Përpjekja Shqiptare
Milazim Krasniqi

DISA NGA PIKAT KULMINANTE TË GAZETARISË HULUMTUESE NË GAZETARINË GLOBALE

Nga Milazim KRASNIQI

◾◾◾

(“Examineri” si parahistori, Uotergejti, Uikiliksi, Eduard Snoudeni dhe Letrat e Panamasë)

Disa teoricienë mendojnë se gazetaria vetëvetiu është hulumtuese, për një arsye të thjeshtë, sepse edhe nëpërmes deklaratave që mirren nëpër rrugët më rutinore dhe informatave më të zakonshme që vilen, diçka hulumtohet. Pastaj kur gazetari e konstrukton një ngjarje, krijohen disa aspekte të saj, të përftuara edhe si rezultat i një hulumtimi sado hulumtim minimal që të jetë. Mirëpo, në praktikën e gjatë të gazetarisë si kulminacion të gazetarisë hulumtuese konsiderohen disa ngjarje ose disa episode në të cilat gazetaria hulumtuese është injektuar si një version që ka ushtruar ndikim të fuqishëm mbi shoqërinë dhe mbi publikun. E vërteta është që, fjala vjen, në shekullin XIX, tek gazetaria e gazetës “Examiner” të Ulliam Herstit, ka elemente të gazetarisë hulumtuese. Bile, ajo që quhet “Lufta e Herstit”, përkatësisht Lufta Amerikano-Spanjolle, Kubaneze, ka brenda vetes edhe ndikimin e kësaj lloj gazetarie në një luftë të vërtetë ndërmjet dy shtetesh, SHBA-ve dhe Spanjës. Sikundër është e njohur, gazeta “Examiner” e Herstit, përmes hulumtimit po edhe përmes inskenimeve të ndryshme, kishte pasur sukses të provokojë një konflikt të armatosur ndërmjete dy shteteve, i cili realisht ishte nxitur nga raportimet dhe konstruktimet e gazetës, për ç’gjë raporton gjeresisht Gjovani Gocini në librin “Historia e gazetarisë.” Por, zhvillimi i gazetarisë hulumtuese nuk ka ecur në mënyrë lineare, pasi ka pasur kthime prapa dhe degradime drastike të gazetarisë në periudha të ndryshme. Degradimin më të rëndë gazetaria e pati gjatë Luftës së parë Botërore. Gjatë Luftës së Parë Botërore shtypi ka përjetuar një rënie etike dhe një rënie profesionale shumë të tmerrshme, sepse gjatë asaj kohe gazetarisë iu imponua një afërsi e dhunshme me politikat zyrtarve tq qeverve të involvuara në luftë. Futja e medieve nën diktatin e vullnetit politik të qeverive ndodhi në Britani të Madhe, në Francë, në Gjermani, në Rusi po edhe në ShBA. Secila prej qeverive kishte ngritur byro të veçanta për kontrollin e mediave dhe për propagandë të mediave, ashtu që gjatë Luftës së Parë Botërore një karakteristikë e shumicës së mediave ishte se po u shërbenin qëllimeve të luftës të qeverive të veta. (Edhe përshkrimin e këtyre raporteve e gjejmë të detajuar në “Historinë e gazetarisë” të Gjovani Gocinit.)
Pas kësaj përvoje të hidhur, në vitin 1922, Valter Lipmani, njëri prej teoricientëve kryesorë të mediave të shek. XXI, botoi veprën monumentale “Opinioni Publik”, në të cilin sublimon edhe ato përvoja të së kaluarës dhe propozon disa ide origjinale për mënyrat se si duhet të përpunohet opinioni publik. Vepra e Lipanit u dha shtysë studimeve në këtë fushë, gjë që po vazhdon edhe në ditët tona me intensitet të lartë. Shumë nga këto hulumtime sot mirren me aspektin e ndikimit të mediave mbi publikun, raportin e mediave me pushtetin, por edhe me rrugët eventuale përmes të cilave gazetaria mund të dalë nga darat e pushtetit.
Rikthimi i gazetarisë hulumtuese pas Luftës së Dytë Botërore
