Përpjekja Shqiptare
Opinion

A mund t’i fitojë Basha këto zgjedhje?

Nga Fitim ZEKTHI

◾◾◾

Një literaturë mjaft e gjerë e shkencave politike përpiqet të shpjegojë arsyet pse votojnë dhe mënyrën se si votojnë njerëzit. Autorë të ndryshëm japin shpjegime të ndryshme në varësi të kulturës, rrethanave historike, sociale apo psikologjike të votuesit apo vendit. Disa besojnë se një nga forcat shtytëse është altruizmi, që do të thotë se zgjedhësi ndonëse e di që një votë nuk ndryshon gjë, shkon dhe voton për shkak se mendon se nga partia që do të fitojë do të përfitojnë shumë qytetarë. Disa mendojnë se një rol kanë shtysat apo thirrjet e brendshme materiale. Të tjerë e quajnë një sjellje të zakonshme të nxitur nga spotet televizive dhe gjithfarësoj reklamash të tjera.

Profesori i psikologjisë i universitetit të Berkley-it, Kevin Lanning, që ka studiuar prej vitesh psikologjinë e zgjedhësve në fushata ndryshme, sheh tek egocentrizmi një pikë kyçe. Ai thotë se njerëzit duan të shprehen, të pohojnë veten, të thonë “unë jam”. Disa njerëz votojnë se mendojnë që vota e tyre mund të bëjë diferencën etj.

Në përgjithësi, studiuesit janë të mendimit se votimi është irracional, se më shumë ai ndikohet nga faktorë të tillë si zemërimi, ankthi, frika, krenaria, shpresa etj., sesa nga analiza të ftohta, nga analiza e programeve etj.

Në Shqipëri është e vështirë të flasësh në terma të tillë për mënyrën e votimit dhe për arsyet e votimit të njerëzve. Partitë u premtojnë vende pune në bashki apo në zyra shteti disa votuesve, duke i zhveshur ata nga të qenit zgjedhës të zakonshëm. Ato i kërcënojnë ata që janë në punë me largim nga puna. Iu ofrojnë njerëzve para, iu ofrojnë telefona, oriz, miell, vaj, fasule, në përpjekje për t’i shndërruar në makina votuese.

Ka gati dhjetë vite që fenomeni i presionit për vende pune, blerja me para apo mall dhe forma të tjera kërcënimesh apo ofrimesh deri te lirimet nga burgu janë bërë tmerruese. Ka pasur banalizime që nga dërgimi i arkave me birra te komuniteti rom siç bëri një kandidat për bashki i shumicës së sotme në 2015 deri te diskot verore me pije falas në Spille, Durrës, Velipojë, Jal. Ka pasur degjenerim, por edhe sofistikim që nga shpërndarjet masive të thasëve me miell natën deri te blerjet kirurgjikale të organizuara me ekipe zyrtarësh, biznesmenësh dhe banditësh.

Raportime të tilla ka pasur në Elbasan, Lezhë, Dibër, Durrës, Kukës, kudo. Në terren flitet edhe tani dy muaj para zgjedhjeve gjerësisht me këto terma për të nxjerrë njerëzit në zgjedhje dhe për t’u marrë atyre votën. Kjo është e padiskutueshme. Megjithatë, askush nuk mund të llogarisë se në ç’shkallë votuesi do të mpihet nga kjo sjellje e pistë e partive, përkundrazi. Çfarëdo që të ndodhë, një trupë e madhe votuesish nuk do të votojë nga shtysa, kërcënime apo oferta të tilla. Edhe në Venezuelë apo në Zimbabve ka një masë voton pa u prekur nga këto makinacione. Edhe te ne, edhe në zgjedhjet që po vijnë një masë e madhe votuesish do të votojë nga shtysa universale apo nga thirrje të brendshme siç ndodh kudo në botë me votuesit. Kjo masë do të bëjë diferencën dhe do të përcaktojë fituesin. Nuk ka asnjë diskutim për këtë. Çfarëdo të bëjë Rama, kjo masë votuesish është aty dhe mund ta shkatërrojë atë. Pra, le të përpiqemi të shohim se si kjo masë përcaktuese mund të votojë.

Daniel Kahneman, fitues i çmimit Nobel, duke iu përgjigjur kolumnistit të “New York Times”, David Brooks, pas zgjedhjeve brenda partiake në Iowa dhe New Hampshire në vitin 2016, tha se “shpesh njerëzit veprojnë në një mënyrë të caktuar pa e paditur pse po veprojnë në atë mënyrë”.

