Përpjekja Shqiptare
Kujtesë

Dedikim Bianca Balliçit

Nga Ervina TOPTANI

◾◾◾

Në kujtim e nderim të Zonjave të huaja që u dashuruan e martuan me djem shqiptarë e që jetuan ferrin komunist në Shqipëri për hir të dashurisë…

Kur u njoha për herë të parë me historinë e Bianca Balliçit pësova një tronditje të thellë shpirtërore e psikologjike. Kam njohur Zonja të jashtëzakonshme shqiptare që i bënë ballë tmerrit të kmereve të kuq gjatë diktaturës e që mbeten të paharruara në kujtesën time e dashtë Zoti edhe të shumë të tjerëve. Por Bianca Balliçi, njësoj si Pauline Petrela etj, shtetase të huaja, provuan llavën e urrejtjes në lëkurë sepse kishin kryer një krim të tmerrshëm: kishin dashuruar me gjithë shpirt. Përpos kishin një botë të madhe, ishin intelektuale e jetonin me dinjitetin e punës e përkushtimin ndaj familjes, “krime” të mjaftueshme këto për t’u torturuar në mënyrë çnjerëzore nga shtazët e pashpirt veshur me veladonin e vdekjes, ilustruar me drapër e çekan në dorë.

Bianca Balliçi ishte gazetare italiane, piktore, artiste e cila vjen në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore si korrespondente e gazetës ku punonte. Në Shqipëri dashurohet e martohet me Adem Balliçin, djalë fisnik nga një familje e mrekullueshme qytetare, nga Elbasani.

Në vitin 46′ fillon kalvari i llahtarës për Biancën, bashkëshortin e familjen e tyre. Ata arrestohen, torturohen e burgosen. Bianca nuk e takon më bashkëshortin si pasojë e dashuria e tyre përskuqet dhunshëm nga hekuri i zjarrit e torturës komuniste.

Bianca ishte ndër Zonjat e para që burgoset në Shqipëri, së bashku me stërgjyshen tonë, Semiramis Vrionin, dhe për disa kohë ishin të dyja në të njëjten qeli.

Bianca ishte vërtet siç e kishte emrin, e bardhë në shpirt e lëkurë, artiste që e adhuronte të bukurën, i donte njerëzit, me një buzëqeshje plot jetë, me flokë bjondë e sy të mrekullueshëm kaltëroshë.

Pasi e torturuan në hetuesi për muaj të gjatë me akuzën si spiune e perëndimit, dëshira kafshërore e shtazëve komuniste arriti përtej të paimagjinueshmes edhe për mendjet më të sëmura. Biancën e mjerë e varin nga shpatullat, të lidhur në litarë, në një lloj mënyre torturuese (këtë torturë e kanë provuar shumë njerëz të tjerë në këtë periudhë) që pesha e trupit të rëndonte vetëm në një pikë aq shumë sa pjesa e shpatullave dhe e krahëve fillonin e shkëputeshin ngadalë nga pjesa tjetër e trupit, një lloj shqyerje e ngadaltë e gjymtyrëve.

Biancën e lidhën kështu, lakuriq, në mes të oborrit të burgut të burrave ku shumica e të burgosurve ishin miq të saj e të bashkëshortit. Ndër ta dhe gjyshi ynë Qemal Biçaku, i cili e kujtonte si një ndër torturat më të tmerrshme këtë pamje, pavarësisht se ç’tortura pat përjetuar ai vetë.

Bianca e bukur, aq e re, aq e pafajshme, që përveç bashkëshortit nuk kishte asnjëri tjetër të gjallë në Shqipëri, qëndroi me sy mbyllur në acarin e dimrit, me gjakun që kullonte nga trupi e që ngrinte në currila ngjyrë të errët prej të ftohtit. Të gjithë zotërinjtë që vuanin burgun komunist u detyruan prej drejtorit të burgut e gardianëve të dilnin ta shihnin një nga një si dënim këtë pamje, por askush nuk i ngriti sytë lart. Të gjithë qëndronin kokëulur me lotët që u rridhnin faqeve. Si mund t’i kërkonin falje Biancës që nuk mund të bënin dot asgjë as për vete e as për të, e më dhimbshmërisht, as për Shqipërinë!

Shumëkush po atë ditë u torturua sepse guxuan të rebelohen për Biancën, e ndërsa muret e birucave përskuqeshin nga gjak intelektualësh si dënim për mos përlyerjen e tyre në krim, Bianca qëndronte heroikisht e varur, lakuriq, me flokët e shpupuritur që kishin ngrirë nga gjaku, e me sytë e mbyllur duke pritur vdekjen, që nuk vinte. Nuk pushon së rrahuri zemra kur njeriu dëshiron kaq shumë që ajo të mos rrahë më!

Bianca, gruaja me shpirtin e emrin e bardhë, është një ndër ikonat e kalvarit të vuajtjeve e dhimbjeve pa arsye, pa shkak, pa asnjë filozofi mbështetëse kuptimi. Bianca është viktima e absurdit dhe e urrejtjes shtazore të komunistëve antinjerëz ndaj Njeriut!

Në kujtim, nderim e respekt të saj e të shumë Zonjave si ajo që na mësuan me qëndresën e heroizmin e tyre se Njeriu është vepra më madhore e Zotit në tokë e se një Njeri nuk e mposhtin dot as dhjetra shtazë antinjerëzore që Shqipëria pati fatin e tmerrshëm t’i kishte me mijëra në gjirin e saj e që vazhdon t’i ketë ende sot.

Facebook Comments

Related posts

Retrospektiv’ e llahtarshme, perspektiv’ e frikshme!

Eagle

Gazmend Zajmi në muzikën shqiptare

Eagle

CIA: Komunistët nxitën përçarjen me Kosovën, ja kush bashkëpunoi me Mugoshën dhe si u vra Popoviçi, Xoxe arrestoi nacionalistët

Eagle

Leave a Comment

twenty − seventeen =

Ballina
Lajme
Letërsi
Politikë