Përpjekja Shqiptare
Opinion

ALFABETI I TRANZICIONIT

Nga Gilman BAKALLI

◾◾◾

I – Intelektual

▪️Moralist i angazhuar politikisht

Gjëja e vetme që kanë mësuar shqiptarët e këtij çerekshekulli demokraci mbi intelektualin, është se sa e vështirë është të jesh i tillë. Cilido të ketë qenë pozicionimi i tij për çështje të ndryshme sociale, intelektuali shqiptar e ka pasur përherë gabim. Kur, përballë dëmtimeve ekologjike, rrezikut të zhdukjes së monumenteve të kulturës, krizave politike apo skandaleve financiare qeveritare, nuk dëgjohej asnjë nga zërat e artistëve, shkencëtarëve apo mendimtarëve, opinioni publik pyeste: «Po ku janë intelektualët? Po heshtin pse ata, intelektualët?». Kur ata nuk heshtnin, por ndërhynin, paralajmëronin, imponoheshin, jepnin rekomandime morale apo teknike për probleme të ndryshme, nuk vononin të bezdisurit e smirëzinjtë turinjvarur: “sa të padurueshëm këta intelektualët! Çdo ditë nëpër ekrane televizive! Pse i fusin hundët kudo? Pse bëjnë sikur dinë gjithçka?” Shkurt, pra, intelektuali shqiptar ose hesht e s’bëzan, ndërkohë që duhej të ngrinte zërin, ose ndërhyn e ngre zërin, ndërkohë që duhej të qepte gojën. Kjo ambivalencë që e rrethon qenien e intelektualit buron nga dy paqartësi. Së pari, nuk është përgjithësisht edhe aq e qartë se ç’është intelektuali dhe, së dyti, nuk është edhe aq e qartë se çfarë do të thotë të ngresh zërin si intelektual. Para se ta përkufizojmë një intelektual nëpërmjet angazhimit të tij, siç ndodh rëndom, le të shohim se çfarë nuk është një intelektual.

Një shkencëtar që hulumton në fushën e tij, nuk mund të jetë intelektual as në ata raste, kur herë pas here, thirret nga politika për ndonjë shërbim apo kur merr pjesë në ndonjë komision etike. Një poet që shkruan poezi nuk mund të jetë intelektual as në ata raste kur, herë pas here, poezitë e tij shfaqen në ndonjë rubrikë gazete. Një piktor nuk mund të jetë intelektual as në ata raste kur pikturat e tij akuzojnë, ironizojnë apo provokojnë. Një filozof që filozofon nuk mund të jetë intelektual, as në ata raste kur reflekton mbi rolin e drejtësisë në sistemin demokratik dhe për këtë merr ftesa për leksione të hapura nga përfaqësitë e ndryshme studentore. E anasjella ama është e vërtetë: kush nuk hulumton, nuk shkruan, nuk pikturon apo filozofon, nuk mund të jetë intelektual. Çfarë duhet të bëjë intelektuali? Të mbajë distancë nga ngjarjet politiko-sociale? Apo të pozicionohet qartazi? Sociologu francez Pierre Bourdieu përmend dy premisa që duhet të përmbushë një intelektual për të qenë i tillë. Ai duhet, së pari, t’i përkasë një fushe autonome (d.m.th. të pavarur nga ekonomia dhe politika) të dijes e të kulturës. Dhe, së dyti, duhet t’i aplikojë në një situatë konkrete politiko-sociale dijet e fituara në lëmin e tij. Të jesh intelektual nuk do të thotë, pra, thjesht të dalësh në publik dhe të marrësh një pozicion moralist apo të nënshkruash një listë prej 10 a 20 intelektualësh pro një lëvizjeje politike apo në mbrojtje të një grupi të caktuar social.