Disa dekada më parë, Kahneman së bashku me Amos Tversky, një figurë referenciale e psikologjisë konjitive, shtjelluan idenë se gjykimi i njeriut është më shumë një përpjekje për të përshtatur gjërat e reja te modelet familjare sesa llogaritje apo analizë probabilitetesh. Teoricienë të njohur thonë se votuesi nuk u kushton shumë rëndësi premtimeve, se nuk janë premtimet ato që përcaktojnë mënyrën se si ai voton.

Një rol kyç ka ajo që Joseph Nye i Harvardit e quan inteligjenca emocionale, aftësia e kandidatëve, e liderëve në garë për të arritur te ndjenjat e njerëzve. Gjyqtari legjendar i Gjykatës Supreme, Oliver Wendell Holmes, i cili nuk e duronte dot Presidentin Franklin Roosvelt (për shkak se i dukej shumë majtist), tha pas takimit me të se ai ishte një intelekt i nivelit të dytë, por një temperament dhe karakter i nivelit të parë. Shumica e historianëve ia atribuojnë në fakt suksesin e Roosveltit natyrës së tij të mirë, dashamirësisë, dhembshurisë etj.

Presidenti Truman rrëzoi çdolloj sondazhi që e nxirrte humbës dhe fitoi bindshëm dhe pikërisht për shkak të karakterit të tij. Ai shihej nga njerëzit si një prej tyre. Presidenti Reagan e dërrmoi plotësisht Presidentin Carter, pikërisht për shkak të mënyrës se si ai arriti te ndjenjat e njerëzve. Joseph Nye thotë se ndryshe nga sa mendohet se emocionet turbullojnë mendimin, aftësia për të kuptuar dhe rregulluar emocionet, mund të rezultojë në një mendim më të drejtë dhe më efektiv. Kur jemi gati dy muaj para hapjes së kutive të votimit për zgjedhjet e 25 prillit, gjithkush e kupton se socialistët, Kryeministri Rama dhe kandidatët e tij nuk do të fitojnë për shkak të premtimeve.

Kryeministri më kot flet për rindërtimin, për përballimin e pandemisë, për daljen nga kriza, për zhvillim ekonomik, për rritje pagash dhe pensionesh, për një mandat të tretë që do të përmbyllë projektet e tij. Edhe lideri i opozitës nuk do të votohet sepse po premton ulje taksash, se do të rrisë pagat apo se do të hapë 110 mijë vende pune.

Do të ketë edhe në zgjedhjet tona një rol të madh inteligjenca emocionale. Dhe kjo do të bëjë diferencën. Rama nuk arrin më te ndjenjat e asnjë votuesi, ai nuk shihet më nga asnjë votues si bartës i një natyre të dhembshur, si njeri i përshkuar në gjithë qenien e tij nga sensi të drejtës kur ka pasur vetëvarje qytetaresh për mospagim energjie apo arrestime nënash me fëmijë, kur ka pasur ndërprerje energjie në shtëpi me fëmijë që bëjnë dializë kur vendi është mjerim, kur kanë ikur 400 mijë njerëz, kur ai tallet dhe i fyen të gjithë (popull gazetarë, opozitarë), kur trafiku dhe krimi hyn në Parlament dhe bashki dhe u bënë qeverisës.

Lideri i opozitës, Basha, duket se po arrin te ndjenjat e njerëzve. Ai ka kohë që është në kontakt me të varfër dhe të harruar, me të papunë dhe të rinj, më të persekutuar dhe minatorë. Ai nuk ka shfaqur kurrë arrogancë apo moskokëçarje, nuk ka fyer kurrë dhe nuk është mburrur kurrë para njerëzve apo halleve të tyre. Ai duket se po ia arrin të shihet si bartës i dhembshurisë, i një karakteri, të cilin njerëzit mund ta shohin pranë tyre. Programi që po paraqet, kujdesi që tregohet në detaje të tij për varfërinë dhe mjerimin, për gjendjen e shkollave dhe të spitaleve, për gjendjen e biznesit ka për efekt kryesor zbulimin te Basha të kësaj ane te tij.