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, e cila ka qenë edhe më e përgjakshme se e para, gazetaria megjithatë arrinë në pjesën më të madhe të saj që të ruajë një lloj distance në raport me politikat e qeverive, pra arrinë një shkallë emnacipimi të vetes. Kjo kryesisht është vërejtur në ShBA e në Britaninë e Madhe, më pak në shtetet fashiste të tipit të Gjermanisë Hitleriane ose të Italisë së Musolinit. Por, në përgjithesi krijohet një kontekst i ri i gazetarisë, ku ajo arrinë ta mbrojë deri dikund një pjesë të etikës së saj. Pas Luftës së Dytë Botërore krijohen realitete të reja me demokracitë liberale, veçmas në këtë që ne e quajmë “Bota Perëndimore”, Evropa dhe ShBA-të, me ç’rast gazetaria, siç thotë teoricieni Xhejms Karan, mediet kalojnë nga të qenët agjent i shtetit dhe servis i partive politike në agjens të pavarur, përmes komercializimit. Pra, mediet hyjnë në garë si entitete komerciale, përmes reklamave dhe raporteve të reja që krijohen me reklamuesin dhe në një mënyrë shkëputen prej ndikimit të shtetit edhe ndikimit të partive politike.
Afera Uotergejt dhe triumfi final i gazetarisë hulumtuese
Si rezultat i këtij evoluimi dhe ndryshimi të raportit të medies më pushtetitn e me qeveritë, fillon e zhvillohet më shumë gazetaria hulumtuese. Kulminacioni i saj arrihet në fillimin e viteve të 70-ta, me aferën Uoatergejt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. (Uotergejt është një hotel në Uashington, tash është një atraksion turistik tash, jo pse është diçka i jashtëzakonshëm, por historia që ka ndodhur aty është e tillë që e ka bërë atraksion turistik. Aty është mbajt një kohë një konventë e Partisë Demokratike, ndërsa ish presidenti amerikan Riçard Nikson, ka urdhëruar përgjimet ndaj kundërshtarëve politikë.) Afera e përgjimeve është zbuluar prej mediave, konkretisht prej gazetës “The Uashington Post”. Dy gazetarët, Bob Vodvardi dhe Karl Bernshtajni, kanë qenë gazetarët që e kanë ndjekur këtë aferë, me një seri të shkrimeve lidhur me mënyrën se si ka ndërhyrë qeveria, se çfarë problemesh janë krijuar, se si janë bërë arrestimet e disa personave, e kështu me radhë. Në këtë mënyrë është krijuar një opinion publik kundër presidentit dhe kundër qeverisë, që ka rezultuar me kërkesa për dorëheqjen e tij. Si rezultat i prognozave që Presidenti mund të shkarkohej me anën e impiçmentit, ai kishte dhënë dorëheqjen. Pra, dorëheqja e ish presidentit Nikson ka ardhur edhe si rezultat i presionit të gazetarisë hulumtuese. Gjithsesi, kjo është përralla e bukur e ndikimit të gazetarisë hulumtuese mbi ngjarje aq të rëndësishme, siç është edhe rrëzimi i një presidenti të shtetit më të fuqishëm të botës. Dhe një presidenti si Niksoni, i cili ka qenë shumë i fuqishëm, sepse ka shërbyer dy herë si zëvendëspresident, dy herë është zgjedhur president, pra ishte një figurë shumë e fuqishme, e mishëruar me konflikte të ashpra dhe fitimtare me kundërshtarët. Studiuesve të gazetarisë dhe të medieve duhet t’u interesojë se a ishte rrëzimi i Niksonit produkt i pastër i gazetarisë hulumtuese, apo kishte edhee implikime të tjera në atë aferë? Kjo ndihmon që të kuptohet mirë mënyra se si funksionin gazetaria hulumtuese në raport me agjens të tjerë të pushtetit, edhe kur ajo targeton personalitetet më të larta të ndonjë pushteti. Pra, a është gazetaria hulumtuese, si një roman kalorsiak, që pati frymëzuar Don Kishotin, për aventurat e tij kalorsiake të dala mode, apo edhe gazetaria hulumtuese më të shumtën është pjesë e lojës së pushtetit? Fjala vjen, lidhur me aferën Uotergejt, zbulimet e fundit kanë nxjerrë në dritë edhe anën e errët të kësaj lloj gazetarie. Një person që e ka pasur pseudonimin “Fyti i thellë”, zyrtar i CIA-së, pak para se të vdiste ka treguar ngjarjen në versionin e vërtetë. Zyrtari i CIA-s ua ka dhënë gazetarëve të dhënat për veprimtaritë ilegale të qeverisë, pra, ata kanë bashkëpunuar me një zyrtar të