Për sa i takon pozicionimit të intelektualit ka dy linja argumentimi: për disa, intelektuali konfirmohet si i tillë vetëm nëpërmjet angazhimit të tij në politikë, si mbrojtës i çështjeve sociale, qofshin këta mbrojtja e të drejtave të grave, homoseksualëve, të pastrehëve apo të papunëve. Kurse për disa të tjerë, vlera e intelektualit matet me aftësinë e tij për reflektim kritik, matet me distancën e tij relative ndaj sferës së politikës dhe ekonomisë. Këta të fundit shohin tek autonomia e intelektualit ndaj politikës kushtin themelor për krijimin e një dijeje të pakorruptuar. Kjo ide qëndron edhe në themel të parimit të pavarësisë dhe autonomisë së universiteteve.

Mirëpo duke qenë se universitetet tona janë kthyer në qendra arsimore ku mbisundon logjika ekonomike, ata janë zbehur në rolin e tyre si qendra të prodhimit të mirëfilltë intelektual. Kjo i ka hapur rrugë triumfit të tipit të intelektualit si moralist i angazhuar politikisht.

Sot, vendin e analizës dhe kritikës intelektuale të shoqërisë e ka zënë një diskurs moral, i cili përqendrohet kryesisht tek dallimi midis së mirës e të keqes. Dialektika komplekse hegeliane e zotërisë dhe shërbëtorit, e cila ka inspiruar gjenerata të tëra intelektualësh francezë, gjermanë e amerikanë është zëvendësuar nga një dualitet ngurtë, asimetrik e moralist midis fajtorit dhe viktimës. Aktualisht, çdo diskutim publik rreket të gjejë se kush është fajtori dhe cila është viktima. Pjesa tjetër është e qartë: fajtori duhet demonizuar e dënuar, viktima duhet simpatizuar e vajtuar.

Qysh me “J’accuse…!“ të Emile Zolá, intelektuali është instanca, në të cilën pritet të ndahet shapi nga sheqeri duke përcaktuar se ç’është e mira dhe e keqja dhe kush është fajtori e cila është viktima. Ky imazh i intelektualit si përfaqësues i vetëdijes së kombit kërkon që intelektuali, artisti apo shkrimtari të shfaqin përgjegjshmëri të lartë ndaj realitetit. Në fakt, për një cilësi të tillë, nuk duhet të jesh doemos intelektual; mjafton vullneti i mirë. Sigurisht atëherë që aty ku ndodh një padrejtësi, intelektuali, bashkë me të tjerë, mund të ngrejë zërin; sigurisht që intelektualë të shquar mund të ofrojnë emrin e tyre për të mbështetur fushata sensibilizuese apo aksione të shoqërisë civile. Në këto raste ama, intelektualët nuk ndryshojnë edhe aq nga sportistë të suksesshëm, biznesmenë të njohur, politikanë me popullaritet apo “yje” televizive.

E padurueshme është situata kur, nuk është kompetenca intelektuale ajo që dominon hapësirën publike, por gishti moralizues. Fakti që në Shqipëri as artistët, shkrimtarët apo shkencëtarët nuk ia kanë dalë të shfaqen në publik si intelektualë të mirëfilltë, por vetëm me gjeste moralizuese, ka krijuar një situatë në të cilën nuk gjykohet më, por paragjykohet, nuk ka analizë, por rrëfime emocionale. Pareshtur dalin njëra pas tjetrës figura publike, të cilat janë të zemëruara, të indinjuara, të turpëruara, që fyejnë dikë, akuzojnë një grup apo kërkojnë dorëheqjen e dikujt.

Angazhim apo distancim atëherë? Intelektuali që bëhet këshilltar i kryeministrit, bashkë me nuhatjen e tij politike, dëshmon edhe shpirtin e tij të korruptueshëm. Pa asnjë hezitim duhet të konsiderojmë intelektual atë individ që i reziston tundimit të pushtetit e praktikës. Pjesa tjetër janë moralistë penetrues dhe protagonistë mediatikë. E mira do ishte që këta të fundit të heshtnin.

Facebook Comments

Related posts

Çfarë po blen Erion Velija me Unazën e Re!

Eagle

Evropa na e ka borxh!

Eagle

Një ndryshim i vështirë

Eagle

Leave a Comment

9 − five =