Përpjekja Shqiptare
Politikë

E “djathta” jonë

Nga Johannes ESTRADA

◾◾◾

Kur Jozefina Topalli filloi të fliste hapur kundra Bashës, pas listave të vitit 2017, më binte në sy vrazhdësia dhe mungesa e profesionalitetit në statuset apo komentet që bënte. Ishin fjalime të gjata, të lodhshme, me gabime të shumta ortografike dhe gramatikore. Nuk dua të flas për elementet e politikave dhe ideve sepse ato ishin inekzistente. E njëjta situatë ishte dhe në fushatën e këtij viti.

Tani, personazhi në fjalë ka qenë numri 2 ose 3 i shtetit shqiptar dhe i Partisë Demokratike për 8 vjet. Ka qenë dhe 12 vjet të tjera deputete e nënkryetare parlamenti për 8 prej tyre. Dhe pas 20 vjet angazhimesh, nuk kishte dot një staf që t’i menaxhonte mesazhin në mënyrë profesionale. Do doja të thoja që ishte shenjë ndershmërie, por e di që ajo ka bërë ndere e favore si plot të tjerë. Ishte thjesht rasti tipik i dikujt që nuk kishte ditur të planifikonte asgjë për karrierën e saj e mendonte se pushteti dhe favoret janë të përhershme e për to nuk duhet punuar.

Mu kujtua kjo histori teksa shoh “pikat” që propozon Partia Demokratike për thuajse çdo problem qeveritar. Janë një banalitet, që jo vetëm nuk kanë asnjë ide të djathtë, por përkeqësojnë problemet qeverisëse dhe bien në kundërshtim me propozime të tjera. Sipas PD-së, çdo problem qeveritar zgjidhet duke rihartuar nivelet e taksave dhe buxhetin e shtetit. Pra nga situata tejet problematike e sotme ku ne ndryshojmë buxhetin dhe taksat 2-3 herë në vit, sipas “pikave” të PD-së duhet ta bëjmë këtë 4-5 herë në vit ose më shumë.

E djathta kudo kërkon një shtet të vogël, të qendrueshëm, dhe jo të bezdisshëm për qytetarët. Ndryshimet e vazhdueshme të taksave janë armiku kryesor i kësaj filozofie. Nga ana tjetër, e djathta mendon se problemet kryesore shoqërore zgjidhen duke stimuluar lirinë dhe konkurrencën, e jo ndërhyrjen e shtetit. Nëse ka rritje çmimesh të jonatyrshme, problemi zakonisht është monopolizimi i tregut. E kjo nuk zgjidhet me ulje taksash.

Por “e djathta” jonë ka 30 vjet që nuk ka asnjë institut kërkimor për politikat e saj, e jo më shumë të tillë siç duhet të kishte. Kanë qenë për 13 vjet në pushtet e kanë vjedhur, po kanë qenë edhe banal në mënyrën e vjedhjes. Nuk kanë investuar asgjë në partinë e tyre, por thjesht në xhepat e tyre.

Kur dolën nga pushteti i 2013 gjetën një parti pa filozofi, pa ide, pa organizata partnere, pa struktura, pa institute, pa ekspertë, pa shoqata biznesesh, pa urdhëra profesionesh të lira, etj. Sot po paguajnë çmimin jo thjesht të korrupsionit qeverisës, por të banalitetit të korrupsionit të tyre.

E pra mos u ankoni për Sorosin apo OJQ-të e majta. Ata bindje të majta kanë, atyre i shërbejnë. Kanë 30 vjet që investojnë në ato ide, në ato marrdhënie, në ato organizata. Edi Rama nuk jepte leje ndërtimi që në vitin 2000 për xhepat e tij, por që të financonte një rrjet me njerëz që do e mbështeste edhe në pikën e hallit. Shumë nga planet dhe partneritetet e sotshme ka 20 vjet që i ka krijuar. Në opozitë nxirrte 10 ekspertë të ndryshëm për çdo problem, sado të pasinqertë apo të korruptuar të ishin edhe ata. Sado fallso ishte i gjithë imazhi, të jepte idenë e një force të re, të mbushur me profesionistë të rinj e të përgatitur për të gjitha fushat.

Pafuqinë për t’i bërë ballë atij, e djathta duhet ta gjej te vetja. Nëse sot e gjithë propaganda e saj bazohet në disa fushata memesh apo me promovimin e 2-3 “analistave të pavarur”, problemi nuk është Edi Rama, por mënyra si kanë shpërdoruar burimet dhe kapitalet e tyre këto 30 vjet.

Facebook Comments

Related posts

Oligarkia, fundi i Shqipërisë

Eagle

Kur servilët e Kurtit flasin për LDK’në

Eagle

Pandemia si rast që Tirana të largohet nga “minishengeni” serb

Eagle

Leave a Comment

one × 3 =