lartë të intelegjencës, duke marrë informacionet me rrugë ilegale. Kjo mënyrë e sigurimit të informacioneve, që potencialisht ka elemente të tradhtisë ndaj shtetit, nga pikëpamja etike po edhe ligjore mund të jetë problem. Në rastin e Uotergejtit ka triumfuar kjo mënyrë e sigurimit të informacioneve, por mund të ketë raste ku gazetarët mund ta pësojnë në këso punësh të rrezikshme. Pra, këtu dilet te problemi permanent, që ka të bëjë me kufinjtë ndërmjet rrugëve legale nëpërmjet të cilave mirren informatat dhe rrugëve ilegale, që shumë herë nuk janë të qarta. Faktikisht, përzierja e gazetarisë me spiunazhin është një fenomen prej kësaj periudhe e këndej, që po vjen duke u intensifikuar dhe duke u komplikuar. Në kohën tonë implikimi me spiunazhin është bërë edhe më problematik, sepse tash ka përzierje edhe më të madhe të involvimit të gazetarisë në rrjetët kriminale në strukturat e ndryshme. Kështu që, gjithmonë nga pikëpamja etike mbetet një dilemë e madhe, lidhur me etikën e gazetarisë investigative. Ku janë kufinjtë etikë të saj? A janë të lejuara përgjimet e fshehta? A janë të lejuara fotografimet e fshehta të jetës private të individëve? A janë të lejueshme format e ndryshme të shantazhit, sepse ka pasur dhe ka forma të ndryshme të shantazhit edhe nga ana e gazetarëve. Dhe këto janë bërë pjesë të instrumentëve jo etikë që përdoren në gazetarinë hulumtuese në jo pak raste. Sidoqoftë, Uotergejti mbetet një pikë kulmore e gazetarisë hulumtuese, në të cilën ka ndodhur një rezultat spektakulor përmes të cilit është rrëzuar një president shteti.
Përvoja postUotergejt në SHBA: Xhulian Asanzhi dhe Eduard Snoudeni
Çfarë ka ndodhur dyzet e pesë vite më vonë në SHBA, ku Niksoni dha dorëheqjen nën trysninë e gazetariseë hulumtuese? Në zgjedhjet e fundit presidenciale në ShBA (2016) ka pasur involvime të shërbimeve sekrete ruse, të cilat poashtu kanë pasur njëlloj ndikimi direkt në zgjedhjet, përkatësisht në humbjet e kandidates Hillari Klinton. Kjo do të thotë që sado që publiku është emancipuar, është vetëdijësuar për paligjsmërinë e ndërhyrjeve në proceset elektorale, prapë se prapë ato ndodhin. Pra, ndodhkan edhe në Amerikë, që është njëra ndër demokracitë më të zhvilluara. Ne duhet të përpiqemi intelektualisht të kuptojmë që nëse ndodhin këto ndërhyrje të dhunshme në konventa elektorale dhe në zgjedhje në Amerikë, atëherë çka mund të ndodhë në vendet e vogla e të brishta? Çfarë ndërhyrjesh tinëzare, po edhe brutale, përmes klientelizmit e shnatazheve ndodhin? Vetë fakti që është rikthyer fushata e pistë e fundit elektorale edhe në Shtetet e Bashkuara, tregon që shoqëritë dhe demokracitë nuk janë imune ndaj formave të tilla të ndërhyrjeve, të spiunazhit, të përgjimeve, të shtantazhit, të klientelizmit, etj., ku gazetaria luan një rol të rëndësishëm. Për studiuesit mbetet gjithmonë me ineres studimi i këtyre formave të ndërhyrjeve e modifikimeve, sepse pak a shumë siç modifikohen viruset, përmes mutacionesh, modifikohen edhe format e veprimtarive antiligjore, antidemokratike dhe gazetaria është pjesë e këtyre modifikimeve. Rasti me Xhulian Asanzhin dhe me Eduard Snoudenin, është shembull tipik i një modifikimi të tillë të medies. Pra, një baticë të re të gazetarisë hulumtuese dhe implikimeve të saj ka sjellë Xhulian Asanzhi me portalin e tij “Uikiliks” në vitet e fundit. Asanzhi është një figurë interesante: haker kompjuterash, njeri që është marrë me thyerje programesh, sajime programesh dhe që në një situatë ka mbërritur të sigurojë ilegalisht një numër të jashtëzakonshëm të dokumenteve dhe