Përpjekja Shqiptare
Shqipëria Natyrale

CARERE PATRIA – MUNGESA E ATDHEUT

Nga Migjen KELMENDI

◾◾◾

SI TË FLASËSH PËR SHQIPËRINË e të mos jesh lamentues, patetik, larmoajant, shqiptar, pro patria, konician, vulgar, eksplorues i arketipeve, orakull, gjahtar i ëndrrave, falltor që lexon nga pëllëmba dhe nga filxhani i kafesë.
Si të flasësh për Shqipërinë e të mos jesh i çmendur!
Ngase, Shqipëria të bëhet një tregim që kallëzue ta ka një i çmendur!
SHQIPËRIA një libër i ndryrë me shtatë vulat e heshtjes (si Libri tibetan i të vdekurve), babai im dhe jeta e tij e kaluar nën hijen e kësaj fjale, mirazh, «Parajsa e humbur», «Atdheu i munguar», një origami (figurinë prej letre), një vetëm fjalë.
NJË NDJENJË LATENTE APATRIDI gjithmonë e ndjeja në vete. Isha i mbarsur me të. Si me vdekjen. E luftonte bindja ime e marrë se, më në fund, me të rënë komunizmi, do të bëhem edhe unë me Atdhe. Më ngrohte ekzistimi i Shqipërisë, vetë fjala. Sado e kisha më se të qartë se gjatë këtij shekulli, Kosova mbeti dy herë peng i lirisë së Shqipërisë dhe kjo po më frigonte.
GJITHMONË e kam përjetuar si një fjalë, kuptimin e së cilës nuk e zija dot gjer në fund. Ja që, ai që ecën nëpër fjalë, ecën nëpër ujë. Ndaj, me të shkuar, u ndjeva si pas atij rituali hindus kur, njëherë zhytesh në Gang, i zënë uji, shikimi e fryme, dhe më pas ai shpërthim dhe dalje nga uji, me sytë e mbushur dritë kaltëreme e qiell, me mushkëritë e trupin e mbushur frymë e jetë, me lumninë e hirin e ringjalljes.
Vetëm atëherë u ndjeva i tërë, i rilindur, i plotë. Shqipëria ishte ai guri i madh që i mungonte mozaikut tim, ajo gjysmë e humbur e librit që më kallte kërshërinë me epilogun që nuk mund e lexoja, ajo letër e humbur që nuk ma kishin nisur kurrë, ajo copë e thyer e pasqyrës në të cilën pashë veten për herë të parë qartazi e të tërë.

Më duhej të shkoja, vis a tergo, diçka më shtynte nga pas, ngase unë isha i kurdisur dhe i nisur që të arrija atje. Dhe, sapo u gjeta në dritën e asaj dite vezullimtare, gjëja e parë që më shkoi në mend qe Dostojevski:
Aty ku s’ka Zot, gjithçka është e lejuar!

UDHËTIMI IM NËPËR SHQIPËRI nuk ishte ngjitje, por zbritje në një hon të thellë ku qe strukur Shqipëria, e turpëruar nga vetvetja.
Më bëhej si një aventurë me time machine, makinë e cila ma bënte të mundur të gjeja rrënjën e helmët të fatit tim e kohën tonë të humbur, t’i lexoja emrat e shkruar nëpër urnat e kolumbariumit e historinë, e cila të bëhej si e kallëzuar nga ndonjë i çmendur, të shihem edhe një herë në atë copë pasqyre të thyer e cila, për çudi, më tregonte më të plakur nga ç’pan dehja, me flokët e hirnuar në tëmtha e me rrudhat e nisura tek shtjekat e buzëve e të syve. U ndjeva si Dorian Gray. Shembëllimi im në pasqyrë nisi të mplaket ngase fitonte një të kaluar tashti, një mallkim, një histori të marrë.

Por, nuk mund t’ju tregoj se ç’pashë para se t’ju kem treguar se si e fantazoja Shqipërinë.

Facebook Comments

Related posts

Përplasje fizike mes shqiptarëve dhe stafit të regjisorit serb në New York

Eagle

Kurirët shqiptarë të rrenave serbe!

Eagle

“Toreadori” me flamurin kombëtar

Eagle

Leave a Comment

6 − four =