Përpjekja Shqiptare
Politikë

Dekalogu i këshillave makiavelike per një autokrat ballkanik të shekullit të 21

Nga Florian BIEBER

◾◾◾

1▪️Merrni kontrollin e zgjedhjeve, jo në ditën e zgjedhjeve, por përpara

Juve ju duhet t’i fitoni zgjedhjet dhe të pranoheni nga të huajt gjithashtu. Ju duhet të dukeni si një demokrat i mirë në Ballkan. Princi im i dashur, kjo nuk do të thotë që ju duhet të jeni i tillë.

Së pari, shihini zgjedhjet si një mënyrë për t’u forcuar. Zgjidhni me kujdes momentin e zgjedhjeve: zgjedhjet e parakohshme mund t’ju ndihmojnë të kapni opozitën të papërgatitur dhe të bëni votimet kur popullariteti juaj ka arritur majat. Ofrojuni votuesve ca para, apo faluni faturat e papaguara të energjisë, ka shumë mënyra për të marrë vota për pak gjë. Ndonjëherë konsideroni ofrimin e ca parave për njerëzit që të mos votojnë (ju e dini se ata do të votonin për kundërshtarin tuaj).

2▪️Merrni nën kontroll median, sigurohuni të keni shumë zëra, që thonë të njëjtën gjë, dhe mbani edhe një qen rojë për ta sulur.

Për të mbajtur pushtetin nga brenda vendit, media është e domosdoshme. Një pjesë e vogël e mediave janë ekonomikisht të shëndetshme dhe mënyra më e mirë për t’i kontrolluar është t’u jepni reklama atyre që raportojnë mirë për ju (dhe mos harroni, ju jeni reklamuesi më i madh).

Shumë gazeta dhe stacione televizive zotërohen nga biznesmenë të errët lokalë, për të cilët s’do mend është e lehtë të gërmoni disa detyrime tatimore të papaguara.

Gazetarët mund të jenë shpeshherë paksa të bezdisshëm dhe mënyra më e mirë për t’u siguruar se po sillen mirë është t’i kërcënoni pak, jo në publik, por ushtroni prak presion mbi disa prej tyre. Shumica syresh do të jenë të lumtur të vetëcensurohen.

3▪️Flisni për BE-në dhe dëshirën për t’u anëtarësuar por luani ‘ngrij-shkrij’.

Dëshirojeni BE-në, por lëshoni njëfarë doze dykuptimësie. Të jeni shumë pro-europian këto kohë tingëllon si përpjekje shumë e sforcuar me një partner që, në fakt, nuk ju dëshiron. Kështu pra, hidhni disa dyshime mbi projektin e integrimit.

4▪️Flisni për luftën ndaj korrupsionit dhe reformat. Flisni, flisni dhe arrestoni ndonjë.

Kush është në favor të korrupsionit? Askush. Kështu, nuk ka temë më të sigurtë për të bërë fushatë dhe për të folur tërë kohën. Është mirë që të pozicionoheni si një luftëtar i patrembur ndaj korrupsionit dhe të paraqisni çdo të korruptuar si kundërshtar të sundimit tuaj, duke hedhur kësisoj dyshime korrupsioni mbi opozitën tuaj.

Sigurisht, është e vështirë të qëndroni të pushtet pa toleruar pak korrupsion. Sigurohuni që të keni suksese rastësore, disa arreste dhe procese. Mbajeni vath në vesh se arrestet janë më të rëndësishme se vendimet gjyqësore. Gjithashtu kapni disa nga çunat tuaj. Ju bën të dukeni më serioz.

Edhe reportazhet për stilin modest të jetesës ju ndihmojnë shumë, si dhe deklaratat e pasurisë mund të trajtohen me njëfarë shkalle lirie letrare.

5▪️Zgjidhni problemet me fqinjët për të fituar lëvdata dhe krijoni disa të tjera për të qenë popullor

BE-ja dhe të huajt pëlqejnë të merreni vesh me fqinjët tuaj, kështu që flisni për bashkëpunimin rajonal, për faktin që ne të gjithë bashkëndajmë të ardhmen tonë europiane.