informatave të administratës amerikane. Asanzhi ka filluar t’i publikojë materialet, gjë q ë ishte një lloj tërmeti politik. Pra, nëpërmjet “Uikiliksit” ka ardhur një moment i ri i gazetarisë hulumtuese, që arrinë të ndërhyjë edhe në thellësi të sekreteve shtetërore të administrates amerikane. (Xhulian Asanzhi ishte i strehuar në Ambasaden e Urugajit në Londër, sepse është i kërkuar për gjykim për një aferë seksuale – të vërterë ap të konstruktuar- nga Suedia. Ka kërkesë për ekstradimin e tij edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.) Por, edhe çmimi që paguan vetë Asanzhi për punën e vet, është shumë i madh. Sot konsiderohet që kjo mënyrë e publikimit që ai ka bërë, ka hedhur një dritë të re mbi mënyrën se si hartohen politikat, si bëhet politika, si bëhet diplomacia, sepse duke mos pasur më herët qasje, pamje në mënyrën se si funksionon komunikimi politik, diplomatik edhe ushtarak, është mendua që është ndryshe. Sidoqoftë rezultati i kësaj gazetarie ka ndikim edhe në karrierat politike, publike të njerëzve të fuqishëm anekënd të botës. Storia e “Uikiliksit”, nuk është mbyllur ende, pasi ai ka me miliona dokumente të papublikuara, që herë pas herësh publikohen. Publikimi selektiv gjithashtu paraqet një problem për analizë, sepse përzgjidhen dokumenet për të atakuar individë e isntitucione qëllimisht, e jo domosdoshmërisht për të informuar publikun.
Një person i veçantë në tregimin mbi gazetarinë hulumtuese dhe të implikimeve që ajo ka, është edhe Eduard Snoudeni. Një person interesant, person që ka punuar në Agjencinë Amerikane të Intelegjencës (CIA.) Snoudeni ka denoncuar NSA se bën përgjimin e paautorizuar të të gjithë njerëzve. Nga pikëpamja amerikane, dëmi që ka shkaktuar Snoudeni është i madh, sepse e ka paraqitur administratën si shkelëse të të drejtave të qytetarëve të vet dhe të të gjithë botës. Mirëpo, ka dijetarë si Noam Çomski, që pohojnë se zbulimi i Snoudenit e ka ndërgjegjësuar botën për një problem të madh, përgjimet e paautorizuara dhe shkatërrimin e privatësisë së individit. Çomski, ndër të tjera shkruan lidhur me këtë rast” ”Këta zbulime na ftojnë të reflektojmë mbi faktorët që përcaktojnë vendimet e qeverisë. Ideja e pranuar përgjithësisht është se qëllimi parësor i politikës është që të garantojë sigurinë e vendit dhe ta mbrojë nga armiqtë. Kjo ngre dy pikëpyetje: sigurinë e kujt, dhe mbrojtjen nga cilët armiq? Përgjigjet për këto pyetje dalin dramatikisht prej zbulimeve të Snoudenit. Politika garanton sigurinë e autoritetit të shtetit dhe të grupeve të pushtetit në nivel shteti, duke i mbrojtur nga një armik i brendshëm i tmerrshëm: qytetarët, që nëse nuk kontrollohen mund të shndërrohen në një armik të madh. Për t’u mbrojtur nga ky rrezik, pushteti ekonomik dhe politik duhet të qëndrojë i fshehur, ndërkohë që armiku duhet të ekspozohet tërësisht para kontrollit të shtetit.” Çomski po edhe Umberto Eko e dijetarë të tjerë, besojnë se shteti nuk do të arijë të ruajë sekretet dhe a s individi që ka një telefon, nuk do të ketë privatësi. Eko shkruan: “Si do të ruhen në të ardhmen raportet private dhe konfidenciale? E di se për momentin parashikimi im i ngjanë fantastiko-shkencores, pra është romantik, por jam i detyruar të imagjinoj agjentë të qeverisë duke lëvizur fshehtazi me karroca me kuaj, e nëpër itinerare të pakontrollueshme, duke u bërë bartës të mesazheve të mësuara përmendësh, ose pak a shumë, duke i fshehur informacionet e rralla të shkruara në takën e këpucëve. Informacionet do të ruhen në një kopje të vetme, në sirtarët e mbyllur me çelësç ngase, në të vërtetë, edhe tentativa e spiunimit të Uotergejtit ka pasur më pak suksessesa UikiLeaks.”
