Përpjekja Shqiptare
Shqipëria Natyrale

Diçka për Gjykatën Ndërkombëtare te Drejtësisë dhe për padinë e mundshme për gjenocidin

Nga Bashkim RRAHMANI

◾◾◾

Nuk është e pamundur që të paditet Serbia për gjenocid (dhe duhet paditur) sikundër që nuk është e pamundur që kontesti të fitohet. Por përgatitja e padisë dhe përgatitja për të paraqitur dëshmitë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë kërkojnë angazhim maksimal të dijenisë që kanë ekspertë nga vendi dhe ata nga jashtë. Pra, vetëm ekspertët e mirëfilltë duhet të përpilojnë padinë dhe duhet të vendosin për dëshmitë.

Ekspertët e dinë se, sipas Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, vetëm shtetet mund të janë palë në procedurë. Gjykata përbëhet nga pesëmbëdhjetë gjyqtarë, të cilët zgjedhen nga Këshilli i Sigurimit/Asambleja e Përgjithshme e KB, me nëntë vjet mandat. Gjykatësi mund të rizgjedhet, kurse zgjedhjet e gjyqtarëve bëhen në atë mënyrë që pesë gjyqtar (një e treta) zgjedhen çdo tre vjet. Zgjedhja e gjyqtarëve bëhet në atë mënyrë “që në trupin gjyqësor, përgjithësisht të sigurohet përfaqësim i formave kryesore të civilizimit dhe i sistemeve juridike kryesore”. Gjykata shiqohet si diçka që reflekton balansin dhe diversitetin e komunitetit ndërkombëtar si tërësi.

Ata e dinë se, gjatë përgatitjes për padi dhe përgjithësisht për procedurë, është e udhës që të studiohen raste të ngjashme dhe sidomos duhet të studiohet ajo që njihet si Genocide Convention – rasti i Bosnies dhe Hercegovinës. Në këtë rast (Bosnia dhe Hercegovina dhe Republika Federale e Jugosllavisë) në procedurë kanë qenë të përfshira çështje shumë të gjëra, si p.sh. çështja e njohjes së shtetit dhe shtetshmëria. Gjykata ishte marrur edhe me çështjen, nëse Bosnia dhe Hercegovina ishte bërë pjesë e Konventës së Gjenocidit të vitit 1948 dhe nëse po kur, pastaj atë që njihet si – ratione temporis, sikundër edhe me relevancën e bazës së pretendendimeve për jurisdikcion, përfshirë edhe forum prorogatum. Për më tepër gjykata kishte marrë në konsideratë një kundërpadi të Jugosllavisë lidhur me pretendimet për akte të gjenocidit të kryera nga Bosnia dhe Hercegovina.

Ata e dinë se, një rast në nivelin ndërkombëtar, në rradhë të pare, është çështje e gjetjes dhe e paraqitjes së materialeve apo provave të dokumentuara. Ky material, që është relevant qoftë nga faktet e qoftë nga e drejta përfshin tekste traktatesh, të dhëna zyrtare të organizatave ndërkombëtare dhe parlamenteve nacionale, korespondencë diplomatike, materiale arkivore, harta, filma, fotografi, dëshmi nën betim, etj.

Ata e dinë se, kuantiteti i këtyre provave mund të jetë tepër i gjerë dhe lidhur me këtë nuk ka ndonjë rregull që përjashton diçka. Pra shtetet mund të sjellin në gjykatë gjithçka që mendojnë se mund t’u shërbejë. Provat materiale mund të argumentohen edhe me dëshmi verbale nga dëshmitarët dhe ekspertët apo madje edhe nga vet gjykata që mund të vendosë për vizitë në vendin e ngjarjes. Është e qartë se gjykata ka për detyrë që të vlerësojë provat dhe meqenëse konstatimi i gjendjes faktike është çelësi për zbatimin e ligjit, ky proces ka për të qenë i gjatë.