Në këtë kohë, problemet e reja apo të vjetra me fqinjët janë shumë të dobishëm brenda vendit. Asgjë nuk e shumëfishon popullaritetin tuaj më shumë se zënka me fqinjët.

6▪️Lidh miqësi të ndryshme me të huaj, disa do t’ju kenë qejf për çfarë jeni, disa për atë që pretendoni të jeni.

BE-ja është investitori, donatori dhe klienti juaj më i madh, por mos u fokusoni vetëm tek ajo. Flirtimi me të tjerë do ta bëjë BE-në paksa xheloze dhe do t’ju kushtojë më shumë vëmendje. Plus që ju mund të paraqiteni si origjinal. Është po ashtu me rëndësi të kini parasysh se donator dhe investitorë të tjerë kanë më pak kapistra apo kushte.

7▪️Punësoni votuesit tuaj. Flakni kundërshtarët.

Mënyra më e mirë për të qëndruar në pushtet është të merrni në punë votuesit tuaj. Ka plot vende pune për të ofruar, nga këshilltarët tek sanitaret.
Nëse është e qartë se ajo që ka rëndësi është përkatësia në partinë tuaj, kjo do t’ju ndihmojë të mblidhni vota dhe mbështetje për partinë. Shumë nga shërbyesit tuaj civilë do të rekrutojnë dhjetëra votues vetëm që të ruajnë vendin e tyre të punës.

Oponentët tuaj mund të flaken në rrugë, nga administrata shtetërore apo bizneset private (në fund të fundit, me shumë gjasë ju kontrolloni pjesën më të madhe të financimeve shtetërore), apo edhe prindërit, motrat dhe vëllezërit e tyre. Ka plot mënyra t’i bëni të mendohen dy herë kur flasin për ju.

8▪️Sundimi i Ligjit, sundimi juaj, ligji juaj.

Ndërkombëtarët do të flasin e flasin për sundimin e ligjit. Është e rëndësishme të siguroheni që ligji të jetë mjaftueshëm i komplikuar sa të mos zbatohet gjerësisht, por të ekzistojë gjithmonë një hijë paligjshmrie mbi të, që të mund të përdoret, kur të jetë e nevojshme. Demonstruesit mund të gjobiten me gjoba të majme për bllokimin e trafikut. Rregulla të tjera të vogla mund t’ju ndihmojnë t’ju kujtoni atyre se ai që sundon është ligji juaj.

9▪️Nuk duhet të keni ideologji, mund t’ju lëndojë.

Askush nuk do t’ju votojë për shkak të ideologjisë, do t’ju votojnë për shkakun tuaj dhe të punës që u ofruat për të afërmit e tyre.

10▪️Premtoni ndryshim, por sigurohuni që asgjë nuk ndryshon.

Votuesit tuaj duan që situata të përmirësohet, prandaj mos premtoni t’i mbani gjërat ashtu si janë, por krijoni një imazh se si do të jenë. Mbajini gjërat të pandryshuara, se ndryshimi është një premtim i lehtë, por një realitet i rrezikshëm.

Tani, ndryshim do të thotë fushatë e vazhdueshme. Drejtojeni qeverinë si të jeni në fushatë. Kjo do t’ju bëjë të dukeni energjik dhe ju ndihmon të dukeni sikur jeni akoma në opozitë, edhe pse nuk jeni.

I dashur Princ i Ballkanit

Sundimi është si vallëzimi buzë kraterit të një vullkani. Mund të sundoni vetëm nëse pretendoni se jeni demokrat në favor të integrimit europian, por mund të vazhdoni sundimin tuaj për një kohë të gjatë vetëm duke mos vepruar sipas këtyre pretendimeve.

Facebook Comments

Related posts

Po vjen ora e provës

Eagle

Deklaratë e Agron Shehaj

Eagle

A duhet të zëvëndësohet Opozita?

Eagle

Leave a Comment

eleven + twenty =