Zbulimet me Vikiliksin e Snoudenin janë dramatike: në njërën anë nga rreziku që po vika prej kontrollit absolut të shtetit ndaj qytetarëve, po në anën tjetër edhe rreziku që grupet e ndryshme i mbledhin dhe i keqpërdorin të dhënat. Si reaksion ndaj kësaj gjendjeje është një tekst i Umberto Ecos që parashikon se në të ardhmen ata që duan ta ruajnë fshehtësinë, do të detyrohen të bartin letrat me karoca, si në Mesjetë. (Eduard Snoudeni momentalisht është i srehuar në Rusi. Ka kërkuar azil në vende të ndryshme, po askush nuk i ka dhënë.
Loja e gazetarisë hulumtuese me “Letrat e Panamasë”
Më e fundit në këtë kronologji të ngjarjeve, që kanë të bëjnë me gazetarinë hulumtuese dhe imlikimet e saj është e ashtuquajtura “Letrat e Panamasë”, e cila ndodhi në vitin 2016. “Letrat e Panamasë” është e lidhur me një koorporatë në Panama, në të cilen regjistrohen biznese të of shore, cilat u ikin prej taksave ose tatimeve të larta. “Panama Papers” është zbuluar nga gazeta “Süddeutsche Zeitung” dhe një grup tjetër të gazetave të cilat kanë bashkëpunuar me gazetën liberale (!) gjermane në këtë hulumtimin. Gazetat i kanë mbledhur dokumentet e Fondacionit Fonseka, me ç’rast kanë zbuluar që aty ka numër të madh të politikanëve, të biznesmenëve, sportistëve, që i dërgojnë paratë atje për t’i fshehur ose për të mos paguar taksa të larta. Por, edhe “Letrat e Panamasë” kanë në anë hileqare: janë publikime të selektuara. Për shembull, dëmin më të madh ia kanë shkaktuar kryeministrit britanik, Dejvid Kamerunit, në kohën kur ishte fushata për largimin ose mbetjen e Britanisë së Madhe në Bashkimin Evropian. Meqë nga afera u zbulua se babai i Kamerunit kishte fonde të fshehura në Panama, publiku u kthye kundër tij, gjë që dobësoi pozicionin e tij si lideri që udhëhiqte bllokun që angazhohej për mbetjen e Brtanisë së Madhe në Bashkimin Evropian. Pasoi dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian (Brexit.) Përndryshe “Panama Papers” nuk ka pasë asnjë ndikim në Rusi llihur me Putinin, i cili kishte fonde te fshehura në Panama. Putini ka vazhduar të ssundojë i patrazuar nga kjo aferë dhe të sillet me arrograncë e brutalitet jo vetëm në Rusi po edhe në botë. Këto janë disa nga ngjarjet ose episodet kulminante që lidhen me gazetarinë moderne dhe gazetarinë hulumtuese dhe ndikimin e saj në përmasa globale. Normalisht që ka edhe veç artikuj të veçantë dhe ngjarje të veçanta, për shembull shkrimet e gazetares ruse Ana Politikovskaja për luftën në Çeçeni. Ajo u ekzekutua për shkak të gazetarisë hulumtuese që kultivonte. Sigursht q ëgjuithandje botës ka edhe shumë raste të veçanta të gazetarsië hulumtuese, por këto që u përmenden këtu, “Uoatergate”, “Uikiliks”, “Snouden” dhe ”Panama Papers” janë raste kulminante në të cilat gazetaria hulumtuese (e përfshirë edhe me spiunazhin, e përzier edhe me metoda jo bash legale) ushtron një ndikim të fuqishëm mbi opnionin publik po edhe mbi politikat e shteteve të ndryshme. (Prishtinë, 1 mars 2017) P.S. Këto ditë, në kuadër të gjetjeve të gazetarisë hulumtuese të emërtuar “Pandora papiers” është në kulminacion publikimi i të dhënave për korrupsion e fshehje të tatimeve në përmasa globale. Efektet e këtyre gjetjeve do të kuptohen më vonë.

Facebook Comments

Related posts

KULMINACIONI POETIK I SALI BASHOTËS

Eagle

Epistemologjia e mitit dhe e logosit si forma të detajuara të qenësisë njerëzore

Eagle

Të jesh shkrimtar shqiptar në shtetin pa kujtesë

Eagle

Leave a Comment

five × four =