Ata e dinë se, mund të paraqiten vështirësi kur gjykata ka për t’u marrë me rastin, i cili në vete ka kërkesë për prova teknike dhe shkencore. Gjykata mund të emërojë komisione ose të kërkojë mendime të ekspertëve. Edhe pse këto komisione janë përdorur rrallë, vlera e punës së tyre është demonstruar me rastin e njohur si Kanali i Korfuzit (konflikti anglo-shqiptar). Këtu gjykata kishte emëruar një komision ekspertësh të përbërë nga zyrtarë të marinës holandeze, norvegjeze dhe suedeze, i cili kishte përpiluar e dorëzuar në gjykatë dy raporte lidhur me minimin e kanalit. Pas raportit të dytë, i cili kishte rezultuar pas vizitës në vendin e ngjarjes, gjykata kishte konsideruar se ishte krijuar përgjegjësia e Shqipërisë dhe në bazë të kësaj ishte ngritur çështja e kompensimit dhe, edhe çështje të mëtejme teknike. Nga këtu, kjo gjykata kishte emëruar edhe një komision ekspertësh që përbëhej nga të zyrtar të lartë të marinës holandeze. Përfundimet e këtij komisioni, lidhur me kërkesën britanike, thonin se kërkesa britanike ishte e saktë dhe e drejtë dhe si e tillë ishte pranuar nga gjykata, e cila formoi bazën për aktgjykimin final.

Ata e dinë se, çështje thelbësore për gjykatën është të bëhet pajtimi i vazhdimësisë me inovacionin. Ndërkombëtarisht, problemi komplikohet nga tre faktorë, që janë: 1) mungesa e një kulture unike juridike, 2) gjendja relativisht e pazhvilluar e të drejtës ndërkombëtare dhe 3) tensionet nga ndryshimet rrënjësore në shoqërinë ndërkombëtare.

Ata e dinë se, gjenocidin si term, e formuloi juristi hebre polak Rafael Lemkin duke përdorur fjalët (greke dhe romake): “genos” (racë, fis) dhe “cide” (me vra).
Ata e dinë se, Konventa për Parandalimin dhe dënimin e krimit të gjenocidit, në nenin dy përcakton se:
gjenocid konsiderohet cilido nga veprimet e mëposhtme, i kryer me qëllim që të zhduket plotësisht ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar. Këtu bën pjesë:
(a) vrasja e anëtarëve të grupit;
(b) lëndimi i rëndë fizik ose mental i anëtarëve të grupit;
(c) vënia e grupit qëllimisht në aso kushte të jetës që duhet të sjellin zhdukjen e plotë fizike ose të pjesshme të tij;
(d) ndërmarrja e masave drejtuar në pengimin e lindjeve brenda grupit; dhe
(e) transferimi i dhunshëm i fëmijëve nga një grup në tjetrin.
Kurse, “Aktet që i kryejnë autoritetet shtetërore ose personat privatë, me qëllim që të zhduket në tërësi ose pjesërisht grupi kombëtar, etnik, racor ose religjioz si i tillë, që përfshijnë:
(a) vrasjen e anëtarëve të grupit;
(b) shkaktimin e lëndimeve serioze trupore ose mentale anëtarëve të grupit;
(c) imponimin e qëllimtë grupit të aso kushteve të jetesës që synojnë zhdukjen e plotë ose të pjesshme fizike;
(d) imponimin e masave me qëllim të pengimit të lindjeve brenda grupit; dhe
(e) transferimin e dhunshëm të fëmijëve nga grupi në grupin tjetër”.

Ata e dinë se, ekzistojnë prova e dëshmi të pakontestuara që krijojnë bazë të fortë për ngritje të padisë.

Ata e dinë se, procesi në tërësi ka për të qenë i gjatë, i vështirë dhe i mundimshëm dhe jo I thjeshtë dhe i lehtë.

Ata e dinë se, është mirë që krahas literaturës dhe materialeve nga sa pamë më lartë, të konsultohen gjithashtu punimet e Arben Putos, Zejnulla Grudës, Ksenofon Krisafit dhe ekspertëve tjerë nga bota shqiptare, e të mos flasim edhe për autorë të shumtë ndërkombëtar që kanë shkruar për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare, si p.sh.J.G.Merrils. Këtyre i referohem dhe i referoj. Por shyqyr, ka edhe autorë e punime tjera që duhet konsultuar.

Facebook Comments

Related posts

RTK, Kurti dhe Vetëvendosja virtuale

Eagle

Shefqet Vërlaci

Eagle

Këshilla Nacionale do të duhej për gjitha pakicat në Kosovë e jo Asociacion të pakicës serbe!

Eagle

Leave a Comment

fifteen − 4 =