Përpjekja Shqiptare
Edukim Kujtesë

Aleksander Meksi: Kush janë themeluesit e vërtetë të PD-së

Nga Ilda LUMANI

◾◾◾

Sot ish-kryeministri i vendit, Aleksandër Meksi është zhytur në botën e studimit. Edhe pse e lodhshme apo dhe rutinë ndonjëherë, është e vetmja gjë që e largon nga politika “e zbrazët” sot. Nga njerëzit e ndryshuar, nga njerëzit që nuk
janë më ata të parët, që luftuan për demokracinë e vërtetë. Në bisedën me të, ai tregon mjaft gjëra, por që para diktofonit tonë nuk do të flasë. I kujton të gjitha momentet e atyre ditëve plot emocion të krijimit të Partisë Demokratike… atë takim (nuk ka qenë vetë prezent) të shumëpërfolur me udhëheqësinë e kohës, Ramiz Alia… atë revoltë që vlonte brenda të rinjve dhe të gjithatyre që kërkonin pluralizëm. I ka të freskëta të gjitha, të gjitha fjalët e thëna dhe personazhet e asaj kohe, shumë prej të cilëve sot nuk i duken më të njëjtë si në ato ditë. E pyesim se, përse nuk i shkruan në një libër
gjithçka që i përket themelimit të Partisë Demokratike. “Nuk mund t’i shkruaj sepse nuk i kam me dokumente. Unë asnjë gjë nuk e bëj pa pasur faktet në dorë. Madje edhe një intervistë kur e botoj, e firmos në fund, që të ketë të drejtën e dokumentit. Unë nuk mund të shkruaj histori, që do të dalë dikush tjetër dhe t’i kundërshtojë. Pavarësisht asaj që unë di që është e vërtetë”. Aleksandër Meksi vazhdon bisedën më tej, duke treguar për ato ditë kur u mblodhën për të themeluar Partinë Demokratike, kujton Azem Hajdarin, Gramoz Pashkon, i cili edhe e prezantoi me Arben Imamin. “Unë nuk e njihja Arben Imamin. Aty e kam takuar për herë të parë. Ma ka prezantuar Gramoz Pashko, i cili më tha: “Nuk e njeh Arbenin… është aktor”. “Jo, – i thashë, – ti e di që unë nuk shoh televizionin shqiptar”. Ka qenë dhe Genc Pollo, Preç Zogaj, Genc Ruli e më tej u bashkua Eduard Selami e të tjerë. Historia e tij vazhdon rrjedhën. Ndërkaq, Meksi sjell edhe një fakt tjetër mjaft interesant. Sipas tij, “takimi i studentëve me Ramizin asnjëherë nuk është zbardhur siç ka ndodhur në të vërtetë. Unë di që një kopje të atij takimi e ka pasur Genc Pollo, nuk e di a e ka më… ai ruhet edhe në Arkivin Qendror. Një pjesë të tij e ka pasur Gramoz Pashko, nuk e di çfarë është bërë me të. Gjithashtu mbaj mend kur është bërë fjalimi i parë para studentëve. Gramozi tha ta lexoja unë, por unë i thashë që lexoj shpejt”, – tregon Meksi. Ai mban mend çdo detaj të atyre ditëve gjithë ritëm. “Madje, e mbaj mend që mbi tekstin e shtypur kisha bërë edhe korrigjime dhe faqja e tij e fundit ishte shkruar me stilolaps”. Më tej Meksi hedh dritë mbi një fakt jo shumë të njohur prej njerëzve sot. “Një gjë që nuk thuhet është fakti që flitej për krijimin e partisë së studentëve, por kur shkuam para turmës, të gjithë thërrisnin ‘Rroftë Partia Demokratike’. Berisha u largua, pasi nuk ishte pro krijimit të Partisë Demokratike”. Rrëfimet ndjekin njëri-tjetrin. Në ato ditë të para të krijimit të PD-së ishte edhe lideri i opozitës sot, Edi Rama. “Unë isha prezent kur ai u zu me Berishën. Madje i thashë që qetësohu dhe i vura këmbën derës, që ai të mos dilte nga salla. Por, ai i ka këmbët e gjata, kështu që e kapërceu këmbën time dhe iku…”
Mes atyre njerëz-personazhe të kohës ishte edhe Bujar Marika. Për themeluesit e PD-së, ai është një emër sigurisht i njohur, pavarësisht se anëtarët e sotëm të kësaj partie nuk mund ta njohin. Bujar Marika është njeriu që bëri siglën e Partisë Demokratike. Më tej, edhe atë të gazetës “Rilindja Demokratike” (RD), me të cilën identifikohet edhe sot. Dy muaj më parë Marika ndërroi jetë. Përveç familjes, askush nuk u kujtua për ndarjen e tij nga jeta…!

Facebook Comments

Related posts

Ndërron jetë kreu i Kishës Ortodokse Shqiptare në SHBA

Eagle

Shuhet Gjon Athanasi, tenori shqiptar që luajti në opera rolin e Skënderbeut

Eagle

Njoftime historike për shtetin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut III

Eagle

Leave a Comment

20 − sixteen =

Ballina
Lajme
Letërsi
Politikë