Me atë që paraqet programi Basha po përpiqet t’i bëjë hallet e njerëzve halle të fushatës, halle të tijat. Ai po flet vazhdimisht për to dhe nuk bën sikur ato nuk janë. Që operacioni i Bashës të ketë sukses, duhet që ai jo vetëm ta shfaqë vetë këtë anë, jo vetëm të arrijë te njerëzit dhe tek inteligjenca e tyre emocionale, por duhet që edhe ekipi i tij, njerëzit e tij, kandidatët e tij, të prekin inteligjencën emocionale të njerëzve. Përndryshe, e gjitha do të rrezikonte të shembej. Te njerëzit do të niste dyshimi apo do të qëndronte skepticizmi se këto janë truke elektorale të pasinqerta. Shqipëria është një republikë parlamentare dhe gara bëhet mes liderëve me gjithçka edhe me programet, edhe me kandidatët e tyre, edhe me ekipet e tyre. Basha dhe PD duhet t’i shëmbëllejë një organizmi që përfaqëson në të tërën e tij të njëjtën gjë: subjektin që njerëzit e shohin si afër tyre, të dhembshur, të mirë, që mund të kujdeset për ta, që hallin e tyre e sheh si hallin e tij.

Kandidati socialist, Edi Rama, siç e thamë është ana tjetër. Ai shihet si i pasinqertë, shihet si njeriu që është aq larg sa ai vetë duke e ditur këtë u betohet atyre se është afër. Ramës nuk i ka mbetur më asgjë për të mbuluar apo fshehur nga vetja. Askush nuk mund ta marrë atë më për karakter të mirë, për njeri që është i sinqertë dhe që e sheh hallin e njerëzve si të tijin. Sulmet ndaj kundërshtarit dhe përbetimet për sinqeritet janë pa vlerë ose me pak vlerë. Veç kësaj, referuar tezës së Kahneman dhe Tsverky, sipas së cilës njerëzit kërkojnë më shumë të përshtatin gjërat e reja me modele familjare, Rama nuk mund të përshtatet me gjëra, të cilat njerëzit i duan, i kanë për zemër dhe i kanë familjare. Rama (lërë më Veliaj pastaj) përpiqet të sillet si njeriu i mirë, i vuajtur, që shqetësohet për njerëzit, si familjari i mirë, si njeriu i ndershëm, pikërisht për të gjetur vend në modelet e njerëzve. Por kjo është sot diçka që nuk bëhet më.

Basha, ndërkohë, këtë e bën natyrshëm. Çdo njeri e përshtat atë menjëherë në modelin e tij familjar. Thënë shkurt, njerëzit do të donin lehtësisht të afërm, miq, familjarë si Basha, por ndoshta jo si domosdo si Edi Rama, si Erion Veliaj, ose do të donin të kishin më shumë si Basha dhe më pak, shumë më pak si Rama.

Një rëndësi shumë të madhe, siç e thamë, kanë edhe ekipi dhe kandidatët e secilit prej tyre (Bashës dhe Ramës), pasi ata do të plotësojnë të gjithë perceptimin mbi secilin prej tyre. Edhe kandidatët, edhe ekipi, duhet të shihen nga njerëzit si njerëz që ata do të donin t’i kishin të afërm, familjarë apo miq. Edhe kandidatët duhet të përshtaten me modelin familjar dhe njerëzor të votuesve.

Kjo është përgjegjësi e madhe, por këto zgjedhje do të vendosen pikërisht nga këto gjëra. Rama ka marrë masa me mekanizmin e tij të pushtetit që ta zvogëlojë trupën e votuesve që votojnë mbi këto kritere dhe kjo e bën edhe më të rëndësishme dhe më të madhe përgjegjësinë e PD-së. Basha duket se pikërisht këtu po e bën diferencën. E lejon natyra e tij, por edhe kusht i pashmangshëm sot. Kjo është një diferencë morale. Në thelb, çështja bazë e këtyre zgjedhjeve është morali. Në qofte se PD deri në ditën e zgjedhjeve do të harrojë të prekë inteligjencën morale të njerëzve, atëherë Basha do ta mundë keqas Ramën. Dhe kjo duket e pashmangshme.

Facebook Comments

Related posts

“Xhamajka” dhe intelektualët e filozofi B.Latifi

Eagle

Italia është dashuri

Eagle

Unë i përkas një populli që zgjedh më të korruptuarit në qeverisje, nuk iki nga ky vend

Eagle

Leave a Comment

twenty − eight =