë mesazh e sqaroi disa ditë më pas edhe në një intervistë të gjatë me Adi Krastën.

Që nga ai moment, opozitës i merrej goja kur fliste për Unazën. E përmendte skandalin sa për retorikë kur i duhej, por vetëm kaq. Emrat e Gjinkurit dhe Afrim Qendros përmendeshin pak, por emri i DH Albania u zhduk nga diskutimet publike. Akoma më keq, edhe kur mediat shqiptare zbuluan se pas DH Albania me shumë gjasa qëndronte Bashkim UIaj dhe kompania e tij Gener2, pronarë të kullës dhe televizionit të sipërpërmendur, opozita nuk e përmendi kurrë emrin e tij. Deputeti që zbuloi skandalin u syrgjynos publikisht, duke u zhdukur nga ekranet dhe podiumi i partisë për disa muaj.

Së bashku me Manen dhe Kastratin, Ulaj është “oligarkia” për të cilën flasim po nuk e përmendim me emër. Por nëse Kastrati dhe Mane kanë më shumë likuiditet, Ulaj është pika e vjetër e lidhjes mes Ramës dhe Berishës, që në fillim të viteve 2000. Mesazhi i qartë i Berishës për opozitën ishte “larg duart prej tij”.

Dhe kështu ndodhi! Ulajt nuk i hyri asgjë në këmbë dhe sot është ndër përfituesit kryesorë të fondeve publike nga rindërtimi. Qershiza mbi tortë ishte miratimi së fundmi nga gjykata i kontratës së çmendur Thumanë-Kashar, që gjasme u anullua nga qeveria.

Sot Berisha po përpiqet të bindë popullin opozitar se po shkon në parlament për të bërë një “betejë si kurrë më parë” ndaj Ramës dhe korrupsionit. Kur sheh se si qoftë ai, e qoftë partia që ai vazhdon e drejton siç e ka drejtuar që nga vitit 1991, nuk guxojnë as ta përmendin emrin e Bashkim Ulajt, është e qartë se sa qesharake është ky pretendim. Po shkon të mbrojë veten, luftën ndaj korrupsionit ka vite që nuk e bën!

Dhe përfituesi kryesor kuptohet që është një Kryeministër akoma më i korruptuar, i cili ka gjetur alibinë perfekte për të qëndruar gjatë në pushtet.

Facebook Comments

Related posts

Mirëserdhe Albin djali, se neve na kish marrë marrë malli…

Eagle

Të jesh i Djathtë dhe të jesh i Majtë

Eagle

Për ata që shajnë Skënderbeun!

Eagle

Leave a Comment

5 × 5 =